Kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami, ka rikthyer në qendër të debatit publik një prej çështjeve më të rëndësishme për të ardhmen e vendit: arsimin dhe nevojën për një reformë të thellë kombëtare në këtë sektor.
Përmes një reagimi publik, Axhami argumenton se problemet e arsimit nuk mund të trajtohen përmes masave të pjesshme apo ndërhyrjeve afatshkurtra, duke kërkuar një platformë të qëndrueshme dhe afatgjatë për zhvillimin e sistemit arsimor shqiptar.
Sipas kreut të PLL-së, shqetësimet për cilësinë e arsimit lidhen edhe me largimin e familjeve nga vendi, tkurrjen e numrit të nxënësve dhe mbylljen e shkollave në zona të ndryshme.
Në fokusin e tij, Axhami vendos edhe sfidat sociale dhe kulturore me të cilat përballet brezi i ri, duke theksuar nevojën për forcimin e rolit të familjes, shkollës dhe komunitetit në formimin e të rinjve.
Ai kërkon që një reformë e re të mos hartohet vetëm nga institucionet, por të përfshijë mësuesit, pedagogët, prindërit, nxënësit, ekspertët dhe shoqërinë.
Platforma e propozuar nga Axhami përfshin disa prioritete: përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, forcimin e rolit dhe statusit të mësuesit, rritjen e cilësisë së teksteve dhe programeve shkollore, respektimin e të drejtave të nxënësve dhe luftën ndaj bullizmit, dhunës dhe varësive.
Një tjetër pikë e rëndësishme është lidhja e arsimit me tregun e punës. Sipas Axhamit, sistemi arsimor duhet t’u japë të rinjve jo vetëm dije, por edhe aftësi praktike dhe perspektivë reale për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Qëndrimi i kreut të PLL-së e vendos arsimin përtej debatit të zakonshëm politik, duke e trajtuar atë si një çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në demografinë, ekonominë, familjen dhe të ardhmen e vendit.
Në këtë drejtim, Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Shpëtim Axhami kanë vijuar të artikulojnë publikisht çështje që lidhen me interesin kombëtar dhe publik, duke synuar ta mbajnë debatin politik të lidhur edhe me probleme konkrete të shoqërisë shqiptare.
Mesazhi i Axhamit është i qartë: arsimi nuk duhet të shihet thjesht si një sektor administrativ, por si themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e kombit.
“Reformë Kombëtare Arsimore!” është thirrja me të cilën kreu i PLL-së e përmbyll reagimin e tij.
POSTIMI I PLOTË I SHPËTIM AXHAMIT:
ARSIMI NUK ËSHTË PROPOGANDË, ËSHTË MISION!
REFORMË KOMBËTARE ARSIMORE!
Sot, arsimi në Shqipëri përballet me sfida serioze. Cilësia në arsim mbetet shqetësim dhe kjo është edhe një arsye tjetër pse familje të tëra largohen, bankat e shkollave po zbrazen dhe në shumë zona shkollat po mbyllen.
Në të njëjtën kohë, brezi i ri po përballet që në moshë të hershme me fenomene sociale dhe kulturore që ndikojnë negativisht në formimin e tij, duke dobësuar lidhjen me familjen, shkollën, shoqërinë dhe vlerat e shëndosha njerëzore e kombëtare.
Për këtë arsye, arsimi nuk mund të trajtohet duke marrë masa të pjesshme, me propagandë pune fallco apo reforma të përkohshme. Shqipëria ka nevojë për një REFORMË KOMBËTARE ARSIMORE, të hartuar në bashkëpunim me mësuesit, pedagogët, prindërit, nxënësit, ekspertët e arsimit dhe gjithë shoqërinë.
Nevojitet një PLATFORMË E QARTË DHE AFATGJATË ZHVILLIMI PËR ARSIMIN, e cila duhet të synojë.
-Në krijimin e brezave të rinj të edukuar dhe të ditur, me dije bashkëkohore dhe aftësi praktike për jetën e punën kjo nëpërmjet mësuesve të kualifikuar dhe çdo baze didaktike që ka nevojë shkolla.
-Në forcimin e rolit të mësuesit dhe pedagogut, duke garantuar përgatitje profesionale të tyre, vlerësim të meritës dhe kushte dinjitoze në pune.
-Rritjen e cilësisë në shkolla duke rritur cilësinë e teksteve dhe programeve shkollore, larg propogandës së punës fallco dhe fiktivitetit të madh i dukur ky qartësisht në provimet shtetërore!
-Rwspekrimi i të drejtave të nxënësve por duke parë raportin mësues-nxënës, duke rritur luftën ndaj bullizmit, dhunës, varësive dhe fenomeneve të tjera negative që po cenojnë zhvillimin e të rinjve në shoqërinë sonë.
-Lidhjen më të fortë të arsimit me tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit, në mënyrë që të rinjtë të kenë perspektivë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
Arsimi nuk është thjesht një sektor i administratës shtetërore. Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e një kombi.
Prandaj, sot është koha të bashkohemi rreth një qëllimi të përbashkët:
Reformë Kombëtare Arsimore!









