Ndryshime të reja në qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Deputetja e PS Evis Kushi, do të zërë vendin e Besa Shahinit për postin e Ministres së Arsimit, pikërisht në ditën kur edhe filloi viti i ri shkollor.
Lajmin e ka konfirmuar vetë kryeminstri, përmes një komunikimi live në Facebook.
Rama shprehu keqardhje për largimin e Shahini, teksa tha se ishte i nderuar që e kishte patur si bashkëpunëtore.
Edi Rama: ”Të falenderoj për kontrubutin e madh që kë dhënë. Më vjen keq që është një moment ndarje, jam krenar por dhe i nderuar që ke qenë bashkëpunëtorja ime. Të vlerësoj shumë për integritetin. Vlerësoj shumë gjithçka që ke bërë.”
Shahini deklaroi se ishe e nderuar që kishte kontribuar për arsimin në Shqipëri.
Besa Shahini: ”Kam patur fatin dhe nderin që të kontribuoj për arsimin në Shqipëri. Kam takuar mijëra nxënës e mësues. Kam dëgjuar nga ata se si mund ta bëjnë arsimin më cilësor. Tani e dua Shqipërinë edhe më shumë.”
Nga ana tjetër, deputetja Kushi tha se ishte privilegj dhe një përgjegjësi marrja e kësaj detyre.
Evis Kushi:”Privilegj dhe përgjegjësi për postin. Unë jam nga Elbasani dhe është qyteti ku lindi arsimi. Ne kemi shumë gjëra që të krenohemi. Për mua është përgjegjësi e madhe që të drejtoj këtë ministri.”
Në fund, Rama e përcolli Shahinin dhe e mirëpriti Kushin me një kafe turke.
Pak ditë më parë, Shahini deklaroi se do të largohej nga detyra në fund të mandatit për arsye familjare, por mesa duket preferoi që ta përshpejtonte këtë vendim.