Propozimi për shkrirjen e Bashkisë Prrenjas në kuadër të reformës së re territoriale ka shkaktuar reagime të forta në komunitet. Një prej zërave më të artikuluar kundër kësaj nisme është ai i Dr. Besjan Muslim Karriqit, një i ri intelektual, veprimtar qytetar dhe përfaqësues i një familjeje me tradita patriotike e zogiste në zonën e Prrenjasit.
I rritur dhe i formuar në Prrenjas, Karriqi doli para qytetarëve në protestën e organizuar kundër shkrirjes së bashkisë, duke e cilësuar këtë proces si një goditje ndaj identitetit, historisë dhe përfaqësimit të komunitetit.
Në fjalën e tij, ai theksoi se kundërshtimi i tij nuk lidhet me interesa personale apo me vende pune në administratën vendore, por me të ardhmen e qytetit dhe të drejtat e banorëve të Prrenjasit.
“Unë sot nuk protestoj për vendet e punës të punonjësve të bashkisë. Nuk kam asnjë interes personal aty. Kjo çështje është shumë më e madhe. Është çështje dinjiteti dhe e së ardhmes së Prrenjasit”, u shpreh Karriqi.
Ai ngriti pikëpyetje mbi ndryshimin e qëndrimeve politike ndaj Prrenjasit, duke kujtuar se në vitin 2015 Bashkia Prrenjas u mbështet për të mbetur njësi më vete, ndërsa sot propozohet shkrirja e saj dhe bashkimi me Librazhdin.
Sipas Karriqit, reforma territoriale nuk mund të bazohet vetëm në shifra dhe formula teknike, pasi një territor përfaqëson edhe histori, kulturë, traditë dhe lidhje sociale.
“Ndëshkoni paaftësinë, jo qytetin”, ishte një prej mesazheve kryesore të tij, duke kërkuar që problemet e menaxhimit vendor të mos përdoren si arsye për t’i hequr Prrenjasit institucionin e tij të përfaqësimit.
Ai solli në vëmendje edhe shqetësimet e qytetarëve për largimin e shërbimeve dhe përqendrimin e vendimmarrjes në qendrat më të mëdha administrative, duke argumentuar se një bashki më e madhe nuk garanton automatikisht shërbime më të mira për banorët.
Me një profil të ri qytetar dhe një qasje të drejtpërdrejtë publike, Dr. Besjan Karriqi po shfaqet si një nga zërat më aktivë të brezit të ri në mbrojtje të interesave të komunitetit të Prrenjasit.
I biri i ish-kreut të Lëvizjes së Legalitetit në Prrenjas, Muslim Karriqi, ai vjen nga një familje me histori angazhimi qytetar dhe ndjeshmëri ndaj çështjeve kombëtare e vendore. Qëndrimi i tij në protestë ka sjellë një dimension të ri në debatin për reformën territoriale: atë të një brezi të ri që kërkon që vendimmarrjet për komunitetet të mos merren vetëm mbi harta administrative, por duke dëgjuar zërin e qytetarëve.
Prrenjasi përballë reformës territoriale tashmë ka edhe një zë të ri në mbrojtje të identitetit dhe të ardhmes së tij.









