InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz
No Result
View All Result
InfoPressAlbania
No Result
View All Result
Home Artikuj

Flet autorja e testit të Letërsisë dhe “Turit”: Nuk mund të hesht më, pas një furtune që nisi nga hiçi!

24 Qershor, 2020
in Artikuj, InfoPress, Të ndryshme
A A
Flet autorja e testit të Letërsisë dhe “Turit”: Nuk mund të hesht më, pas një furtune që nisi nga hiçi!

Nga Mimoza Islami (Verzivolli)

Detyra ime është t’ju tregoj se virtytet nuk i blejnë dot me para, por paratë dhe mirësia e njeriut fitohen duke patur virtyte. Në qoftë se mendoni që këto që ju thashë janë gabim dhe u sjellin të rinjve dëme, atëherë mund ta quaj veten fajtor – “Apologjia e Sokratit”

Jo më kot iu drejtova thënies së mençur të Sokratit. Sepse dua ta ringjall frymën e revoltës së filozofit të lashtë grek, në kushte dhe rrethana të reja, në një situatë të re, në kohët moderne, në kushtet e demokracisë shqiptare (jo greke). Shekuj më pas….!

Heshta ditë të tëra përballë sulmesh e goditjesh të pamerituara, strukur dhe terrorizuar prej fyerjesh të pakuptim, duke iu kthyer e rikthyer “gabimit” të madh… sepse guxova të përqafoja një frymë të re, sepse doja të kapërceja gardhe betoni, për të mbërritur me hapa të kujdesshëm në një terren të pashkelur më parë, drejt zhvillimit.

Guxova të thyeja “rregullat”e ngulitura, për t’i dhënë një kuptim të ri pushtetit të dijes.

E urreva natyrën e dijeve që e orientojnë qenien njerëzore, për të qenë ripërtypëse të “gjellës” që ofrojnë të gatshme autoritetet “superiore” (ato “vjellin” dhe “vjellin”, në të njëjtën formë, me të njëjtët përbërës, pa shtuar qoftë edhe vetëm erëzat në gatesat e tyre të mbytura nga myku, ndërkohë që trufoshnjarakët e paditur – ky është perceptimi i tyre për çdo nxënës e student – duhet të “gëlltisin”, ashtu të papërpunuar, përzierjen e servirur).

E urreva… dhe e urrej… sepse ata që e servirin këtë “pjatë dijesh”, besojnë se janë Zoti mbi këtë Tokë!!..ose më “të zotë” se unë… ose, se disa si unë… ose, se shumë si unë…

Shumë si unë! Sepse duhet t’u jenë veshur keqazi sytë, nuk di nga ç’masë verbërie, t’u jenë mpirë thellë vatrat e mendimit, t’u jenë tharë burimet e arsyetimit, që të besojnë se jam vetëm. Si mundet të bëhet vetëm kjo luftë për zgjimin?

Gabova vetëm në një pikë! Nuk e kisha parashikuar lukuninë e panumërt, që priste në ethe për të më përpirë në humnerën që, me nxitim marramendës, përgatiti për mua.

Më donte të masakruar!

Më donte të ekzekutuar!

Më donte të vdekur!

Sokrati i lënduar lëngon: Sa gjë e çuditshme, o qytetarë të Athinës! Ne shohim perënditë, idetë, ëndrrat, ngjarje të së kaluarës e të së ardhmes e vetëm hundën tonë s’mund ta shohim mirë. Unë tani po e kuptoj, si një e një që bëjnë dy, se me të vërtetë i ditur është ai njeri, që do të mundë të shohë hundën e tij…

Kurse unë, Turi, po kaq i trazuar e i lënduar, këlthas me po të njëjtën britmë në kohët e reja:

Ҁ’po ndodh?

Përse ky kryqëzim?

Kujt i shërbeu?

Cilët janë xhelatët?

Janë ata që kërkojnë që, me zhdukjen time, të mbrojnë moralin që lëkundet në shpirtrat e tyre. Në krahasim me ata, unë s’kam bërë gjë prej gjëje.

Ja një pasqyrë e së vërtetës sime…

Nuk di, cili e flaku i pari “dorashkën” e dyluftimit me mendimin e ri, cili e shkrepi i pari “automatikun” për të derdhur “breshërinë e plumbave” mbi idenë progresive; cili ngriti “sëpatën e ndryshkur” për t’i prerë kokën asaj krijese delikate, që prej vitesh priste të ngrihej në këmbë, ashtu duke u kalamendur (simotrat e saj në botë prej kohësh e kishin fituar drejtpeshimin në lëvizje, po kush pyet!). Nuk e di.

Vetëm se nuk më shqitet nga mendja portreti i atij njeriu që më mësoi si ta lexoja legjendën e Kështjellës së Rozafës, nën një vështrim të ri (“Ikja nga kompleksi i Rozafës”), si të mahnitesha nga fuqia e asaj legjende, teksa e ndeshja brenda një perceptimi të pahasur më parë. Besoj, ju kujtohet edhe juve…. të gjithëve!

Unë për vete, sa e sa herë, nxita kërshërinë e nxënësve të mi, për ta interpretuar simbolikën e saj nën një dritë të re mendimi. Dhe, çdo lexim e rilexim, më ndizte imagjinatën, më qartësonte logjikën, po aq sa ma lartësonte para syve të mi autorin e kësaj perle të mendimit krijues.

Po tani?

Ҁfarë të mendoj për krijuesin?

Kush është ai?

Njëri nga vëllezërit?

Njëri nga pushtetet?

Njëri nga Vagnerët, që u zbeh poshtë shkëlqimit të Faustit?

Joooo ….. mos më keqkuptoni, nuk pretendoj të jem Fausti. Unë nuk jam! Por është e sigurt që autori, dikur aq i adhuruar prej meje, sot zbriti në skutat mesjetare të Vagnerit, me sloganet e tij të pakundërshtueshme, me dijet e tij të mbetura në vend, me frymën izoluese, me agresivitetin e pambështetur, me etikën e zbërdhulët…

Ҁfarë të mendoj për krijuesin?

– E gjetët, profesor, viktimën e pambrojtur, “Rozafën e brishtë”, për ta flijuar në muret e kështjellës që po rreket të ndërtohet? Në këtë luftë të pamoral? Do ta murosni bukurinë e saj, në vend që të kontribuoni me ushqim të shëndetshëm për ta përsosur atë më tej?

Kaq e vështirë ishte që, në vend se të rrëmonit për të gjetur “difektet” (të qena e të pa qena; shpesh herë kërkimet rezultonin qesharake, të stisura e turpëruese për ju) dhe për t’i flakur ato drejt një publiku, aspak në korrent të problemit (por shumë të ndjeshëm ndaj imazhit tuaj), të kujdeseshit që të funksiononit pozitivisht, duke hequr dorë nga mendjemadhësia, e cila në vetvete nuk është tipar i njerëzve të mëdhenj?

Bëtë gabim që e prekët këtë tempull, profesor! Bëtë gabim që u përpoqët të hidhnit baltë mbi të!

Çfarë t’ju them për “specialisten” e 2009-ës e ca pak vite më tej, që beson se, me kohën, kujtesa e njerëzve teret në ajër dhe shpall se drita e së vërtetës është në mendjen e saj?

– Si mund ta harrosh, ish mikja ime, se kam qenë dëshmitar i bëmave të tua, i “telasheve” që i solle ndërtesës mbi të cilën sot hedh baltë pa ngurrim, me produktet “scarico” që munde të fabrikoje? Unë vetë nuk e harroj sa jam përpjekur t’i jepja formë “poçeve të tua prej balte”, që i modeloje me mendjelehtësinë më të madhe; nuk e harroj sa jam mërzitur e lodhur asokohe dhe sesi shpërtheva në lotë inati nga pafuqia për t’u përballur me situatat absurde që krijove.

Ky tempull i ka akoma të freskëta gjurmët…. dhe pastaj, sa …..

Shhhhhët!…Hesht, Turi!

Mos bjer në atë batak!

Mos i konkretizo gjërat!

Ajo kaq gjë do ta kuptojë vetë….

Ju kishit nevojë për një viktimë, jo që të mësohen fëmijët tuaj të jenë të ndershëm, por që të kenë frikë nga përgjegjësia!

Bëtë të pamundurën për të rrëzuar një ngrehinë shkencore, pa e njohur as fare pak strukturën e saj (fëmijët tuaj po, ata e njohin, por struken nga presioni i sedrës suaj të sëmurë për të qenë prindër fëmijësh “ekselentë”…. sa shumë ekselentë ka ky vend?! … ekselentë, të terrorizuar për të qenë medoemos të tillë)…

Dhe, duke mos e njohur mekanizmin e kësaj ngrehine, s’mund ta rroknit kuptimin e ekzistencës së saj. Sepse kishit mbetur prapa me mallrat stok të magazinave tuaja, që s’doni e s’doni t’i ndryshoni!….

– Si mendoni, zonjë, se nuk janë tregues domethënës për atë çka përfaqësoni, “prodhimet” tuaja të përvitshme, teksa vlerësoni arsimtarët e ardhshëm, me quitze mediokre, të një natyre të tillë:

Cili shkrimtar u padit për imoralitet pas botimit të veprës së tij:

A) Trebeshina
B) Hygoi
C) Floberi
D) Camaj

Sa ma pështjellojnë stomakun! A nuk vlen më shumë që nxënësi t’u nënshtrohet pyetjeve që e ndihmojnë atë të zhvillojë arsyetimin, logjikën, analizën e sintezën, sesa të riprodhojë njohuri në mënyrë mekanike?

Ç’ndodhi me të gjithë ju, që mbërthyet skenat e teatrit të kohëve moderne, për të kamzhikuar “fajtorin” që s’ju pyeti kur shtriu krahët në hapësira të parrokura deri tani? Menduat se do të më stepte në rrugën time (në rrugën tonë) mendjengushtësia juaj, shpifjet dhe trillimet dashakeqe tuajat?

Lavdi Zotit që kam patur fatin të studioja nën kujdesin e pedagogëve të nderuar, të përmasave të mëdha (të tilla përmasa nuk i gjeta dot sot, mes “kritikëve” pengues). Respekte, për atë brez pedagogësh që i mungojnë sot auditorit universitar! Për ata që nuk “mëshiruan” ekselentët….

Sa për ju…. mjafton të pyesësh studentët e sotëm që t’ju tregojnë mbi heqjet e mundimet e tyre për të deshifruar leksionet tuaja (jo rrallë përkthyer për llogarinë tuaj), që i recitoni e rirecitoni vit pas viti, pa u ndryshuar as presjen.

Po ç’mund të them për disa zëra, që kanë nënshkruar bilance skandalesh të njëpasnjëshme, kur kanë shërbyer në institucionin që sot (paturpësisht) po linçojnë? Janë aty pasojat e bëmave të tyre … të drejtorëve e ish drejtorëve, të ministrave e ish zëvëndës-ministrave (zëvëndës-ministreshave, më saktë!), të cilët gjithçka që e projektuan (vetë) dje (idenë e nisur bukur e zhvleftësuan rrugës, në fakt), e “vrasin” (po vetë) sot…. Jehona e “heroizmave” të tyre ndihet ende.

Po kaq fort dëgjohet kakofonia e tingujve të “korit të brekosave”, që prej vitesh vijojnë të kllapuriten në të njëjtat ujëra… pa sjellë asnjë ndryshim në lëndën që ofrojnë, për t’i ndriçuar mendjen këtij brezi, që synon frymën e ndryshimit…. asnjë ndryshim, asnjë hap përpara, por vetëm reduktim …reduktim… të një materiali tekstor (dikur të plotë), por tashmë të zbrazët.

Ata promovojnë dështimet e tyre sa herë gjejnë hapësirë në treg, përmes “korifenjve” misionarë.

Të gjithë ju, me tymnajën që ngritët, influencuat deri edhe mendje të shëndosha studiuesish, duke i çoroditur ata me një bum informacionesh false, dhe i përfshitë edhe ata (që mbeten emra të nderuar në profesionet e tyre) në kauzën tuaj të shkatërrimit, …. në emër të lirisë?!….

E mbollët gjuhën e urrejtjes, e hodhët lëndën helmuese në trutë e njerëzve, përmes masmegafonëve që kënduan këngën tuaj…

Turiiiii…. ! Pusho …. Pusho!

Dua të jem i kujdesshëm, por e vërteta duhet thënë: Kredoja juaj është se, sa më pak mendon qytetari, aq më i urtë është… (Ah, Sokrat! Sokrat!)

Kredoja juaj! Por, jo imja!

Dhe unë nuk jam i vetëm në rrugëtimin tim. Jo! Unë jam me ata që investohen me idealizëm për të shtruar shinat që ju as nuk doni t’i cekni, sepse avionët tuaj prej kartoni ju mjaftojnë për të ushtruar pushtetin tuaj.

Unë kam me vete atë numër të madh kontributesh njerëzore, që mbeten modestë në sakrificën e tyre. Kam komunitetin e nderuar të cilit i përkas prej 20 vitesh (pa ngjyra politikash apo interesa meskine).

Ata po, ata mund të më gjykojnë. E mirëpres oponencën e tyre.

Ata e njohin rrugën ku po shkel unë. Se është edhe e tyrja. (Me sa duket, jo e juaja! E zbulova sot, në këto ditë sulmesh që tronditën shumë themele të besimit tim, pas jo pak vitesh punë). Ata, edhe nëse më kundërshtojnë, e di që, në thelb, luftojnë për të njëjtin qëllim, të cilit i jam truar edhe unë. Në fund të fundit, barrën më të rëndë e mbajnë ata. Në përditshmërinë e tyre. Me mundin e pashpërblyer.

Hesht, Turi….hesht! Mjaft më!

Po si mund të hesht, pas një furtune që buroi nga hiçi, turbulloi atmosferën jo pak të ngarkuar me gjithfarëlloj toksinash, u vu në shërbim të hiçit… dhe… u gremis në hiç!

Botë e egër!

Mos e shkatërro një fidan që do të sjellë një erë të re; vadite me kujdes, krasite nga barërat e këqija, nga insekte që e mbytin, i marrin frymën dhe e dëmtojnë!

Mos e këput bimën e re, që në krye të herës … madje pa e parë mirë, pa ia ndierë aromën, pa i mbledhur frutat! Mos e përziej gjithçka që kërkon të formësohet natyrshëm, në beteja të tilla të shëmtuara!

Njerëz! Nëse doni t’i ndihmoni fëmijët tuaj të bëhen të zotë në jetë, lejojini ata të përballen me sfidat që u ofron koha!

Mos ua deformoni shijet dhe shpirtin!
Mos ua gjymtoni mendjen!
…..

Unë e thashë fjalën time.

Më pas, mos thoni më që unë heshta dhe nuk e bëra paralajmërimin tim, për humnerën ku do t’ju shpjerë rruga që po zgjidhni!

Tani, po!

Tani do të hesht.

Më në fund, do të marr frymë i qetë se e çlirova të vërtetën time!

Të Lidhura

TË RIKTHEHEMI TEK LAPSI DHE LETRA/ PËRFITIMET E TË SHKRUARIT ME DORË
Të ndryshme

TË RIKTHEHEMI TEK LAPSI DHE LETRA/ PËRFITIMET E TË SHKRUARIT ME DORË

14 Gusht, 2025
XHUBLETA— Mbretëresha e Heshtur e Bjeshkëve
Artikuj

XHUBLETA— Mbretëresha e Heshtur e Bjeshkëve

12 Gusht, 2025
Rrok Dodaj, Kryetar i Bashkisë Pukë: Puna, vizioni dhe angazhimi ynë për një Pukë më të zhvilluar
Të ndryshme

Rrok Dodaj, Kryetar i Bashkisë Pukë: Puna, vizioni dhe angazhimi ynë për një Pukë më të zhvilluar

10 Gusht, 2025
Ilir Shyta, një model i mendimit të kthjellët dhe fjalës me përmbajtje
Artikuj

Ilir Shyta, një model i mendimit të kthjellët dhe fjalës me përmbajtje

3 Gusht, 2025
Jonela Spaho – Zëri i Arsyes dhe Ndjeshmërisë në Botën e Fjalës
Artikuj

Jonela Spaho – Zëri i Arsyes dhe Ndjeshmërisë në Botën e Fjalës

3 Gusht, 2025
A janë bisedat tuaja me ChatGPT vërtet private? Sam Altman paralajmëron për rrezikun
Të ndryshme

A janë bisedat tuaja me ChatGPT vërtet private? Sam Altman paralajmëron për rrezikun

31 Korrik, 2025

TË FUNDIT

Pamja e jashtme e presidentit të SHBA-së, ja pse Trump është gjithmonë kaq portokalli
Bota

Pamja e jashtme e presidentit të SHBA-së, ja pse Trump është gjithmonë kaq portokalli

21 Gusht, 2025

HOROSKOPI I DITËS, e enjte 21 gusht 2025
Horoskopi

HOROSKOPI I DITËS, e enjte 21 gusht 2025

21 Gusht, 2025

Meriton Mjekiqi lirohet nga arresti, reagon për herë të parë pas skandalit
Show Biz

Meriton Mjekiqi lirohet nga arresti, reagon për herë të parë pas skandalit

20 Gusht, 2025

Netanyahu akuzon Macron-in: Po nxit antisemitizmin me njohjen e Palestinës
Bota

Netanyahu akuzon Macron-in: Po nxit antisemitizmin me njohjen e Palestinës

20 Gusht, 2025

"InfoPressAlbania", është një media e re online, e lançuar më 04 Nëntor 2018. Synimi i "InfoPressAlbania" është informimi në kohë reale i ngjarjeve, por edhe zhvillimeve të tjera nga politika, showbiz, sport, kulturë, etj. Moto e "InfopressAlbania" është: Lajmi vjen tek lexuesit përmes këndeve të ndryshme të vëzhgimit. Ne hulumtojmë përtej lajmit për të shpalosur për lexuesit të vërtetën. E veçanta e InfoPressAlbanai qëndron në promovimin e "Modeleve të Suksesit" të bizneseve dhe individëve në fusha të ndryshme, që me shembullin e tyre janë motivues për gjithsecilin. I përkushtuar për të ofruar një mbulim origjinal konstant në të gjithë Shqipërinë mbi fushat e lartpërmendura, InfopressAlbania, synon gjithashtu, të sigurojë akses në lajmin e parë, duke ofruar një staf gazetarësh që do të shërbejnë si sistem rrjetizues për mbulimin e informacionit në të gjithë territorin.

@2024 InfoPressAlbania

No Result
View All Result
  • KREU
  • Artikuj
  • Opinione
  • Politikë
  • InfoPress
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Lifestyle
  • WEB TV
  • Të ndryshme
    • Aktualitet
    • Lajme
    • I përzgjedhur
    • Sociale
    • Shëndetësi
    • Histori
    • Kulturë
    • Kuriozitete
    • Horoskopi
    • Show Biz

© 2024 Infopressalbania.com