Nga Adelina Pali
I lindur në Belsh, Elbasan, Halit Trakanaku përfaqëson modelin e të riut që ka zgjedhur ta ndërtojë të ardhmen mbi dijen, përkushtimin dhe angazhimin qytetar.
Rrugëtimi i tij nisi me rezultate të shkëlqyera në gjimnazin “Sami Frashëri” në Belsh, ku u dallua jo vetëm për arritjet akademike, por edhe për lidershipin. Si President i Gjimnazit, ai organizoi aktivitete kulturore e letrare, nisma për pasurimin e bibliotekës së shkollës dhe veprimtari që nxisnin leximin, shkrimin krijues dhe pjesëmarrjen e të rinjve në konkurse.
Në Provimet e Maturës Shtetërore u vlerësua me notën 10 në të katër provimet, duke konfirmuar nivelin e tij të lartë akademik.
Haliti ka qenë pjesë e projekteve dhe programeve ndërkombëtare, mes tyre projekti “Eksplorimi i Koresë përmes historisë, gjeografisë, shoqërisë, ekonomisë dhe kulturës”, si dhe programi Youth Exchange në Bosnje dhe Hercegovinë, që i mundësuan të zgjerojë njohuritë dhe përvojën në bashkëpunimin ndërkulturor. Gjithashtu, ai ka përfaqësuar të rinjtë në Forumin Rinor të Bashkisë Belsh, duke kontribuar në iniciativa me karakter qytetar.
Pasioni për letërsinë e ka shoqëruar në çdo etapë të jetës. Shkrimet, poezitë dhe opinionet e tij janë botuar në Portalin Shkollor Albas dhe në revistën “Dumreja ime”, ndërsa aktualisht po përgatit për botim veprën e tij të parë letrare.
Sot është student i vitit të tretë në Fakultetin e Mjekësisë, ku vazhdon të ruajë rezultate ekselente. Paralelisht me studimet, është bashkëdrejtues i Klubit të Librit, duke organizuar mbrëmje poetike, promovime librash, takime me autorë dhe aktivitete kulturore që pasurojnë jetën studentore. Ai ka kontribuar gjithashtu në organizimin e eventit bamirës MedTalent – “Ende ka Shpresë” dhe në iniciativa të tjera të Fakultetit të Mjekësisë.
Edhe pse kishte mundësinë të vazhdonte studimet në Itali, ku jeton familja e tij, Haliti zgjodhi të studionte në Shqipëri, duke besuar te kontributi që mund të japë në vendin e tij. Ky vendim u pasqyrua edhe në një intervistë për Report TV dhe në një artikull të Shqiptarja.com.
Me një profil që bashkon ekselencën akademike, dashurinë për letërsinë dhe angazhimin qytetar, Halit Trakanaku është një nga të rinjtë që frymëzon dhe dëshmon se suksesi ndërtohet me punë, vizion dhe përkushtim.











