DR. ROVENA VATA
LEGJENDA AGIM RAMADANI ËSHTË DHE DO MBETET HERO I PAVDEKSHËM I LIRISË
(3 maj 1963-11 prill 1999)
Me datë 3 maj të vitit 2018, në ditën e lindjes së legjendarit Agim Ramadani, u organizua: “MANIFESTIMI TRADCIONAL KULTUROR “DITËT E AGIMIT”, në sheshin e Lirisë Zheger të Gjilanit.
I KËNDOJMË AGIMIT
Ky aktivitet u nderua me pjesëmarrjen e artistit të Kombit Reshat Arbana dhe ansambli Mirdita “Mjeshtër i Madh”, si dhe ishin të pranishëm në këtë manifestim, shqiptarë nga të gjitha trevat.
Jehona e zërit të artistit të madh Reshat Arbana, në këtë manifestim për legjendën Agim Ramadani erdhi, përmes vargjeve:
“Komandat e poetë;
Artist e piktor;
Agim Ramadani shqiptar MIRDITOR”.
Ky manifestim në kujtim të legjendës Agim Ramadani, u realizua nën drejtimin, e birit të Mirditës, Besnik PACIT, ku në fjalën e tij, të përshëndetjes për të pranishmit, tha:
Çdo shqiptar ka dëshirë të promovojë dhe të krenohet me legjendarët e luftës së Kosovës. Çdo shqiptar ka dëshirë të këtë në gjirin e krahinës së tij legjendarët, që shkruan me gjak e penë historinë e kombit tonë, e Mirdita autoktone-ilire, ka fatin e madh të krenohet me tre legjendarët e Kombit me gjak e origjinë Mirdite, “Homerin Shqiptar” At Gjergj Fishta, pajtimtarin e trojeve shqiptare Anton Çetta dhe legjendarin e luftës së Kosovës Agim Ramadani.
Nga ajo ditë që baca Hysni Ramadani prindi i legjendarit, na konfirmoi origjinën e të parëve të tij nga Mirdita, historia e Mirditës, folklori mirditor, Mirdita dhe mirditorët nuk reshtën dhe nuk do reshtin kurrë, së promovuari birin e tyre, heroin tonë Agim Ramadani”.
Kurse bashkëshortja e legjendarit Agim Ramadani, znj. Shukrie Ramadani, mes emocionesh kujton: “Se kur Agimi u nis drejt Kosovës, për tu bërë krah me luftëtarët e tjerë, ai mori me vetë edhe një kasetë, ku ishte i regjistruar zëri i artistit Reshat Arbana, i cili interpretonte vargjet e Fishtës së Madh, ndaj ndjehem e nderuar sot, që jeni në mesin tonë, për të kujtuar ditëlindjen e Agim Ramadanit”.
Znj. Shukrie Ramadani kujton se Agimi para se të nisej për në luftën e Kosovës, u shpreh kështu:
“Vargjet e Fishtës janë zëri i atdheut, zëri që na ndihmon, zëri që na jep shpresë, deri në çlirimin e plotë të atdheut tonë”.
Bashkëshortja e legjendarit Agim Ramadani, gjatë fjalës së përshëndetjes, ishte e shoqëruar me nipin e saj të vogël, të cilit ia kishin trashëguar emrin e gjyshit të tij. Zonja Ramadani tha ndër të tjera se: “Këtu jam me Agimin e Vogël, i cili më jep jetë, më jep shpesë”.
Legjenda Agim Ramadani është një figurë komplekse, pasi te figura e tij gjen strategun, udhëheqësin e dashur për ushtarët, piktorin, poetin, bashkëshortin, vëllain dhe shokun.
Legjenda Agim Ramadani mund të konsiderohet si HEROI I KOHËRAVE MODERNE, ishte strategu dhe udhëheqësi, i cili iu përgjigj menjëherë thirrjes së atdheut, duke u përfshirë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht se në momentin e fillimit të luftës, nuk ndodhej në Kosovë, por jashtë saj.
Ai gjatë gjithë kohës luftonte vetëm për një qëllim: “LIRINË E KOSOVËS” dhe këtë e paraqet më së miri në vargjet e poezisë “Lira”, ku shkruante:
“M’u shtershin sytë nëse pushoj;
Lirinë tende me ëndërrue;
Mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”.
Kontributi i Legjendës Agim Ramadani ishte jo vetëm si luftëtar, por edhe si poet dhe piktor, pasione me të cilat u mor që në shkollë të mesme. Gjatë kohës që ishte gjallë, poezitë e tij, nuk arritën të shohin dritën e botimit, në një vëllim të vetëm poetik, por ato mbeten të shpërndara në dorëshkrime ose të botuara nëpër revista të ndryshme, ndërsa si piktor organizoi ekspozita kolektive dhe personale, në Kroaci.
Poezia dhe piktura tregonin se në shpirtin e Agim Ramadanit, kishte një minierë vlerash arti dhe humanizmi, vlera të cilat ishin zbuluar edhe më herët nga aktivitetet e organizuara në Gjilan, Prishtinë, Zagreb dhe Split.
Më vonë këto vlera të Legjendës Agim Ramadani, i zbuloi dhe i vlerësoi edhe UNESCO, por vlerësimin më të madh ia dha Akademia Europiane e Arteve, me seli në Bruksel. Punimet e tij zunë vendin e parë, por ai nuk arriti ta gëzonte këtë çmim, pasi iu dha pas vdekjes.
Për Agim Ramadanin asnjë çmim dhe asnjë titull, nuk do të ishte i rëndësishëm, për aq kohë sa Kosova ishte e pushtuar dhe për aq kohë, sa shqiptarët luftonin, për të arritur atë, që kishin vite që e kërkonin dhe që e ëndërronin: “PËR TË PARË KOSOVËN E LIRË”.
Organizimi i manifestimeve të tilla, për të kujtuar, nderuar dhe vlerësuar figurën e Agim Ramadanit, do të thotë që Shqipërisë dhe Kosovës, nuk i mungojnë njerëzit të cilët, duan ta mbajnë gjallë emrin e tij dhe mbi të gjitha, t’i përcjellin vlerat e tij atdhetare ndër breza.
















