Elona CASLLI
Duke shprehur paraprakisht mirënjohjen e pakufishme për punën tuaj edhe në këto ditë të nxehta gushti, rinënvizoj faktin se ju nevojitet një risihqyrtim serioz i njohurive të gjymtuara që keni në gjuhën shqipe.
Duke qenë më se e ndërgjegjshme se koha juaj është e pakët dhe nuk ju lejon të merreni me asgjë tjetër veçse me “rigjallërimin” e këtij qyteti , shpreh vullnetin tim për të dhënë kontributin tim modest për këtë çështje.
Procesi i nxënies nga ana juaj do të ishte më i frytshëm nëse fjalët e mëposhtme do t’i shënonit me shkrim dore në një bllok. Jam e bindur se duke e shënuar me shkrim dore në një bllok fjalën dhe kuptimin e saj, nuk do të gaboni më.
Fillojmë:
1.Ambjentet- Gabim ( jo me “ j” , por me “i”) AMBIENT-I m.sh.- E- ET. Dhomë a pjesë e një ndërtese ose hapësira rreth saj që shërben për një punë a veprimtari. Shembull – Ambiente mësimore; ambiente shkollore
2.Karriket – Gabim ( jo me “k” por me “g”) KARRIGE- IA- f.sh.- E- ET- Ndenjëse për një njeri me katër këmbë, me shpinëz dhe pa mbështetëse për krahët Shembull- Karrige elektrike
3.Taracën -Gabim ( jo me “r” por me ‘’rr’) TARRACË -A- f.sh-A-AT- Çati e sheshtë e një ndërtese, e bërë prej betoni dhe zakonisht e rrethuar me mur të ulët. Shembull – Tarracat e pallateve
Post Scriptum- Uroj të kem qenë e dobishme!
Sinqerisht Elona Caslli