Reforma territoriale dhe ajo zgjedhore rikthehen në qendër të debatit politik, ndërsa kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami, ngre shqetësimin për mënyrën se si pritet të trajtohen këto procese.
Në një reagim të fundit, Axhami kërkon që reforma të tilla të rëndësishme për funksionimin e demokracisë shqiptare të mos trajtohen si çështje të njëanshme politike apo si instrumente për interesa elektorale.
Kreu i PLL-së e vendos theksin te dialogu politik, gjithëpërfshirja, dëgjesat publike dhe interesi qytetar, duke argumentuar se ndryshimet që prekin drejtpërdrejt përfaqësimin politik dhe organizimin territorial të vendit duhet të ndërtohen përmes një procesi të hapur dhe të dakordësuar.
Qëndrimi i Axhamit vjen në një moment kur reforma administrativo-territoriale është rikthyer në axhendën politike. Edhe më herët, kreu i PLL-së ka argumentuar se reforma duhet të jetë në funksion të qytetarëve dhe jo të kalkulimeve elektorale, duke kërkuar një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.
Për Axhamin, debati për reformat nuk është thjesht një përplasje mes forcave politike. Ai e sheh atë si një çështje që lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e demokracisë, pluralizmin, përfaqësimin politik dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Në këtë kuadër, ai u bën thirrje qytetarëve që të mos e shohin çështjen vetëm përmes përkatësisë partiake, por të kërkojnë të drejtat e tyre për një sistem përfaqësimi dhe qeverisjeje që, sipas tij, duhet të jetë në shërbim të interesit publik.
Axhami kërkon gjithashtu një rol më aktiv të institucioneve dhe partnerëve europianë në çështje që lidhen me standardet demokratike, duke argumentuar se proceset reformuese nuk duhet të mbeten vetëm në nivel rekomandimesh.
Me këtë qëndrim, Shpëtim Axhami vijon ta vendosë PLL-në në debatin për parimet e pluralizmit, shtetin ligjor dhe mënyrën se si duhet të ndërtohen reformat që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Vetë programi i PLL-së e lidh veprimtarinë politike të partisë me shtetin ligjor, të drejtat dhe liritë themelore, përfshirë të drejtën e organizimit politik dhe të zgjedhjes e të të zgjedhurit.
POSTIMI I PLOTË I SHPËTIM AXHAMIT:
NË PRAG TË REFORMAVE TË RËNDËSISHME!
Është e turpshme dhe e pafalshme që, pas 36 vitesh demokracie pluraliste, reforma kaq të rëndësishme për demokracinë shqiptare dhe interesin qytetar, si reforma territoriale dhe ajo zgjedhore, ende tentohen të bëhen në mënyrë të njëanshme dhe për interesa elektorale politike, përmes imponimit të kartonave të vjedhur.
Kjo tregon se kësaj mazhorance qeverisëse, si gjithmonë, i intereson më shumë pushteti sesa shteti, se parësore për të është ruajtja e kontrollit të saj qeverisës dhe elektoral, ndërsa interesi qytetar, pluralizmi dhe demokracia vendosen në plan të dytë edhe pse shkelet kushtetutshmëria shqiptare.
Për të patur një shtet me standarde dhe institucione të forta, reforma të tilla të rëndësishme duhet të jenë ligjore, të dakordësuara, gjithëpërfshirëse, me dëgjesë publike dhe në shërbim të interesit qytetar, të demokracisë dhe të së ardhmes së vendit dhe jo të kthehen në një instrument për garantimin e pushtetit të radhës.
Përballë kësaj që po kërkohet të gatuhet përsëri, si gjithmonë dhe shpeshherë edhe me dakordësi dypalëshe, qytetarët duhet të ngrihen mbi bindjet e tyre politike, mbi përkatësinë partiake dhe mbi pyetjen se kush qeveris sot dhe kush do të qeverisë nesër. Ata duhet të ngrenë zërin e tyre protestues për mënyrën se si e duan demokracinë, pluralizmin dhe përfaqësimin politik në Shqipëri. Vetëm këmbëngulja e tyre mund t’i imponohet një lloji të tillë mazhorance.
Ndërkohë, institucione partnere demokratike europiane, përkatëse për çështje reformash të tilla, nuk mund të rrinë në heshtje përballë kësaj situate. Ato nuk duhet të mjaftohen vetëm me rekomandime apo opinione paszgjedhore; ndërhyrja e tyre duhet t’i kalojë nivelet e sugjerimit kur demokracia dhe pluralizmi rrezikohen!










