Nga Ferit Hoxha,
Kryetar i Shoqatës “Atdhetare Kulturore Benda”.
Tashmë si bir i Krahinës së Bendës kam marrë përsipër shpalosjen e vlerave kulturore të saj dhe sigurisht këtë e bëj me një dashuri atdhedashurie e pse jo edhe me një fanatizëm shpirtëror, sepse kjo krahinë e meriton një shpalosje të këtyre vlerave e njohjen më gjerë të saj.
Krahina e Bendës me një histori të gjatë, mbi 800 vjeçare të dokumentuar, si dhe pozicioni i saj gjeografik, ka një mundësi të jashtëzakonshme për të ndikuar në hamonizimin me krahinat rreth saj, por edhe me dy rrethet kryesore me të cilët kufizohet, atij të Tiranës dhe Krujës.
Krahina e Bendës shtrihet ndërmjet vargmaleve të Skënderbeut në lindje dhe atij të Krujë-Dajtit në perëndim. Ndërmjet këtyre vargmaleve shtrihet malësia e Krujës dhe e Tiranës dhe në vijim ajo e Elbasanit. Ajo ka mbajtur lidhje e ka bashkëpunuar edhe me krahina të tjera fqinje si ajo e Tamadhesë, Kurbinit, Matit etj.
Përveç kufizimeve vlen të përmendim edhe rrugët lidhëse të krahinës së Bendës me krahinat dhe qytetet përreth. Si Shkalla e Vajës, Shkalla e vjetër e Krujës, Shkalla e Bovillës, Shkalla e Tujanit, Rrugae Dibrës (sot Rruga e Arbërit), Rruga e Qafmollës, Qafa e Liknojt, Skarrithi (Mall Vilëz), Qafa e Murrrizes, Qafë Sukë etj
Një pjesë e këtyre rrugëve kanë shërbyer prej shekujsh si ura lidhëse të Krahinës së Bendës me krahinat e tjera, si dhe rrugë kalimi me disa rrethe të Shqipërisë për tregti e në raste lufte për periudha të ndryshme.
Në fushën e tregtisë, Benda ka pasur një marrëdhënie të mirë tregtare me Krujën e veçanërisht përsa i përket veshjeve të ndryshme si për “pajë” ashtu dhe për përdorim të përditshëm. Me Tiranën përveç veshjeve janë tregtuar edhe prodhime bujqësore e blektorale, kurse me pazarin e Klosit, deri vonë shkëmbeheshin kafshët e punës. Gjithahtu ia vlen të përmendim edhe tregtinë dhe furnizimin me drithë në Qafmollë gjatë periudhës së pas çlirimit të vendit.
Nëpërmjet këtyre marrëdhënieve tregtare janë krijuar lidhje reciproke në miqësi, në forcimin e kulturave, dokeve, zakoneve e deri në ato folklorike, ku shpeshherë ato nuk dallohen ndërmjet tyre duke i bërë më të afërt njerëzit me njëri- tjetrin, sigurisht pa e deformuar origjinën e këtyre vlerave e duke i mbajtur dhe trashëguar ato me shumë kujdes brez pas brezi.
Këtu ia vlen të përmendim kërcimin e disa valleve nga të gjitha këto njësi të sipërpërmendura, përdorimin e disa veglave muzikore, disa karakteristika të mikpritjes e bujarisë, të cermonive të dasmave , apo të rasteve të tjera.
Kjo vërtetohet edhe më shumë po t’i referohemi përbërjes së Ansamblit Benda, ku një pjesë e mirë e këtyre këngëtarëve, kërcimtarëve dhe instrumentistave që sot performojnë në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, deri dje ishin përfaqësues të dy ansambleve të ndryshme të rrethit të Tiranës dhe atij të Krujës.
Gjithashtu gjatë shekujve, sidomos dekadave të fundit, kemi edhe marrëdhënie miqësore duke bërë krushqi nga një zonë në tjetrën, përfshi këtu edhe miqësitë me familje të qyteteve Tiranë dhe Krujë.
Bazuar në këto fakte apo edhe në të tjera, mendoj se lind e drejta për të bashkëpunuar më shumë ndërmjet shoqatave respektive, si për shkëmbimin e traditave më të mira ashtu edhe për forcimin e miqësisë ndërmjet banorëve të këtyre njësive.
Kjo është një domosdoshmëri edhe për një fakt tjetër, se me lëvizjet (migrimin) brenda vendit shumë banorë të Bendës, Tamadhesë, Kurbinit dhe rrethinave të Matit sot janë komshij në lagje të Bashkisë Tiranë, Krujë e më tej.
Theksoj se “Shoqata Atdhetare Kulturore Benda” që në themelimin e saj, e ka pasur si synim kryesor bashkëpunimin me shoqata të tjera dhe sidomos me ato fqinje. Gjatë kësaj periudhe, jemi përpjekur të mbajmë lidhje dhe të shkëmbejmë përvoja e eksperienca të ndryshme me të gjitha këto njësi, shoqata apo bashki. Kjo vërtetohet më së miri me ftesat që u kemi dërguar në aktivitetet kryesore që kemi organizuar gjatë këtyre gjashtë viteve (që në krijimin zyrtar të Shoqatës Benda).
Për këtë, nuk mund të rri pa përmendur e vlerësuar bashkëpunimin me Shoqatën Tirana me Kryetar z. Arben Tafaj, edhe pse jo në nivelin e duhur, ku duhet përshëndetur reflektimi i kohëve të fundit në të cilin Shoqata Tirana ka bërë mjaft hapa përpara e ia vlen të përmendim vlerësimet me Titullin “Fisnikëria e Tiranës” për disa nga intelektualët e Bendës si: Azem Nela, Mehdi Elmaz Hoxha dhe Agim Sula (pas vdekjes). Mendoj dhe shpresoj për një bashkëpunim më të mirë në vazhdimësi.
Gjithashtu kemi një marrëdhënie të mirë me Bashkinë Tiranë, sidomos në fushën e artit dhe të kulturës, ku Ansambli Benda me ftesë të Bashkisë Tiranë, ka performuar në disa koncerte dhe festivale të organizuara nga vetë Bashkia, duke shpresuar në bashkëpunime të një niveli akoma më të lartë në vazhdimësi, pasi zona e Bendës e trashëgon më së miri potencialin krijues, organizues e bashkëpunues.
Për fat të keq këtë frymë bashkëpunimi nuk e kemi gjetur deri tani me Bashkinë Krujë edhe pse ne e kemi ftuar në të gjitha aktivitetet që ka organizuar Shoqata Benda, veçanërisht në “Sofrat e Bendës”, si dhe i kemi dërguar edhe shkresa të tjera për vlerësime dëshmorësh.
Vlerësoj maksimalisht interesimin për vazhdimin e negociatave me Shoqatën “Lidhja e Krujës” dhe të Kryetarit të saj z. Gani Elezi, i cili ka shprehur interesim maksimal për të bashkëpunuar me Shoqatën Benda, si dhe për materiale informuese të ndryshme për Krahinën e Bendës. Madje, theksoj se ky i fundit ishte dhe motivuesi që më shtyri ta bëj këtë shkrim, kjo nëpërmjet aktivistit të pa lodhur Bajram Hoxha (nga Rraza)). Faleminderit Gani Elezi & B. Hoxha!
Gjithashtu informoj publikun dhe vlerësoj ftesën që na është bërë nga Shoqata “Gavril Dara i Riu” Krahina e Tamadhesë me Kryetar Sejfulla Shtëpani për të lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me vlerë reciproke, ku kjo ftesë më ka ardhur kohët e fundi nëpërmjet gazetarit Luan Shtëpani.
Ndërsa me Shoqatën e Krahinës së Kurbinit nuk kemi krijuar lidhje akoma, megjithëse ne u kemi dërguar ftesa për pjesëmarrje në “Sofrat e Bendës” here pas here.
Pra bashkpunimin e Shoqatës Benda me shoqatat e krahinave fqinje si dhe me dy Bashkite respektive, përfshi dhe dy njësitë, që për fat keq deri sot nuk kanë qenë shumë aktive e shoh si domosdoshmëri, si për forcimin e miqësisë ndërmjet tyre, ashtu edhe për të rritur frymën e shkëmbimit të eksperiencave. Do të shtoja pse jo, që në momente të veçanta dhe një bashkëpunim i përbashkët i të gjitha shoqatave të mësipërme.
Kjo nën shembullin e disa intelektualëve që japin kontribut paralel si në Shoqatën Benda, ashtu edhe në ato të rretheve respektive. Këtu mund të pëmend dhe të falenderoj për kontributin e dyfishtë që japin, si për Krahinën e Bendës ashtu edhe për Shoqatën Tirana, intelektualët Azem Nela, Mehdi Elmaz Hoxha, Hysen Hysa, Ibrahim Kabili, Sadete Duka, Abaz Tafa etj. Sigurisht edhe une vetë personalish si kryetar shoqate, jam munduar të jap kontributin tim modest.
Gjithashtu dhe intelektualë nga nahija e Bruzit që paralel me kontributin për zonën po kontribojnë edhe në Lidhjen e Krujës si: Bajram Hoxha (nga Rraza), Dervish Allushi, Mehmet Ahmati, Mustafa Celami, Saba Sejdini, Bajram Balliu etj Këto në vetvete përbëjnë vlera për vetë faktin se krahina jonë është e lidhur ngushtë me qytetet Krujë dhe Tiranë.
Mendoj që Shoqata Benda tashmë e ka krijuar infrastrukturën e duhur për të hedhur hapa të tjera të rëndësishëm dhe me vlera për Krahinën e Bendës, sepse siç e theksuam më lart, i kemi kapacitetet e mjaftueshme intelektuale në fusha të ndryshme për të avancuar më përpara. Ne sot kemi një shoqatë të konsoliduar, kemi “Ansamblin Benda” tashmë të afirmuar që mund të konkurojmë me dinjitet dhe të përçojmë vlerat folklorike më të mira në të gjitha trojet shqiptare dhe shqipfolëse.
Duke shpresuar në një bashkëpunim të frytshëm veçanërisht me shoqatat e krahinave kufitare, mbështetur dhe në kapacitetet e më sipërme, unë si kryetar i “Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda”, siguroj që shoqata jonë do të japë një kontribut të çmuar në realizimin e marrëveshjeve konkrete për një bashkëpunim afatgjatë.
I përmenda këto pak fakte, thjesht për të treguar bashkëpunimin që ka pasur Krahina e Bendës me krahinat dhe rrethet e tjera fqinje e jo për të treguar historinë e Bendës, pasi ajo është shpjeguar nga historianë të ndryshëm dhe është përmbledhur në librin “Benda në rrjedhën e historisë” me autor profesorët Ibrahim Kabili dhe Hysen Hysa. Po ashtu, raste e ngjarje të veçanta janë publikuar në gazetën “BENDA”.
Ferit Hoxha,
Kryetar i Shoqatës “Atdhetare Kulturore Benda”.
Tiranë më 27.08. 2021