-EJA, MA JEP DORËN-
Eja, ma jep dorën e vogël që të dridhet,
Mbështetu në supin tim dhe le të ecim,
Derisa këmbët të na lenë gurëve të jetës,
Derisa përqafuar në një oaz të mbesim…
Eja, ma jep dorën e vogël që të dridhet,
Le t’i shkelim së bashku frikerat e të ligës,
Në belin tënd dua t’i mbaj përkedheljet,
Të vrapojmë mes yjeve e vështrimeve të hënës.
Eja, ma jep dorën e vogël që të dridhet,
Eja, mbi mua derdhi vështrimet plot ndjenjë,
Ma ler ta dëgjoj zemrën që si zog të hidhet,
Parajsa ime janë sytë e tu kur shkëlqejnë.
Eja, ma jep dorën e vogël që të dridhet,
Le të vallëzojmë mes lëndinës së xhelozive,
Në lëkurën tënde t’i puth drithërimat,
Të përgjumemi pastaj mbi jastëkun e ëndrrave.
-ENERTIN DHESKALI-
(08. 08. 2023)











