Nga Elona CASLLI
Portali i qeverisë rilindase “Dritare.Net”, nuk ka vonuar të kryejë shërbimin e vyer ndaj kësaj të fundit, duke na servirur një alibi të dobët dhe giysmake, lidhur me videon që qarkulloi dje në rrjet mbi darkën që po shijonin një grup rilindasish në një restorant në Dubai.
Alibia e Dritares që duhet të hidhet nga dritarja, orvatet të na e servirë këtë video si hallkë e një vizite zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe për të mirën e Shqipërisë.
Sipas Dritares që duhet hedhur nga dritarja, grupi “” Emaar”” në bazë të një marrëveshjeje të firmosur me qeverinë shqiptare, e ka përfshirë Shqipërinë në hartën e investimeve mbi procesin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.
Dritarja që duhet hedhur nga dritarja shkruan- “”Është në praktikën e këtij grupi të ftojë përfaqësues të qeverisë, pushtetit,vendor e medias, si edhe biznesit, po ashtu në bazë të përzgjedhjes së vet, për t’u njohur nga afër me investimet e kryera nga ky grup në qendrën e tij në Dubai””
Le të ndalemi tek kjo pikë
Dritarja që duhet hedhur nga dritarja, pretendon se ka qenë grupi “” Emaar” që ka përzgjedhur përbërjen e grupit që ka udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.
Praktika të tilla njihen në zbatimin e projekteve të mëdha, por çdo individ që ftohet duhet të ketë një funksion në zbatimin e projektit.
Është paksa e çuditshme që një investitor i huaj të ftojë 3 përfaqësues nga 3 media të ndryshme shqiptare në këtë kontekst. Do të mjaftonte veç një.
Megjithatë kjo është lehtësisht e verifikueshme. Mjafton që pjesëtarët e grupit rilindas që kanë udhëtuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, të bëjnë publik emailin, në të cilin u konfirmohet rezervimi i biletes nga grupi “” Emaar”.
Në çdo praktikë gjatë zbatimit të projekteve me bashkëpunëtorë të huaj, kur ftohesh për një vizitë zyrtare që mbulohet nga pala pritëse, hapi i parë që kryhet është konfirmimi i rezervimit të biletës me email nga pala pritëse.
Mjafton që ky email të bëhet publik me datën përkatëse të rezervimit të biletës. Emaili në fjalë zakonisht dërgohet nga departamenti i marrëdhënieve me jashtë nga pala pritëse.
E dyta jo për nga rëndësia, por për nga renditja qëndron tek fakti se Dritarja që duhet hedhur nga dritarja, pretendon se fatura e darkës në video mbulohet nga pala pritëse.
Kushdo që ka pasur rastin të jetë pjesë e projekteve të huaja, e njeh fort mirë protokollin e drekave apo të darkave.
Ky protokoll parashikon që pala pritëse të rezervojë restoratin që zakonisht servir gatimet tradicionale të vendit, sikundër parashikon edhe praninë e palës pritëse në tryezë.
Sipas protokollit, pala pritëse nuk mund t’u thotë të ftuarve: Hani dhe pini çfarë të doni se i keni të paguara nga ne. Ne po ikim tani.
Në video shfaqet veç grupi rilindas që ha dhe pi krejt i shpenguar dhe logjika të çon që fatura e asaj darke mund të jetë paguar nga kushdo, veç nga grupi “” Emmar” në Emiratet e Bashkuara Arabe, jo.
Ajo faturë është paguar nga populli shqiptar.
Post Scriptum- Dritarja që duhet hedhur nga dritarja, përrallën e saj t’ia rrëfejë fëmijës që i shkroi Ramës për pemën e djegur. Pra, t’ia rrëfejë vetes.
Elona Caslli
Për të qenë më konkrete në këtë analizë le të citojmë alibinë e Dritares që duhet hedhur nga Dritarja.
Eshte ne praktiken e grupit Emaar qe perpara hyrjes ne nje vend ku kryen investime, te ftoje perfaqesues te qeverise, pushtetit vendor e medias, si edhe biznesit po ashtu ne baze te perzgjedhjes se vet, per t’u njohur nga afer me investimet e kryera nga ky grup ne qendren e tij ne Dubai.











