Protesta që në ditët e para pushtoi rrjetet sociale me pankarta kreative, meme virale dhe mesazhe sarkastike të Gjeneratës Z, po përballet së fundmi me një rënie të ndjeshme të shikueshmërisë në platformat digjitale.
Sipas ekspertes së IT-së, Nadia Elbasani e ftuar në studion e “Ora News” , kjo mund të mos jetë thjesht një çështje algoritmi, por rezultat i një “beteje” të organizuar online, ku profile dhe përmbajtje të shumta të lidhura me interesa politike po ndikojnë në shpërndarjen e informacionit.
“Gjenerata Z kishte gjithë kreativitetin e saj në këtë lloj proteste, me pankartat dhe memet, të cilat krijuan shumë sensacion. Sarkazma është një nga elementët që tërheq më shumë vëmendjen dhe kjo bëri që gjithçka të bëhej virale”, u shpreh ajo.
Megjithatë, sipas Elbasanit, në ditët e fundit shumë përdorues dhe influencues kanë raportuar se postimet që lidhen me protestën nuk po marrin më të njëjtën vëmendje si në fillim.
Ajo shpjegon se një nga arsyet mund të jetë aktiviteti i shtuar i asaj që e cilëson si “ushtri digjitale” e forcave politike.
“Mos harroni që kjo protestë shënjestron të gjithë klasën politike. Dhe kur një grup i madh njerëzish merr kaq shumë vëmendje në rrjetet sociale, nga krahu tjetër ka simpatizantë të secilës palë që mund të krijojnë profile të tjera me qëllim prodhimin masiv të përmbajtjes”, tha ekspertja.
Sipas saj, kjo strategji mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si funksionojnë algoritmet e platformave.
“Kur krijohet një masivitet i madh postimesh, algoritmi nuk arrin më të kuptojë se cilën përmbajtje duhet të favorizojë. Si pasojë, videot autentike të protestës nuk marrin të njëjtën shikueshmëri si në ditët e para”, theksoi Elbasani.
Ekspertja shtoi se nuk ka prova konkrete për të pohuar se bëhet fjalë për censurë të drejtpërdrejtë, por sugjeroi që fenomeni të hetohet përmes analizave më të thelluara dhe bashkëpunimit me platformat.
Një tjetër pikë që ajo ngriti lidhet me marrëveshjen e arritur mes shtetit shqiptar dhe TikTok-ut pas rikthimit të aplikacionit në vend.
“Marrëveshja apo negociata që u bë me TikTok-un nuk është bërë ende publike. Pikërisht aty mund të shihet nëse ekzistojnë terma që lidhen me filtrat e komunikimit apo me mënyrën e funksionimit të algoritmit”, deklaroi ajo.
Në fund, Elbasani këshilloi protestuesit të mos mbështeten vetëm te algoritmet, por të vazhdojnë të prodhojnë përmbajtje origjinale dhe kreative.
“Do të këshilloja që të rritet edhe më shumë kreativiteti. Kjo është mënyra më e mirë për të mbajtur gjallë vëmendjen e publikut dhe për të mos lejuar që mesazhi të humbasë në zhurmën e rrjeteve sociale”, përfundoi ajo.











