Nga Edlira Devolli-LEKA
Sali Berisha dhe Ilir Metaj premtuan “revolucion”. Retorika e dalëboje për muaj me radhë, ngjizi mashtrimin e radhës. Në mitingun e djeshëm, siç thotë populli, “u mbars mali e polli një mi”. Nuk shkuan as deri te brezi mitingjeve të PD kur Basha ishte lideri që printe.
Shihni pamjet televizive marrë me dron, shihni dhe pamjet e postuara në portale apo rrjete sociale që krahasojnë mitingun e djeshëm me mitingjet e PD të para dy viteve. Militantët edhe mund t`i “hanë” parrullat alla komuniste të dyshes Berisha Metaj, por qytetarët, me thesin e halleve mbi shpatulla, janë të vetëdijshëm se revolucioni me mitingun janë larg si mali me hënën.
Arsyet për të cilat kanë nevojë qytetarët për të protestuar nuk përkojnë me problemet e lidërve me halle. Qytetarët duan të protestojnë se mjekësia në vendin tonë është një “katastrofë e vërtetë”, arsimi si mos më keq, çmimet e larta e rrogat e ulëta sa qytetarët duhet ta bëjnë llogarinë 10 herë dhe ishallah po arrijnë ta nxjerrin muajin pa borxhe.
Të rinj që ikin në emigrim e të moshuar në vetmi. Të moshuar që gjenden dy a tre ditë pasi kanë humbur jetën të asfiksuar nga gazi sepse tre fëmijët e rritur me shumë sakrifica janë në kurbet e nuk munden t’ia kthejnë dot kujdesin prindërve në moshë të thyer.
Ndërsa Berisha dhe Metaj e kanë shtyj të shtyjmë. Nuk duan më pushtet.
Për fat të keq ka ende që besojnë përrallën e tyre me “gogolin Edi Rama”. Kush është vetëm paksa i kthjellët politikisht e di që atyre Rama u duhet aty ku është, u duhet si restaurator, u duhet te poçeria. Dyshja ja di hallet Ramës dhe Rama i di hallet e dyshes.
Konferencat e tyre të shtypit, deklaratat, mitingjet dhe parrullat revolucionare janë “vajtimoret” e halleve të ndërsjellta. Dyshja kërcënon me revolucion, i gjati arrnon poçet e thyera, ngjit mballoma.
Metafora me poçerinë është gjetja artistike e piktorit të dështuar, është tallja e radhës.
Poçari Edi Rama restauron ” krisjet” në dyshen e krisur, të tre sëbashku e mbajnë në këmbë “poçerinë e përbashkët”, Shqipërinë e kthyer në “poçeri të trekëndëshit”.











