Red VARAKU
Në provincën feudale Chu, një burrë i quajtur Ju Gong (zoti i Majmunëve), nxirrte çdo ditë majmunët të punonin, nën udhëheqjen e më të vjetrit. Sipas rregullit, çdo majmun i jepte një të dhjetën e ushqimit të mbledhur. Në të kundërt, dënimet ishin të rrepta. Majmunët vuanin, por nuk ankoheshin dot.
Derisa një ditë një majmun pyeti një tjetër, “plaku i ka mbjellë pemët e shkurret?”. “Jo, ato rriten vetiu”. “A mund t’i mbledhim frutat vetë, pa pasur nevojë për lejen e plakut?” “Sigurisht”. “Po atëherë, pse duhet t’i shërbejmë plakut?”. Pasi e kuptuan këtë të vërtetë , majmunët ikën e nuk u kthyen më te plaku, i cili vdiq nga uria.
Filozofi Yu-Li-Zi, ai që e shkrojti historinë, vëren se ka shumë burra që sundojnë mbi popullin e vet me truke e jo me principe, njësoj si Zoti i Majmunëve. Madje, as vetë nuk e kuptojnë derisa populli ndriçohet dhe truket nuk funksionojnë më.










