Nga, Red Varaku
Djegja e mandateve e riktheu Shqipërinë në sytë e mbarë botës si vend që rrezikohet të futet në spiralen e trazirave për shkak të zgjedhjeve të manipuluara. Kryeministri Edi Rama po bën përpjekje gjigande dhe shpreson se mund të zhurmojë këtë realitet që për çdo ditë që kalon, i ngjan një makthi për çdo shqiptar.
Televizionet e tij, portalet e tij, sharlatanët e tij, G 99-çat e tij prej javësh po ejakulojnë me djegjen e mandateve, duke nënkuptuar që e gjitha kjo është një marifet i Berishës për t’i shpëtuar drejtësisë. Aq i koordinuar dhe i përpiktë është ky mekanizëm, sa që edhe në zgëqet më të largëta ka hedhur metastaza.
Lajmet dhe megafonët e prishur të propagandës nuk reshtin së përsërituri të njëjtën fabul. Cinizmi i pafrenuar për të zbuluar më në fund “të keqen” e madhe në këtë vend nuk ka të ndalur, edhe pse Berisha prej vitit 2013 ka dhënë dorëheqje për të mos u kthyer kurrë më në krye të PD.
Po përse bateritë e propagandës janë drejtuar kundër Berishës pikërisht tani?
Së pari, për të dëmtuar figurën në rritje të Lulzim Bashës sidomos pas aktit kurajoz të djegjes së mandateve, njeriut që po transformohet me shpejtësi nga dita në ditë në një lider, i cili po frymëzon një lëvizje të vërtetë antiestablishment dhe shihet si kërcënim serioz për establishmentin e vjetër politik, sidomos për Edi Ramën të cilin e ka mundur në fushën e tij.
Së dyti, përpjekja për të risjellë fabulën e Berishës si lideri ‘de facto’ që udhëheq PD në hije këto ditë, synon një diversion të pastër në rradhët e opozitës, që tashmë është më e bashkuar se kurrë vetëm rreth një njeriu, Lulzim Bashës. Përpjekja për të rifaktorizuar ‘Berishën’ krijon çoroditje tek mbështetësit e PD dhe i shërben drejtpërdrejtë një klime që ushqen një komplot të vjetër sa vetë Mero Baze.
Por, Edi Rama harron që duke bërë sërish fajtor Berishën, në fakt bën autogol në sytë e votuesve të tij, sepse tregon që ka dështuar dhe falimentuar përballë tij. Dëshmon se :ose është krejtësisht i paaftë dhe i paburrë, ose ka ardhur në pushtet më shumë si marrëveshje dhe konpromis me Berishën dhe Ilir Metën. Ndryshe nuk ka se si të shpjegohet që edhe pse ka gati shtatë vjet në pushtet, askush nuk është ndëshkuar prej atyre që ai i konsideronte mamuthë të korrupsionit dhe vrasës të 21 Janarit.
Dëshmon që është krejt i paaftë për të shembur atë që ai, në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013 e quajti plot bujë politika e vjetër, dhe kërkoi votën e shqiptarëve për ta rrëzuar në mënyrë përfundimtare. Shqiptarët ‘bujarë’ i dhanë një milion vota për këtë mision historik.
Në fakt, ai jo vetëm nuk dështoi për ta shembur ngrehinën e politikës së vjetër , por i preu në besë një milion shqiptarët dhe kjo jo shumë nga paaftësia sesa nga pafuqia për tu përballur me koston e një sulmi të tillë. Si burracak që është, ai zgjodhi të godiste live dhe plot bujë njerëzit e varfër dhe pa përkrahje. Pikërisht për këtë dështim ai duhet të largohet dhe t’i hapë rrugën dikujt që e ka seriozisht luftën me establishmentin e kalbur politik shqiptar.
Së treti, kjo nuk është një taktikë e re për të, sepse sa herë që ndodhet në cep të ringut nga ai rishpik fabulën e Berishës, me qëllim mobilizimin e ish-komunistëve dhe naivëve. Ai e ka të qartë që ky është një nonsens i plotë, por ai e di që për të tijtë, përmendja e Berishës ia kalon kalon trurin në menopauzë.
Së katërti, sulmi frontal i qenve të tij me proteza të vëna ndaj Berishës, është një sinjal se ai po e përdor këtë fabul për të negociuar krizën e rëndë politike që ka pllakosur vendin. E vërteta është që Edi Rama ka vjedhur zgjedhjet dhe ka varrosur përfundimisht dhe standardet e tyre. Ai rrezikon të humbasë veten si palë në zgjidhjen e kësaj krize ndaj po bën gjithçka.
Si qytetar, që e njoh politikanin Sali Berisha, mendoj që ai sot është thjesht lideri historik i PD . Ai jo vetëm nuk ka sot asnjë fuqi të ndikojë vendimet e marra nga forumet e PD, gjë që është lehtësisht e provueshme dhe së fundmi këtë e tregoi edhe protesta e 25 Majit për të cilën, vetë Berisha e kërkonte të ishte një më shumë demonstrim force.
Mbështetësit e tij në Shqipëri , një kategori fanatike e PD-së, por që kanë Sali Berishën si përfaqësues të tyre, kanë votuar dukshëm Lulëzim Bashën. Sali Berisha duket qartë se i ka inkurajuar gjithmonë për këtë. Nga ky qëndrim i Sali Berishës, Lulzim Basha ka marrë mbështetje maksimale pavarësisht se si përpiqet Rama ta interpretojë.
Është shumë e trishtë që pas shtatë vjetësh në pushtet, Sali Berisha mund të përdoret akoma si ‘gogoli’ për të bashkuar rradhët e të majtës. Por, nëse e vëren me kujdes situatën, Rama ka një arsye egzistenciale për këtë . Ai është i detyruar ta bëjë këtë edhe për një fakt tjetër, faktit që sipas të gjitha sondazheve, ai është në prag të një disfate elektorale të padëgjuar nëse bëhen zgjedhje të lira. Ai e di që shqiptarët tashmë janë në shumicë absolute kundër tij.
Rama e ka të qartë këtë, ndaj po përpiqet të bëjë gjithçka që të mos përballet me këtë zemërim. Ai e di që një bashkim i madh do t’i bënte pluhur e hi ëndrrat e tij për lavdi të përjetshme dhe pushtet absolut. Por, këtë do ta shikojë pas 30 qershorit, pasi shqiptarët ta kenë shkulur nga rrënjët ngrehinën ku qëndron pushteti i tij, për të varrosur përfundimisht trashëgimine e tij dhe të etërve të tij.