ShBA-ja siguron dhe një vaksinë të dytë kundër koronavirusit. Një grup këshilltarësh të pavarur rekomanduan dhënien e autorizimit për vaksinën e prodhuar nga firma Moderna, ndërsa të premten pritet edhe autorizimi nga administrata për përdorim në popullatë. Në Europë vendimi merret më 6 janar.
Një grup këshilltarësh të jashtëm të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave rekomanduan të enjten pasdite dhënien e autorizimit për përdorim emergjent të vaksinës kundër koronavirusit të prodhuar nga firma Moderna.
Të premten pritet autorizimi nga administrata. Ky është i njëjti grup ekspertësh që javën e kaluar rekomandoi dhënien e autorizimit për vaksinën e zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech.
Vaksina e Moderna-s është zhvilluar me një teknologji të ngjashme me atë të Pfizer-it duke përdorur acidin ribonukleik, por mund të ruhet në temperatura më pak të ulëta sesa vaksina e Pfizer dhe BioNTech-ut. Kjo e bën atë më të përshtatshme për t’u shpërndarë zonat e thella e rurale. Të dy vaksinat janë rreth 95 për qind të efektshme në parandalimin e sëmundjes bazuar në provat klinike të fazës së fundit.
Grupi i këshilltarëve të jashtëm të FDA-së ka të ngjarë të diskutojë rreth efekteve anësore të vaksinës së Modern-ës të ndeshura gjatë provave klinike me 30 mijë pjesëmarrës, të cilat ishin më të shpeshta se ato të raportuara nga Pfizer-i. Ato ishin kryesisht reagime relativisht jetëshkurtra ndaj vaksinimit sesa efekte anësore të rënda.
Ekspertët thonë se vaksina e Moderna-s duket më pak e tolerueshme sesa ajo e Pfizer/BioNTech-ut, por sipas tyre kjo nuk është mënyra e duhur për të bërë krahasim dhe nuk ka gjasa të pengojë dhënien e autorizimit për vaksinën.
Shtetet e Bashkuara kanë të ngjarë të furnizohen të parët me vaksinën e Moderna-s, dhe kanë nënshkruar për këtë një marrëveshje për të siguruar deri në 200 milionë doza.
Në Europë, Agjencia Europiane e Barnave, afroi datën për miratimin e vaksinës së Modernës me rreth një javë, duke e caktuar si afat 6 janarin. Agjencia është nën presionin e madh të qeverive europiane për të shpejtuar punën e miratimit të vaksinave.
Shefi ekzekutiv i EMA-s Emer Cooke tha se ekipi mundi të shpejtojë punën dhe të afrojë kohën e miratimit të vaksinës.