Marsela Lekli, psikologe
Abuzimet dhe ngacmimet seksuale nëpër shkolla, fenomen që po përhapet nga neglizhenca dhe kultura e mosraportimit.
Abuzimet dhe ngacmimet seksuale ndaj nxënësve nëpër shkolla në Shqipëri janë kthyer në një fenomen mjaft shqetësues.
Këto raste ndodhin për disa shkaqe, të cilat lidhen me neglizhencën dhe mungesën e kontrollit nga ana e institucioneve arsimore në qendër dhe ato lokale si shkollat apo universitetet, mosfunksionimin e strukturave komunitare në shkolla si: Këshilli i Prindërve apo Qeveritë e nxënësve dhe emërimi politik i drejtuesve në shkolla, gjë e cila ul profesionalizmin dhe cilësinë e drejtimit të këtyre institucioneve.
Organet e Qeverisjes Vendore gjithashtu janë përgjegjëse në krijimin e kushteve infrastrukturore dhe të sigurisë në shkolla duke filluar nga pajisja me kamera sigurie deri tek personeli jomësimor që emëron, i cili patjetër duhet të kalojë në një filtër moral.
Fenomeni i ngacmimit seksual edhe pse daton qysh në kohërat më të hershme, edhe në ditët e sotme mbetet një realitet i dhimbshëm dhe sfidë serioze për shoqërinë shqiptare.
Një ndër përcaktimet më logjike për ngacmimet seksuale është sjellja e padëshirueshme seksuale që i vë në pozitë të pafavorshme (siklet) femrat dhe meshkujt.
Ngacmimi seksual konsiderohet vepër penale dhe ligji parasheh dënime të rënda për të, praandaj raportimi i këtyre rasteve ka rëndësi të madhe.
Ky fenomen manifestohet në forma dhe mënyra të ndryshme qoftë në rrugë, vende publike, shkolla, institucione private, publike, si në formën e fjalëve banale, ashtu edhe në atë fizike.
Në ditët e sotme shihet qartë se ky fenomen ka një përhapje të madhe, kryesisht ndër shkolla, dhe ajo që e bën alarmante situatën është përpjekja për ta fshehur si realitet pikërisht nga instancat përgjegjëse.
Manifestimi i këtij fenomeni në forma të shumëllojta, përmes shakave, komenteve dhe gjesteve të padëshirueshme, është mjaft masive dhe tejet shqetësuese për shoqërinë tonë, pasi për arsye të stigmatizimit të tyre një pjesë e shoqërisë as që i raportojnë si raste.
Ngacmimet seksuale me të mitur nëpër shkolla në të shumtën e rasteve nuk denoncohen ose kallëzimet në polici bëhen vetëm pas abuzimit.
Çdo mos raportim, mbajtje të fshehtë, mbulim të ndonjë problematike të një nxënësi vetëm për hir të mos prishjes së imazhit të shkollës, apo komunitetit, mos drejtimi tek ekspertët përkatës, do i ngarkonte patjetër me përgjegjshmëri shkollën dhe të gjitha institucionet me radhë sipas hierarkisë
Luftimi i kësaj dukurie varet edhe nga emancipimi i shoqërisë, pra raportimi i rasteve të tilla nga personat e ngacmuar, si dhe një ndërgjejësim më i madh për këtë fenomen duhet të bëhet si nga mediat po ashtu edhe nga institucionet përgjegjëse.
Duke i hedhur një sy raportimeve të kryera, shohim se një fenomen i tillë ka një shtrirje gjeografike në të gjithë territorin, cka evidenton praninë e tij si një realitet, i cili duhet konsideruar seriozisht dhe përgjegjshmërisht nga të gjithë ne.
Duket se organet shtetërore janë të mefshta, pa proaktivitet. Duket qartë se abuzuesit në masën më të madhe nuk ndëshkohen në mënyrën e duhur. Sistemi i drejtësisë, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore që ligji në fakt i ka parashikuar si përjashtime jo si rregull, kanë arritur t’i nxjerrin pa shumë kosto subjektet shkelëse. Këtu ka hapësirë dhe nevojë për ndryshime, përmirësime të kuadrit ligjor penal.
Nuk mund të themi drejtpërdrejtë që është problem legjislacioni, por më shumë raste gjykoj se është keqpërdorim i legjislacionit nga trupa e drejtësisë në dëm të drejtësisë. Gjendur në këto kushte gjykoj se ka vend për zvogëlim të diferencave të minimumit të dënimit dhe maksimumit, sa kohë me këtë pikë abuzohet së shumti.