Mbrëmë është ndarë nga jeta Avdi Rexha, misionari i pajtimit dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare shqiptare, qëndrestar i paepur për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, simboli i paqes dhe i solidaritetit njerëzor, shkruan KultPlus.
Avdi Rexha ishte nga Bujani i Tropojës. Mosha e kishte detyruar mos të lëvizë shumë, e megjithatë ai e vijoi misionin e tij të nisur 25 vite më parë: t’i pajtojë gjaqet në një zonë ku fenomeni ka futur në hasmëri pothuajse çdo familje.
“Jam aktivizuar me misionin mbarëkombëtar të pajtimeve qysh në 1993. E kemi larguar njërën palë, i kemi distancuar që të mos takohen përditë, mos ta shohin në sy njëri-tjetrin, se fillojnë ngacmimet. I ka favorizuar ky largim, kanë kërkuar të largohen nga kjo fatkeqësi, i kemi udhëzuar duke u bërë edhe letrat”, tregonte Rexha për KultPlus.
Mosha për Avdiun nuk ka qenë kurrë pengesë. “Ndihma është shumë e vogël apo për të thënë fare nga pushteti. Shteti të ndihmon, ne na jep mundësinë, na udhëzon, na ndihmon me naftë, por nuk ka ndërhyrë shteti në këtë drejtim. Ka qenë Kanuni më i fortë se ligji, por sot është ligji”.
Varrimi bëhet ditën e premte, më 27 Dhjetor 2019, ora 12.00, në vendlindjen e tij, në Bujan të Krasniqes së Malësisë së Gjakovës, Tropojë

