Eva Vatoci
Çdo herë që një burrë vret gruan, ne tronditemi për disa ditë, kërkojmë fajtorin e vetëm dhe më pas vazhdojmë jetën sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Por një vrasje nuk fillon në momentin kur shkrepet arma apo kur ngrihet dora. Ajo fillon shumë më herët: me një shuplakë të toleruar, me një kërcënim të shpërfillur, me një telefonatë të injoruar dhe me një shtet që shpesh zgjohet vetëm pasi viktima nuk jeton më.
Autori i kësaj ngjarjeje paska deklaruar: “Çfarë ka? Gruan time vrava.”
Jo. Ajo nuk ishte prona jote. Nuk ishte sendi yt. Nuk ishte objekti yt. Ajo ishte një grua. Një njeri. Një bashkëshorte, një nënë, një bijë, një mike e jetës që kishte të drejtën të jetonte e lirë dhe e sigurt.
Askush nuk të ka dhënë të drejtën t’i marrësh jetën. Atë të drejtë nuk e ka asnjë qenie njerëzore. Jeta është e shenjtë dhe askush nuk mund ta trajtojë një grua si pronë mbi të cilën vendos sipas dëshirës.
Dhe mos e quaj burrëri atë që bëre. Burrëria nuk matet me forcën ndaj një gruaje. Burrëria matet me aftësinë për të kontrolluar veten, për të mbrojtur, për të respektuar dhe për të mos ngritur kurrë dorën mbi më të pambrojturin.
Fatkeqësisht, Shqipëria njeh ende shumë burra që ndihen të fortë vetëm përballë grave që për vite me radhë janë detyruar të jetojnë me frikë, me dhunë dhe në heshtje. Trimëria nuk provohet mbi një grua. Ajo që provohet aty është vetëm dështimi si njeri.
Por përgjegjësia nuk mbaron te autori.
Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: ku ishte shteti para se të ndodhte tragjedia?
Kam jetuar vetë një situatë që më bëri të humb besimin tek mënyra si trajtohen disa raste të dhunës në familje.
Kam dëgjuar një burrë duke dhunuar gruan dhe fëmijën në lagjen time. Kam telefonuar sallën operative të komisariatit përkatës. Policia mbërriti pas më shumë se një ore. Nuk hyri të verifikonte gjendjen e gruas dhe të fëmijës. Nuk u sigurua nëse ishin të mbrojtur. Në oborr i dha disa këshilla autorit të dyshuar dhe u largua, pa takuar fare personat që dyshohej se ishin viktima.
Herën e fundit dhuna ushtrohej me mjete të forta. Ndërhyra vetë për të ndaluar dhunen, dhe u kërcënova nga agresori. Për ta detyruar policinë të kryente detyrën, m’u desh të përdor njohje personale. Kjo nuk duhet të ndodhë në një shtet ligjor.
Dhe këtu lind një tjetër pyetje që kërkon përgjigje.
Ku është specialisti i policise në zonë?
A nuk është detyra e tij të njohë komunitetin ku shërben? Të evidentojë konfliktet?
Të referojë rastet e dhunës në familje?
Të bashkëpunojë me institucionet për të parandaluar përshkallëzimin e tyre?
Nëse një rast dhune përsëritet, nëse fqinjët e dinë, nëse telefonatat në polici ekzistojnë, nëse sinjalet kanë qenë të shumta, atëherë nuk mund të pretendojmë se askush nuk dinte asgjë.
Prandaj përgjegjësia penale duhet të analizohet në të gjithë zinxhirin institucional. Kur ka dyshime për mosveprim, neglizhencë apo moszbatim të detyrimeve ligjore, duhet të verifikohet përgjegjësia e çdo hallke që kishte detyrimin të vepronte për të parandaluar tragjedinë.
Sepse një grua nuk vritet vetëm nga dora e autorit. Ajo humbet jetën edhe pas një serie alarmesh që nuk u morën seriozisht.
Një shtet nuk matet nga konferencat për shtyp pas tragjedisë. Matet nga aftësia për ta parandaluar atë.
Dhe deri sa të kuptojmë se dhuna në familje nuk është “çështje private”, por një alarm publik që kërkon reagim të menjëhershëm, do të vazhdojmë të numërojmë viktima, ndërsa institucionet do të vazhdojnë të justifikojnë atë që nuk arritën të parandalojnë.
Eva Vatoci







