Edi Rama ka një problem të madh në kampin e tij mazhoritar. Grupi anti Rama ose më saktë grupi që don një PS ndryshe, administrim pushtetit në mënyrë të ligjshme dhe korrekte e bashkëpunues, po vjen e rritet në gjirin e Rilindjes në pushtet. Majko, Xhafa, Kodheli, Bushati, etj janë emra me CV krejtësisht socialist dhe me gen 24 karatsh të majtë. Natyrisht që duan PS-në në pushtet, sepse është parti e tyre tradicionale, por nuk pranojnë metoda rilindase të manifestuara vitet e fundit. Ndërkohë kryeministri Edi Rama deklaron se qeverisja e tij është solide dhe ndërkombëtarëve u shpjegon se e ka situatën nën kontroll me “opozitën” e re në Kuvend.
Por teksa pretendon se po qeverisë normalisht në një situatë krejtësisht anormale politike, nuk mendojnë kështu një pjesë e mirë e bashkëpunëtorëve të tij në Partinë Socialiste. Në 6 vjet qeverisje me dorë të fortë, në bashkëpunim solid vetëm me oligarkët dhe duke goditur çdo zë kundër, Edi Rama ka krijuar pakënaqësi te një pjesë e madhe e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Bëhet fjalë për figura politike me peshë në PS, drejtues të forumeve dhe ish-ministra që kanë zgjedhur të heshtin publikisht, për momentin, për të mos dëmtuar qeverisjen, por nga ana tjetër kërkojnë brenda selisë rozë që të ketë reflektim nga ana e kryeministrit. Djallëzisht kryeministri Rama, “opozitën” e re që e ka mbushur me një pjesë të paaftësh apo dallkaukësh, po e përdor si shenjë të hapur presioni ndaj të tijve në PS. U thotë se nëse ka ndonjë tentativë për ta rrëzuar nga brenda PS, ai ka gati deputetët e “opozitës”, të cilët votojnë ligjet apo çdo vendim të PS. Kaq opozitarë janë këta deputetë të “pazarit të Milotit”, aqsa ngrenë vetëm kartonin jeshil!
Të parët që janë të pakënaqur me mënyrën sesi po shkon mandati i dytë i socialistëve dhe kostot që po merr PS nga ana kriza e prodhuara nga Edi Rama janë ish-ministrat me dinjitet. Mimi Kodheli, Ditmir Bushati, Fatmir Xhafaj dhe Niko Peleshi janë ish-ministrat, që në forma të ndryshme nuk janë dakord me mënyrën se si drejton qeverisjen dhe kërkojnë që kryeministri të mbajë premtimet ndaj elektoratit si dhe të mos e çojë vendin në konflikt. Listës mund t’i shtohet edhe emri i Saimir Tahirit, por me akuzat e rënda ndaj tij, raportet që ka Edi Ramën nuk mund të quhen më politike. Marrëdhënia e Tahirit me Edi Ramën më shumë i ngjan një situatë pengmarrje, ku nuk dihet se cili prej tyre është realisht pengu. Edhe Mimi Kodheli, një prej ish-ministreve me karizëm dhe dinjitoze në politikë, ka shprehur rezerva se si po qeverisë Edi Rama. Me një gjuhë elokuente ajo ka thënë në media se duhet të gjendet një zgjidhje për ta nxjerrë vendin nga kriza e fortë politike, ndërkohë që kryeministri nuk don as ta dëgjojë fjalën “krizë”. Indirekt Kodheli ka folur se duhet një zgjidhje në bashkëpunim me opozitën. Por opozita don kokën e Ramës dhe nuk pranon asnjë palë zgjedhje, si zgjidhje, me atë kryeministër. Nënkuptimi fin i ish-ministrave është se duhet që Rama dhe PS ti ofrojnë opozitës mundësinë e bashkëpunimit, që do të thotë se duhet një kryeministër tjetër nga PS që vendi të mos shkojë në konflikt civil.
Fatmir Xhafa dhe Ditmir Bushati njihen publikisht se janë ish-ministra me përkrahje të fortë europiane dhe amerikane, sepse në detyrën e tyre ishin profesionistë dhe korrekt me ligjin. Bushati kishte, dhe ka, një përkrahje të fortë gjermane, por edhe manifestoi një qëndrim stoik në raport me problemin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Ditmir Bushati ndaj u shkarkua nga kryeministri, sepse ishte kundër pazarit Thaçi-Vuçiç. Ndërsa Fatmir Xhafaj pranohet nën zë edhe nga PD (ndonëse selia blu e sulmoi) se u largua prej kryeministrit në momentin kur po bënte gati arrestimet e mëdha të dosjes nr.339, ku përfshihen kryebashkiakë, deputetë, ish-ministra dhe zyrtarë të lartë. Ish-ministri Xhafa ishte në kulmin e punës së tij antikrim dhe kundër mafies, kur kryeministri e spostoi. Gjithsesi Xhafën deri diku e zëvëndësoi me një gjeneral mirdite, kurse më keq veproi me Ditmir Bushatin, të cilit i vuri në karriken e tij një kapter të Baton Haxhiut, lobistit pro Thaçit dhe Vuçiç. Edhe ministri Pandeli Majko mbetet totalisht kundër kryeministrit. Bile mendohet se ai do të jetë kryeministri konsensual pozitë-opozitë në rast se kriza politike turret drejt konfliktit civil.
Opozita e ka thënë se nuk do të lejojë zgjedhje me 30 qershor me Edi Ramën si kryeministër, bile skenarët janë se do të djegë me turma popullore të gjitha kutitë e votimit në mbarë vendin.
Nga ana tjetër Kryeministri i zhytur në paranojën e tij, të gjithëpranuar, se mundet Ditmir Bushati apo Fatmir Xhafa të jenë kryeministër të PS-së, ka lëshuar një urdi me sulme mediatike dhe televizione të paguara për t’i bërë pis me akuza. Dhe jo vetëm ndaj të dyve. Dy javë më parë, Baton Haxhiu, që njihet si këshilltar i afërt i Edi Ramës deklaroi publikisht se dy ish-ministra, Ditmir Bushati dhe Niko Peleshi punojnë kundër Qeverisë. Një qëndrim i tillë duke bërë klasifikime me “miq” dhe “kundërshtar” vetëm sa rikthen luftën e harruar të klaneve brenda partisë, ndërkohë që Ditmir Bushati punon në Shkodër dhe Fatmir Xhafaj përditë në Vlorë që PS-ja të fitojë zgjedhjet, kurdo të jenë ato, qoftë vendore apo edhe përlamentare..
Pas kësaj deklarate, që duket se ishte një sinjal për mbështetësit e Ramës në PS, ndaj Ditmir Bushatit nisi fushata dhe linçimi mediatik. Me të njëjtin stil po veprohet edhe ndaj ish-zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, duke i cilësuar si njerëzit ndaj të cilëve Rilindja duhet t’i godasë sepse nuk bien dakord me shefin e madh. Ndërsa Fatmir Xhafajt i ka lëshuar një lukuni qensh me gjoja “fakte të reja” të një dosje të vjetër. E gjitha kjo vjen e inicuar direkt nga kryeministri. Burime brenda stafëve të televizionëve që sulmojnë thonë, nën zë, se sulmi vjen nga lart ndaj ish-ministrave me dinjitet dhe që nuk janë servilë të kryeministrit. Qëndrimet e ish-ministrave, nga njerëzit afër Ramës, cilësohen si shpallje lufte edhe kur në fakt janë deklarata si ato të ministrit Bushati i cili kërkoi “për më shumë kujdes në menaxhimin e krizës politike”. Në një situatë tjetër, zërat e moderuar dhe përvoja e ish-ministrave do të ishte një aset për Partinë Socialiste. Por sot Edi Rama duket i vendosur që cilido deputet i cili ka mendim ndryshe në PS, ta fusë menjëherë në radhën e kundërshtarëve. Frika ndaj zërave kundër në PS është aq e madhe sa edhe në kongresin e fundit, për të mos pasur asnjë surprizë u ndaluan fjalimet dhe u lanë të flisnin vetëm ata që dihej se nuk do dilnin kundër vijës së partisë.
Edhe Lindita Nikolla, një katolike e pa akuzuar për korrupsion si administratore pushteti, nuk flet hapur, porse zien nga fakti se si e drejtoi kryeministri reformën në arsimin e lartë dhe si ia faturoi dështimin, duke e zëvëndësuar me një “vogelushe”, së cilës i duhen 10 vite të kuptojë Shqipërinë.
Në të vertetë PS-ja nuk e ka komoditetin që të spostojë figura të tilla emblematike socialiste, të cilat ia rregullojnë imazhin Rilindjes që ka pushtuar selinë rozë. Por kryeministri ka frikë nga cilido që ka mendim ndryshe dhe ndjehet me mirë mes rilindasve që e miklojnë si “Skenderbeu” shqiptar në kohët moderne.
Gjithsesi antiRamët po grupohen nga pak e përditë për të shpëtuar PS dhe qeverisjen.
Alban Mati











