Janë 500.000 shqiptarë të cilët abstenojnë. Nuk shkojnë në kutitë e votimit. Nëse doni të merreni me politikë, drejtohuni këtij 500.000-jëshi i cili i bashkuar me 30% të “elektoratit PD”, mund të bëhen 700.000 njerëz, teorikisht, gjithmonë teorikisht. Veç dua të them se ka treg, ka hapsirë, ka terren. Përndryshe ikni në shtëpi merruni me punët tuaja.
Nëse do tentoni të bindni një kontigjent prej 50.000 vetësh që të braktisin Sali Berishën, harrojeni, bëni gabimin më të madh. Gabim fatal. Sdo i bindni kurrë.
Ata janë konsumatorët personalë të Sali Berishës. Ata konsumojnë dhe ushqehen me gjuhën e tij, sharjet e tij, urrejtjen e tij, konsiderojnë armiq armiqt e tij dhe miq, miqtë e tij.
Shiheni me vëmendje; çfarë e shtyn një “demokrat” të shajë psh Alibeajn dhe të lavdërojë Ilir Metën? Ska logjikë. E bën sepse është konsumator i Sali Berishës. Cilin shpall ai armik, shpall edhe ky. Cilin shpall ai mik, shpall edhe ky.
A e keni parë si iu shajnë, si iu fyejnë, si duan tiu denigrojnë? Po pse? A i keni vrarë? A i keni vjedhur? A jeni përgjegjës për shkatërrimin e këtij vendi? A keni sunduar ju 30 vite? Jo. Nuk është kjo.
Iu shajnë sepse skeni pranuar Sali Berishën, skeni pranuar t’i nënshtroheni udhullit të tyre.
Për besimtarin banal, kjo është herezi e madhe, quhet mëkat kapital të mos i nënshtrohesh idhullit të tij. Të linçon, të fyen, pranon dhe përkrah edhe dhunën kundër teje. Dhe a e i keni parë se si i madhërojnë dhe i lavdërojnë të korruptuarit, gjobëvënësit, dallkaukët, ata që e kanë degjeneruar ekonominë, jetën institucionale, besimin e njerëzve tek shteti e tek politika? I keni parë.
E dini pse e bëjnë? Sepse për idhujtarin je i falur edhe po ishe horr, edhe po ishe i superkorruptuar, edhe po ishe gjobëvënës e keqbërës, edhe nëse deri dje je kontributor në humbjen, si duke blerë vota për kundërshtarin, si duke u bërë pjesë e skemave me parti të reja posaçërisht për të shkaktuar humbje. Po iu nënshtrove idhullit të tij, mëkatet falen.
Ky është sekti leninist i instaluar thellë në një parti e cila ironikisht quhet demokratike dhe, po ironikisht është themeluar për të luftuar komunizmin leninist, për të sjellë mentalitet dhe praktika demokratike. Një sekt me mjeshtër të madh udhëzues i cili i frymëzon, sekt i cili nuk pranon mendim, nuk pranon personalitet, nuk pranon qëndrim por, kërkon vetëm nënshtrim ndaj udhëheqësit. Nuk e di a nuk doni ta shihni e ta kuptoni apo vërtet nuk arrini ta kuptoni!
Politika e shekullit XXI është konkurim. Nuk ka asnjë kuptim e gjithë replika dhe polemika apo tentativa për argument, me një sekt i cili nuk pranon argument, madje ska pse të pranojë argument sepse është kompakt, ka udhëheqjen e pasur financiarisht, ka elitë qëndrore të pasur për shkak të pushtetit, ka elita lokale të pasura për shkak të pushtetit, ka grupet e strukturuara dhe ka kapacitet për dhunë politike. Pse duhet të argumentojë sekti, me ju?
Në politikë sot flitet me fuqi elektorale. Po deshët politikë reale, organizohuni, punoni, djersituni, stresohuni, ndihuni fillimisht të refuzuar, konkuroni për votën e 500.000 shqiptarëve të cilët nuk votojnë. Shpallni platformën tuaj, subjektin tuaj. Nuk njeh rrugë tjetër politika e shekullit XXI. Vetëm në ketë mënyrë krijohet fuqia politike. Në çdo mënyrë tjetër do mbeteni analistë që do shaheni pse nuk pranoni nënshtrimin ndaj udhullit.
Nëse doni të mbeteni në politikë, o flisni me konkurim, pra të flasin në emrin tuaj votat që do merrni, o heshtni dhe merruni me punë të tjera.











