Vazhdon avazi i Ministrisë së “Dështimit”, rrit tarifat sërish, reformat e turpit po thellohen dhe koston e paguajmë ne studentët, familjet tona që në shumicën e rasteve jetojnë në minimumin jetik. Ne si studentë në vend që të jemi e ardhmja e shoqerisë jemi kthyer në një grup interesi të papërfillur dhe diskriminuar nga vendimarrja e Ministrisë, e qeverisë, e Kryeministrit.
Qeveria na dënoi me tarifa shumë të larta ndërkohë që jeta jonë studentore është e varfër, ajo që vrehet këto ditë është leksioni i plagjaturës, si ministrat po vjedhin hapur trurin, mëndjen,xhepin, shpirtin tonë…
Në vend që të trajtohemi me “Karta Studentore” , “Kodin e Studentit” , me fonde për kërkime shkencore e shumë ligje që të na favorizojnë, të na e lehtësojnë punën tonë të mundimshme, ne shtypemi edhe më shumë, aq sa kurrizi nuk po na e mban më peshën e madhe mbi supet tona të brishta.
Duhet ta ndalojmë këtë masakër, duhet të bashkohemi të protestojmë. Ne nuk jemi nga ata që presim të na bjeri ndryshimi nga qielli , por jemi pjesa më vitale e shoqerisë. Ne jemi motorri që lëvizën gjërat, jemi drita në sytë e shqiptarëve, sot që e keqja ka kapluar mbarë vendin, ne duhet të bëjmë hapin e parë.
Unë jam studente, unë se pranoj shkeljen, unë se pranoj skllavërin, nuk kemi pse paguajmë tarifa që nuk justifikohen. Kjo tashmë shkon përtej grupimeve politike , kjo është një çështje jetike që na takon vetem ne dhe familjeve tona.
Të protestojmë të gjithë bashkë, e kemi detyrë morale e jetike!