Fitim UKA
Krizat e ndryshme sociale e politike, prodhojnë fenomene absurde… Kjo e fundit, e zgjedhjeve të parakohshme, më ka njoftuar me fenomenin e personaliteteve shumëngjyrëshe. Edhe pse studioj psikologji, nuk më ka rastisur të lexoj për njerëz që ndryshojnë ngjyrat e personalitetit brenda natës, anipse e kisha me dyshim ndryshimin e tipareve personalitetit nëpër vite.
Nuk e kam besuar asnjëherë, që njerëzit kanë ngjyra të ndryshme personaliteti, që shkëlqejnë në varësi të kohës. Nëse moti është me shi, ka një lloj personaliteti, e nëse merr koha me diell, një tjetër edhe “më të mirë”… Andaj, jam pak i befasuar, me numrin e simpatizantëve të Vetëvendosjes, të atyre që paskan përkrahur, mbështetur e ndihmuar Lëvizjen, që nuk i pashë e as njoha në kohë fushate, e aq më pak para saj. Disa i tradhëton Facebooku (që ruan statuset, fotografitë e mesazhet) e disa të tjerë memoria e tyre afatshkurtër dhe “lapsus lingua”, teksa flasin me admirim për ish-subjektet e tyre.
Të vetëshpallurit kontribues të këtij ndryshimi, mund ta kenë ofruar mbështetjen në ëndrrat e tyre, sepse e pavetëdijshmja shpesh pasqyron dëshirat e shtypura, por dhe për faktin që të gjithë e kanë dashur LVV në Qeveri, ama më pak kanë guxuar dhe kontribuar… por, nejse. E rëndësishme është, që erdhi dita dhe tani të gjithë jeni “kontribues”. Por, mos harroni, që sfida e vërtetë, është modeli që duhet ofruar tash e tutje. Fitorja është veq një kapitull.
Tjetri fillon shpejt, e do të doja të shihja kontributin tuaj. Aman, mos na befasoni edhe me një ngjyrë tjetër. Kursemani edhe një tjetër status që ju nxjerr ‘bojën’ e vërtetë personalitetit tuaj.










