Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi procedurat për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe shpalli të hapur garën për drejtuesin e kësaj njësie.
Me anë të një njoftimi zyrtar, KLP thotë se menjëherë pas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme, do të bëhet edhe përzgjedhja e drejtuesit të BKH-së dhe për këtë do kryhet një proces rigoroz dhe me kritere të forta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e konsideroi Byronë të ngjashme me FBI-në, ndërsa ashtu siç parashikohet në ligj, do të ketë trajnim të veçantë për të 60 hetuesit që do jenë në përbërje të saj.
“Pas emërimit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, do të fillojë procesi për përzgjedhjen e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ata që janë të interesuar për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të BKH-së, duhet t’i referohen ligjit ‘Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar’ (Ligji për SPAK-un)”, njoftoi KLP.
PËRZGJEDHJA
Duke iu referuar komunikatës zyrtare të Këshillit, mësohet se kandidatët për drejtues të BKH-së, do të plotësojnë një formular aplikimi online dhe Deklaratën e Kontrollit të Pasurisë dhe të Kontrollit të Figurës. “Vetëm ata aplikantë që plotësojnë këta formularë dhe plotësojnë kriteret bazë, do të ftohen për të marrë pjesë në hapat e tjerë të përzgjedhjes”, shkruhet në njoftim. Kështu, kandidatët do t’i nënshtrohen një provimi me shkrim ku përfshihen teste konjitive të sjelljes dhe të arsyetimit logjik. Një provimi me shkrim, që mat aftësitë në hartimin e raporteve. Do të kryhet hetim mbi verifikimin e figurës, i cili konfirmon që personi nuk është dënuar e nuk është shpallur më parë fajtor për vepra penale. Do të kryhet një intervistim dhe përzgjedhje nga paneli i SPAK-ut. Si dhe faza e fundit, ku do të kryhet një testim i gjendjes fizike e shëndetësore.
KRITERET
Kandidati për Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të jetë personi që ka vetëm shtetësi shqiptare, që gëzon cilësi të larta profesionale dhe morale. Sipas ligjit, ai duhet të plotësojë këto kritere: të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për Drejtësi me diplomë të barasvlershme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor. Të ketë eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Të ketë përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda. Nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”. Të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale. Të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë politike, të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit.
Të ketë marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral. Të mos jetë marrë ndonjëherë ndaj tij masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër. Të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi inteligjent.
SHBA: BKH do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar
Disa javë më parë, ambasada e ShBA-ve, me anë të një videoje, ka shpjeguar se çfarë është Byroja Kombëtare e Hetimit dhe si do funksionojë. Më tej, ambasada shkruante se Byroja është e ngjashme me FBI-në amerikane dhe se hetuesit do të trajnohen nga një akademi në Virxhinia.
“BKH është njësia hetimore e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Ky i fundit është një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar, kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë. Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara.
Në fakt, hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së, në Virxhinia. Ligji për SPAK-un, kërkon gjithashtu që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjen e hetuesve të BKH. BKH përbëhet nga një drejtues dhe një ekip hetuesish, të cilët do të duhet të përmbushin standarde të forta të ngjashme me ato të FBIsë”, shkruante ambasada.