Debati i sotëm për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ka lindur në vitin 2026. Një nga hallkat që ka ndikuar fort në këtë histori është një auditim tematik i KLSH-së në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Auditimi është iniciuar bazuar në shkresën nr. 5108, datë 13.10.2020, të KLGJ-së, protokolluar në KLSH me nr. 1029 prot., datë 14.10.2020, me tematikë: “Në lidhje me mënyrën e përllogaritjes së pagave, vjetërsisë në punë dhe pensioneve suplementare”. Pra, dokumenti zyrtar e paraqet formalisht si auditim të iniciuar nga një shkresë e KLGJ-së dhe të kryer nga audituesi J. Plaku (Përgjegjës grupi), sipas Autorizimit të Kryetarit të KLSH-së, z. Arben Shehu.
Sot, Gjykata Kushtetuese rithekson se vendimi nr. 15, datë 17.02.2026, është përfundimtar dhe i detyrueshëm, ndërsa KLGJ/KLP dhe Ministria e Financave ndodhen në debat për mënyrën konkrete të përllogaritjes dhe ekzekutimit të pagave. Gjykata vetë ka konstatuar se problematika historike ka ardhur edhe nga mënyra e formulimit dhe zbatimit të normës ligjore.
Por pikërisht këtu duhet rikthyer vëmendja te zanafilla.
Në auditimin e vitit 2021, KLSH nuk u kufizua në konstatimin se legjislacioni për pagën referuese të magjistratëve ishte i paqartë ose jo plotësisht i harmonizuar. Ai mori një pozicion konkret interpretues dhe rekomandoi që paga referuese bazë të llogaritej në 132,100 lekë, duke bashkuar 118,100 lekë të elementit të lidhur me pozicionin me 14,000 lekë të “pagës së grupit”. Raporti vetë evidenton se këto ishin elemente të ndryshme të strukturës së pagës.
Problemi është juridik, jo matematikor.
Ligji nr. 96/2016 e lidhte pagën referuese bazë të magjistratit me “pagën për funksion” të një pozicioni konkret në shërbimin civil.
Ndërsa struktura e pagave të administratës e trajtonte veçmas elementin që lidhej me pozicionin dhe elementet e tjera individuale të pagës, ku bën pjesë edhe “shtesa për diplomën”, KLSH i bashkoi ato, në kundërshtim me vetë strukturën dhe elementet përbërëse të pagës, duke prodhuar një pagë pozicioni për magjistratët në shumën 132,100 lekë.
(Paga për pozicion, në shumën 118,100 lekë + 14,000 lekë, shtesa për diplomën = 132,100 lekë).
Për rrjedhojë, KLSH nuk verifikoi thjesht një shumë, por riklasifikoi në mënyrë të gabuar elemente të pagës dhe ndërtoi vetë një bazë referuese me efekt financiar.
Pikërisht kjo është pyetja që sot, në një formë tjetër, është kthyer sërish në qendër të debatit: a mundet një institucion, përmes interpretimit të vet, të prodhojë një formulë page me efekt buxhetor, apo kjo kërkon bazë të qartë ligjore?
Kjo pyetje sot po diskutohet ndërmjet organeve të drejtësisë, Ministrisë së Financave dhe Kuvendit.
KLP, për shembull, ka miratuar në gusht 2026 një vendim specifik për pagën referuese bazë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Por, në vitin 2021, KLSH zgjodhi vetë një interpretim dhe shkoi edhe më tej: rekomandoi zbatim retroaktiv. Kjo ishte një zgjedhje me pasoja të mëdha.
Nga një auditim tematik u krijua një efekt zinxhir: pretendime financiare, procese gjyqësore, ndërhyrje legjislative, kërkesa për fonde shtesë, vendimmarrje kushtetuese dhe, sot, një konflikt i ri mbi mënyrën e ekzekutimit të pagave.
Ndërkohë, ekzistonte një rrugë shumë më neutrale dhe institucionalisht më e pastër: KLSH mund të evidentonte paqartësinë dhe të rekomandonte harmonizimin e legjislacionit, duke ia lënë zgjidhjen përfundimtare ligjvënësit dhe sistemit gjyqësor.
Ka edhe një aspekt që nuk mund të anashkalohet: konflikti i interesit.
Paga e Kryetarit të KLSH-së lidhet ligjërisht me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë. Për rrjedhojë, një rekomandim që rrit bazën e pagës së magjistratëve ndikon edhe në trajtimin financiar të vetë autoritetit që ka miratuar auditimin. Shtuar këtu edhe faktin që përfituese e drejtpërdrejtë nga ky ndryshim ishte edhe bashkëjetuesja e tij (gjyqtare), si person i lidhur me të. Kështu, interesi bëhet edhe më i dukshëm.
Ligji shqiptar për konfliktin e interesave dhe standardet INTOSAI kërkojnë jo vetëm paanshmëri faktike, por edhe shmangien e situatave që krijojnë perceptim të arsyeshëm për mungesë objektiviteti.
Në këtë rast, Kryetari i KLSH-së kishte disa mundësi: të mos e merrte fare çështjen në auditim tematik; të kufizohej te harmonizimi ligjor; ose, nëse do të jepte një rekomandim financiar konkret, të dokumentonte masa të posaçme për administrimin e konfliktit dhe rishikimin e pavarur të vendimmarrjes.
Kjo është arsyeja pse debati i sotëm nuk duhet parë vetëm si konflikt midis gjyqtarëve dhe qeverisë për një pagë më të lartë.
Duhet parë edhe si pasojë e një historie institucionale, ku një çështje juridikisht e debatueshme u transformua herët në një rekomandim auditimi të pabazuar dhe me efekt financiar të gjerë.
Pyetja që duhet bërë sot është e thjeshtë:
A ishte detyrë e KLSH-së të zgjidhte, me interpretim, një konflikt juridik mbi formulën e pagës, kur vetë institucioni kishte mundësi të qëndronte neutral dhe kur rezultati mund të prekte financiarisht drejtuesin që miratonte auditimin dhe personin e lidhur me të?
Kjo pyetje meriton përgjigje po aq sa debati për shumën që duhet të marrin sot gjyqtarët dhe prokurorët.











