Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) ka bërë publike qëndrimet e saj në lidhje me zgjedhjet vendore dhe reformën territoriale, duke theksuar se pushteti lokal duhet të jetë sa më pranë qytetarëve dhe në funksion të interesit publik.
Teksa kanë mbetur më pak se një vit nga zgjedhjet vendore, PLL vlerëson se këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë, pasi qytetarët do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre vendorë për katër vitet e ardhshme.
Sipas PLL-së, këshillat bashkiakë dhe këshillat e qarqeve luajnë një rol kyç në vendimmarrje dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e komuniteteve, ndaj përbërja e tyre duhet të bazohet në integritet, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj qytetarëve.
Në deklaratën e saj, PLL thekson se reforma territoriale nuk duhet të përdoret për qëllime elektorale apo politike, por të shërbejë për rritjen e eficiencës së qeverisjes vendore dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Rritja cilësore dhe profesionale e këshillave bashkiakë është një domosdoshmëri. Përfaqësimi duhet të realizohet nga njerëz me integritet shoqëror dhe profesional”, thuhet në qëndrimin e PLL-së.
Në zbatim të vendimeve të forumeve statutore, PLL ka konfirmuar se në zgjedhjet vendore të vitit 2027 do të kandidojë me listat e saj të pavarura për këshillat bashkiakë.
Partia bën me dije se ka nisur procesin e identifikimit të kandidatëve për listat në 61 bashkitë aktuale të vendit, ndërsa mbetet e përgatitur edhe për çdo ndryshim që mund të sjellë reforma territoriale apo zgjedhore.
Sa i përket kandidaturave për kryetarë bashkish, PLL sqaron se vendimmarrja përfundimtare do të merret nga forumet statutore të partisë, duke marrë në konsideratë zhvillimet politike, reformën territoriale, potencialet përfaqësuese të partisë, si dhe mundësitë për bashkëpunime dhe koalicione opozitare në bashki të caktuara.
Në përfundim, PLL rithekson angazhimin e saj për një pushtet lokal më përfaqësues, më funksional dhe më pranë qytetarëve.











