Pas një ndërprerje prej pesë vitesh, rikthehet në traditë Festa e Selitës së Malit, ose siç quhet ndyshe ,“ Festa e korrjes së barit”, festë e cila është organizuar për 16 vite rresht në Çajre të Selitës.
Selitasit e kanë konceptuar të tillë këtë festë, sepse në periudhën e prerjes së barit, i gjithë fshati, secili për interesin e tij ngjitej në bjeshkë për të korrur livadhet e veta. Përveç kësaj, kjo ishte edhe një mundësi që banorët të takoheshin me njëri- tjetrin, bisedonin e ndërronin një cigare duhan (për ato që e pinin), si dhe çmalleshin me njëri tjetrin.
Kjo ishte një karekteristikë e shumë fshatrave të Bendës, por për selitasit kishte shumë vlerë, për shkak të distancës së madhe që kanë lagjet e Selitës me njera-tjetren, ku dhe vetë Selita si fshat, zë një sipërfaqe të madhe.
Për arsye ekonomike, sociale e arsimimi, si në të gjitha fshatrat e tjerë edhe Selitasit migruan, duke u vendosur kryesisht në Qytetin e Tiranës, e një pjesë në Bashkinë Kamëz etj.
Në këto rrethana, biri i këtij fshati, intelektuali Mehdi Elmaz Hoxha, njëherësh edhe Kryetar i “Shoqatës Selita”, hodhi idenë për ta kthyer këtë ditë të shënuar, në një ditë feste me qëllimin e mirë që të krijonte mundësinë e takimit të Selitasve një herë në vit, pikërisht në Çajre të Selitës, propozim i cili u prit me shumë entuziazëm nga selitasit. Për 16 vite rresht kjo festë u organizua nga “Shoqata Selita” dhe u sponsorizua nga Kryetari saj Mehdi E. Hoxha. Gjatë këtyre viteve në aktivitetet e organizuara është bërë e mundur evidentimi dhe promovimi i vlerave më të mira të Selitës dhe të Krahinës së Bendës, siç janë vlerat historike, folklorike, dokeve dhe zakoneve të trashëguara nga të parët tanë.
Pas një shkëputjeje prej 5 vitesh (për arsye të ndryshme), “rindizen edhe një herë motorrët” për të realizuar përsëri këtë festë, e cila kësaj radhe nuk u realizua dot ne fillim te korrikut por më 22 gusht 2021 në Çajre të Selitës. Dita ishte e nxehtë, por kjo nxehtësi nuk ndjehej aq shumë, falë freskisë që vinte nga Mali me Gropa dhe Pyjet e Fekenit. Ishte një aktivitet i mirëorganizuar nga grupi organizues i përbrërë nga Aqif Pjeçi, Asllan Tola, Bajram Merqeni nën drejtimin e kryetarit të kësaj shoqate z. Mehdi Hoxha dhe nënkryetarit z. Azem Nela.
Ishte një pjesëmarrje e madhe e përbërë nga Selitas që banojnë aty, si dhe të ardhur nga Tirana, Kamza dhe emigracioni. Në këtë ditë feste kishte shumë të ftuar nga shoqata të ndryshme si dhe pjesëmarrës të fshatrave përreth.
Festa ishte konceptuar nga organizatorët në dy pjesë. Pjesa e parë ishte ceremonia zyrtare me përshëndetje e dekorime e më pas duke vazhduar me programin artistik me këngë e valle, kurse pjesa e dytë, ngrënia e drekës sipas dëshirës.
Para se të fillonte cermonia e festës, selitasit të mbledhur grupe-grupe, takoheshin e çmalleshin me njëri tjetrin… Nuk zgjati shumë dhe rreth 200 metra më tutje, u dëgjua lodra dhe tingujt e cigaonave të Ansamblit Artistik Benda, kjo sipas traditës duke vazhduar me vallen e rrugës drejt vendit ku do të zhvillohej aktiviteti.
Në emër të organizatorve, aktivitetin e hapi Haqif Pjeçi si intelektuali më i vjetër, duke ia kaluar fjalën Kryetarit të shoqatës, z. Mehdi Hoxha, i cili pasi falenderoi të ftuarit dhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë aktivitet, theksoi rëndësinë dhe vlerat e organizimit së kësaj feste, si dhe vendimin e Këshillit të Bashkisë Tiranë për vendosjen e emrit “SELITA” në një nga rrugët e Tiranës. Theksojmë se ky fshat përveç vlerave të tjera është dhe njëri nga furnizusit kryesorë të Tiranës me ujë të pijshëm.
Për ta përshëndetur aktivitetin fillimisht iu dha fjala kryetarit të Shoqatës Tirana z. Arben Tafaj. Pas kësaj, pata nderin që edhe unë, në emër të Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda, të mbaj fjalën përshëndetëse. Më pas në emër të Shoqatës “Vllaznia Koçi” përshëndeti znj. Fiqirete Koçi. Duke vazhduar me Sadete Dukën e cila lexoi vargjet e përgatitura enkas për këtë takim nga profesor Hysen Hysa.
Përveç kësaj, aktiviteti u shoqërua me supriza të radhës duke e bërë më tërheqës e më mbresëlënës: – Së pari dhënia e titullit nga Shoqata Tirana “FISNIKERIA E TIRANES” për z. Mehdi E. Hoxha, që iu dorëzua nga kryetari i Shoqatës, z. Arben Tafaj
-Së dyti dhënia e titullit nga Shoqata Tirana “FISNIKERIA E TIRANES” për kolonel Agim Sula (pas vdekjes), që iu dorëzua djalit të kolonelit nga sekretari iShoqatës, z. Skënder Farka.
Më pas z. Mehdi E. Hoxha pati nderin të marrë CERTIFIKATËN E MIRËNJOHJES dhënë nga kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore Benda, të cilën ia dorëzoi kryetari i Shoqatës, Ferit Hoxha me motivacionin: “Për kontributin e dhënë si ideator dhe organizator në promovimin e vlerava kulturore e historike të fshatit Selitë, kahinës së Bendës, për të shërbyer për brezat në njohjen e vlerave njerëzore e humane, traditës e zakoneve ndër shekuj, e deri në përvetësimin e adminstrimin e tyre me përsosmëri”.
Më pas festa vazhdoi me programin artistik të përgatitur nga Ansambli Artistik Benda, ku u interpretuan disa valle dhe këngë të zonës nga valltarët Nazmije Dedja, Antoneta Tafa Adriatik Lila dhe Hasan Sulmeta, me cigonë Xhemal Heta e Musa Kabili dhe me lodër, udhëheqësi artistik mjeshtri i zonës Ramazan Cani.
Më pas programi vazhdoi me valle të përbashkëta nga anëtarët e ansamblit dhe pjesëmarrit në këtë takim, duke krijuar një mozaik ngjyrash të përbërë nga kostumet poullore të Krahinës Bendës, të përgatitura nga kostumografja Antoneta Tafa, si dhe kostume të fshatit Selitë, duke treguar e theksuar edhe njëherë se tradita e bashkëpunimi për ruajtjen e tejçimin e vlerave artistike e kulturore të zonës vazhdon.
Supriza e radhës, ishte kënga e kënduar (me inçizim) nga këngëtari i krahinës së Bendës, z. Kasem Murati. Kjo këngë i është kushtuar atdhetarëve dhe intelektualëve të Selitës së Malit. Kësaj feste me ftesë të kryetarit të shoqatës, iu bashkuan edhe dy intelektualët e zonës, autorët e librit “ Benda në rrjedhën e historisë” profesorët Ibrahim Kabili dhe Hysen Hysa.
E pra kjo ishte pjesa e parë e Festës së Selitës që ngjante si një tortë me shumë ngyra. Por si qershia mbi tortë ishte pjesëmarrja suprizë e “Heroit të gjallë” birit të Bendës Klodjan Elqenit, i cili para disa muajsh me guximin dhe profesionalizmin e tij, bëri të mundur neutralizimin e “shoferit të çmendur” në Sheshin Skënderbej.
Klodiani në këtë takim shoqërohej nga regjisori Sokol Elqeni. Të dy këta pjesëmarrës të cilët na nderuan me prezencën e tyre, meritojnë një falenderim nga ana jonë, pasi së bashku po përgatisin një reportazh për të publikuar e reklamuar në Europë e më gjërë vlerat turistike dhe folklorike të Krahinës së Bendës, pjesë e së cilës do të jetë edhe ky eveniment.
Më pas, kjo ditë feste vazhdoi me pjesën e dytë, ngrënia e drekës, ku një pjesë drekuan së bashku në grupe të vogla. Ndërsa për të ftuarit dhe anëtarët e Ansamblit Benda, organizatorët shtruan një drekë në një nga lokalet e zonës “ Lokali i Can Rahmanit”.
Ku përveç të tjerave nuk mungoi edhe atmosfera e krijuar nga orkestra e Tiranës dhe nga lodra e cigonat e Ansamblit Benda. U kënduan këngë tradicionale dhe u kërcyen valle të zonës kryesisht asaj të Shqipërisë së Mesme. Kësaj atmosfere iu bashkuan edhe ato selitas që drekuan në bjeshkë në grupe me nëri- tjetrin sipas fiseve, të cilët nuk mund të shkëputeshin nga kjo ditë pa kërcyer edhe një herë me të pranishmit e tjerë që po drekonin në lokal.
Unë personalisht u ndjeva shumë mirë për tri arsye: së pari që m’u dha mundësia të merrja pjesë në këtë festë për t’u takuar me shumë miq nga Selita e më tej; së dyti, sepse pata nderin të nderoj kryetarin e Shoqatës Selita për realizimin e këtij evenimenti prej dekadash; e së treti duke kontribuar në këtë eveniment së bashku me anëtarët e Ansamblit Benda ndjeva kënaqësi të veçantë, kjo falë prefesionalizmit të artistëve të Ansamblit, si dhe pritjes së ngrohtë të banorëve të Selitës. Në një farë mënyre ndjeva ato emocione si në realizimin e “Sofrës së Bendës”, traditë së cilës shpresoj që t’i rikthehemi shumë shpejt.
Gjej rastin të falenderoj për mikpritjen organizatorët e këtij evenimenti me shume vlera si për Selitën, ashtu edhe për Krahinën e Bendës edhe të gjithë selitasit prezent në këtë takim.
Afër mbrëmjes, kjo ditë feste u mbyll me shtrëngime duarsh dhe me urimin drejtuar njëri – tjetrit: Në festa dhe ditë të tilla u takofshim gjithmonë!
Kryetari i “Shoqatës Benda”
Ferit Hoxha
Gusht 2021