Partia Lëvizja e Legalitetit ka zhvilluar mbledhjen e Kryesisë, ku në fokus kanë qenë zhvillimet politike në vend, aksioni opozitar dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2027.
Në përfundim të mbledhjes, PLL deklaron se e konsideron të domosdoshëm largimin nga pushteti të mazhorancës aktuale, duke e akuzuar atë se ka humbur dhe tradhtuar, sipas saj, besimin e qytetarëve. Partia shprehet se do të vijojë aksionin e saj opozitar dhe do të mbështesë protestat, përfshirë edhe protestën aktuale dhe kërkesat e saj.
Një tjetër pikë e rëndësishme e qëndrimit të PLL lidhet me organizimin e opozitës. Sipas partisë, opozita duhet të riorganizohet përtej strategjive që ajo i konsideron të dështuara dhe pa protagonizma individualë.
PLL kërkon gjithashtu ndryshimin e kuadrit zgjedhor, duke vënë në fokus zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të viteve 2020 dhe 2025.
Sa i përket zgjedhjeve vendore të vitit 2027, Partia Lëvizja e Legalitetit i konsideron ato një moment me rëndësi të veçantë për opozitën. Sipas PLL, zgjedhjet do të shërbejnë si një provë për rikthimin e besimit te opozita.
“Në këto zgjedhje të ardhshme vendore, Pranverë 2027, Partia Lëvizja e Legalitetit do të përfaqësohet me kandidatët e saj në çdo bashki!”, thuhet në deklaratën e partisë.
PLL njofton se ka nisur përgatitjet në strukturat e saj në të gjithë vendin, ndërsa një nga detyrat kryesore do të jetë përzgjedhja e kandidaturave që do të përfaqësojnë siglën e partisë në zgjedhjet vendore.
Në këtë kuadër, partia u bën thirrje intelektualëve dhe potencialeve të reja që t’i bashkohen strukturave të saj, duke u ofruar mundësinë për të kandiduar dhe për të përfaqësuar komunitetet e tyre.
Më poshtë, publikimi i plotë i Partisë Lëvizja e Legalitetit:
Nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Lëvizja e Legalitetit
Në këtë mbledhje, ndër të tjera:
PLL e konsideron domosdoshmëri të sa më shpejtë largimin e kësaj mazhorance nga pushteti, mazhorancë e cila ka humbur dhe tradhtuar besimin e çdo interesi qytetar.
Në këtë kuadër, PLL mbetet aktive e vazhdueshme në aksionin e vet partiak opozitar, duke mbështetur gjithashtu çdo lloj proteste, si edhe këtë aktuale, me ndryshimet e kërkuara prej tyre.
Për PLL, sot kërkohet një organizim ndryshe i çdo faktori opozitar dhe i opozitës në tërësinë e saj, larg strategjive të dështuara deri më sot dhe kundër çdo protagonizmi individual.
Përballë arrogancës qeveritare me sistem të ngritur të vjedhjes së votës, duhet këmbëngulje e fortë për të zhbërë ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe ato në Kodin Zgjedhor 2020, 2025!
Për sa i përket zgjedhjeve vendore të vitit 2027, ato kanë një rëndësi të veçantë që i kalon përmasat zgjedhore; ato mbeten provë e opozitës në tërësi për kthim besimi tek ajo.
Në këto zgjedhje të ardhshme vendore, pranverë 2027, Partia Lëvizja e Legalitetit do të përfaqësohet me kandidatët e saj në çdo bashki!
Për këtë PLL, me të gjitha strukturat e saj, nis fazën e parapërgatitjeve në çdo degë, në lidhje me detyrat dhe hapat konkretë të punës tonë.
Në këtë frymë parapërgatitjeje del detyrë kryesore përzgjedhja e kandidaturave që do të përfaqësojnë siglën e PLL në këto zgjedhje!
Për sa më sipër, ju bëjmë thirrje për afrimin rreth PLL të cilitdo potencial të ri intelektual, duke i dhënë mundësinë tonë për të përfaqësuar komunitetin e vet në këto zgjedhje!
Faleminderit.










