Poezi nga Agron Islami
Po të mund të fliste hëna
Po të mund të fliste hëna do të thoshte:
“Unë jam hëna!
Jam dëshmia e dritës, në kushedi ç’errësirë.
Jam uji në kushedi ç’zjarrmi.
Jam bukuria në kushedi ç’ligësi.
Jam shtegdalja në kushedi ç’shtrëngesë.
Jam drita e pasosur!
Sado larg që mund të jenë dy të dashuruar,
vështrimet e tyre, prapë, pikëtakohen në mua.
Jam kurorëzuesja e ëndrrave.
Shfaqem vetëm natën, kur gumëzhimat bien
dhe unë ia beh si në një paraqitje në çatinë tuaj.
Jam si jeta. E kundërta ime, errësira, më spikat hijeshinë.
Mund të isha një llambë, dosido,
por ja, u zgjodha të isha një romantike, nazike.
Dhe për në fund, të dini, forma ime, flet shumë për shpirtin tuaj.”











