Ish kryetari i Bashkisë Fushë Arrëz, Fran Tuci, është prononcuar në lidhje më dënimin e padrejtë nga SPAK. Gjatë një interviste për portalin “Pirusti News” ai shprehet se prokurori i çështjes Ols Dado ngriti një akuzë mbi të pavërteta dhe e burgosi për disa muaj.
Z. Fran, prej disa ditësh emri juaj është përmendur si nga kryeministri por edhe nga disa analistë të cilët janë shprehur se, me kësi akuzash mund të dënohen jo vetëm 61 kryetarë aktualë, por edhe në mbi 600 ish-kryetarë. Cili është komenti juaj?
Po, e vërtetë. E kam ndjekur me vemendje situatën e ditëve të fundit, aq më tepër që Ols Dado ka qenë prokurori në akuzën e ngritur ndaj meje.
Si e kujtoni momentin e arrestimit dhe a e prisje atë. Me çfarë akuze u njoftove?
Kam qenë me 7 apo 8 shokë në një tavoline në kafe, në pasditen e 12 korrikut 2023. Erdhi një moment që tavolina jonë u rrethua vrullshëm nga një grup policësh. Unë u drejtohem se nuk jemi keqbërës, por njerëz publikë, duke u thënë se jam ish-kryetar bashkie…A për ty kemi ardhur më thanë, dhe direkt më prangosën, për të më çuar përballë prokurorit Ols Dado.
Si u procedua më tej?
Po, Ols Dado më tha se je arrestuar pasi ke dhënë leje për ndërtimin e një rruge të re, ku janë prerë mijëra m3 drurë etj, duke shpikur një dëm ekonomik në pyje, në masën 234 milionë lekë. U habita, nuk po ju besoja veshëve. Edhe bufi e dinte se në atë rrugë mes shkrepave nuk kishte as shkurre, jo më lisa. E kundërshtova duke i thënë se, nuk ishte e vërtetë. Prokurori me ton të ashpër më hakerrehej duke përsëritur me dialekt vetëm një togfjalësh…ke kafshuar py(i)llin, ke kafshuar py(i)llin, ke kafshuar py(i)llin,..Madje si prove paraqitej një video sigurtë, ndoshta e shkëputur nga filmi “Flutura në gabinën time” pasi prej vitesh në ato anë nuk shiheshin më makina të tilla plot me lëndë drusore.

Në fakt cila ishte e vërteta?
Nuk bëhej për hapje rruge të re, por për pastrim dhe sistemim të një rruge të vjetër prej 1.8 km, ndërtuar që në vitin 1988, nga drejtori i asaj kohe i Ndërmarrjes Gjeologjike z. Tom Deda. Madje për atë rrugë kisha gjetur vendimin e Këshillit Popullor të fshatit Berishë, konfirmuar nga Këshilli Popullor i Rrethit Pukë, ndërsa ishte lehtësisht e vërtetueshme se kjo rrugë ishte në iventarin e rrugëve të Bashkisë Fushë Arrës.
Dhe në vijim…?
Një ditë më vijnë në zyrë përfaqësues të mbi 20 familjeve të fshatit Berishë, të cilët më paraqitën situatën e rëndë të rrugës e cila kishte kohë që ishte e pa kalueshme nga mjetet. Në bisedë e sipër u thashë se do e kisha në qendër të vëmendjes dhe me t’u krijuar mundësia do bëhej e pamundura, aq më tepër që kohë më parë disa banorë të këtij fshati që nuk jetonin në Berishë, por kishin varret atje, më kanë lënë disa minuta një arkivol me të ndjerin në sheshin para bashkisë, në shenjë proteste për mos rindërtimin e asaj rruge. Banorët e Berishës më thanë se donin lejen përkatëse të punimeve dhe ndonjë asistencë teknike nga stafi i bashkisë, pasi ishin vetë në gjëndje ta bënin reabilitimin. Në këto kushte ishte e pamundur ta refuzoje këtë ofertë, ndaj kështu u procedua.
Po çfarë ndodhi më pas që mori për keq?
Me t’u marrë vesh se po fillonte rindërtimi i rrugës, në zyrë më vjen një përfaqësues i një firme minerare që kishte aktivitetin bri kësaj rruge dhe më kërkon që t’ja jepja atij tenderin për këtë rrugë. Ja bëra të qartë se Bashkia nuk adresonte fonde paguese, por vetëm lejën e punimeve, sepse janë vetë banorët që do ta ndërtojnë. Ai këmbëngulte se nuk kishte nevojë për fonde në moment, ai do ndërtonte rrugën dhe fondet do ti merrte pjesë pjesë. Ja bëra të qartë se as unë e as bashkia nuk kishte acess më shumë se sa për një leje punimesh. Vetë banorët pajtuan një fadromë nga Tropoja dhe rruga mori formën e saj.
Por kur janë gjithë këto fakte, se rruga nuk u hap e re por në gjurmën ekzistuese, nuk u pre asnjë shkurre, a ja bëtë të qartë prokurorit?
Po, disa herë, biles si unë por edhe avokati kërkuan ngritjen e një komisioni me ekspertë të prokurorisë, por prokurori Ols Dado refuzonte kategorikisht, duke përsëritur togfjalëshin e sipërcituar.

Po vetë banorët e Berishës, a reaguan për të nxjerrë të vërtetën?
Po madje shumë. Bënë disa protesta, por askush nuk donte t’ja dinte. Duhesha dënuar me patjetër, që SPAK të linte të kuptonte se po prekte nivele të larta, pra deri në kryetar bashkie. Natyrisht SPAK ka merita dhe e vlerësoj maksimalisht, por duhet kuptuar se në gjithë atë trupë prokurorësh dhe njerëzish të drejtësisë, mund të ketë dhe devijime apo infiltrime. Çdokush mund të gabojë, por pse të mos verefikojë, e të mbetet stoik në versionin e gabuar. Unë shtroj publikisht pyetjen, si është e mundur që prokurori i çështjes nuk pranoi të bënte ekspertizë se sa pyje janë dëmtuar, por pranoi si provë video të montuara me pamje makina të ngarkura që i përkisnin vitit 1989, dhe nuk mori në konsideratë vendimet e Këshillave Popullor të kohës, pra të vitit 1988 për hapjen e kësaj rruge, në të vërtetë është në inventarin e Bashkisë Fushë Arrës… Ja një pjesë nga protestat e banorëve për të vërtetën time: Dhe erdhi dënimi…. Duke mos pranuar anjë lloj verifikimi, u gjet mundësia që të mos më jepej pafajsia, pra të dënohesh qoftë dhe pak, por që për mua dhe familjen ishte shumë, Pas 8 muaj e gjysëm lashë qelinë.
Duket se e pranuat këtë version?
Jo në asnjë mënyrë. Jam në pritje të gjykimit në shkallën më të lartë, ku kam shpresë se do merret mundimi të verifikohen dokumentat, por nuk do resht deri në fund, ku do marr pafajsinë që më takon.
Dhe një pyetje…si arriti që SPAK të gjente ty, atje mes maleve në Fushë-Arrës?
Ju fola për një firmë mineraresh që kërkoi të bënte tenderin e rrugës. Pasi u pa që ishin vetë banorët e Berishës që ndërtuan rrugën, filloi me pretendime sipas të cilave makinat që i kalonin afër në rindërtimin e rrugës, i kishin dëmtuar rrugën…pa kuptim po hajt. Por një denoncim i tillë u muar në konsideratë në SPAK.
Çudi, z.Fran, ju drejtuat bashkinë e Fushë Arrësit për 8 vite. A e mendonit një “shpërblim” të tillë?
Janë shumë të paktë nga qytetarët e bashkisë ose asnjë prej tyre, që e kanë dashur një shpërblim të tillë. Unë punova me sa munda dhe ja arrita të lë emrin tim dhe të administratës time në shumë pune. Ishte e pa besueshme që Fushë Arrësit mes malesh kishte vetëm 4 orë ujë të pijshmëm, e në pak kohë ne e kthyem në 24 orë. Mund të flas për unazën e re të qytetit, lidhjet e sheshit qëndror të qytetit me shkallë guri me unazën e epërme, ndërtime shkollash si në Iballë, Fierzë Fushë Arrës. Një punë e mirë me rininë dhe QKF duke organizuar siç dihet festivalin mbarëkombëtarë të fëmijëve, Miss Albanian etj. Gjatë kësaj kohe u ngrit për herë të parë shërbimi zjarrfikësve me një armatë prej 16 specialistësh të mirëtrajnuar, pajisje me makina pastrimi përmes donatorëve dhe shumë arritje të tjera që duan kohë të renditen, por që banorët e Fushë Arrësit i njohin mirë. Faleminderit.! / Pirusti News /