Të jesh femër do të thotë të jeshë një krijesë në ndryshim. Ndryshim ky që vjen si pasojë e një bote të shthurur ku banorët e saj janë “paragjykues të sëmurë”.
Duke u gjendur në qendër të kësaj bote femra përjeton një sërë ndjenjash, emocionesh të ndrydhura të cilat duhet ti “maskojë” dhe ti shfaqet botës ashtu sikurse ajo priret të jetë femra për të. Duke u maskuar,ajo nuk lejon që të shprehet emocioni i saj i vërtetë.
Nëse brenda saj po valon një grumbull të këqijash ajo përsëri do të thotë “jam mirë”. Është mirë për një botë të verbër dhe për disa udhëtarë të shurdhët që nuk kanë logjikën të kuptojnë gënjeshtrën e një femre. Ajo nuk është mirë , por pret një sërë pyetjesh drejtuar asaj në mënyrë që zemërimi dhe dhimbja që ka të lehtësohen me mbështetjen tënde.
Por, ti nuk ke si të njohësh mbështetjen femërore kur “budallallëku mashkullorë” të ka përpirë mëndjen. Ti e quan veten mashkull vetëm se bota të ka ushqyer me idenë e të gjithpushtetshmit. Por më thuaj ku qëndron pushteti yt, tek gjykimi, vlerësimi i femrës vetëm nga aparenca fizike apo prirja e ndyrë e juaja për ti përdorur femrat si “objekt seksual”?
Femra nuk është kjo e ky konceptim vjen vetëm nga ju “burracakët e vegjël” që edukoheni në forma barbare dhe rriteni me idenë e “të shtypurit” të imazhit femërorë. Ama mos harro:- “Femër është të jeshë e të mos keshë frikë nga asgjë”.
Është një burim krenarie dhe identiteti që pret ta zbërthesh ti dhe me vlerësimin që i bën të tërheqësh vëmendje nga bota dhe të pozitivizosh veten tënde duke nxjerrë në pah kujdesin femërorë. Nuk mundesh kurrë të cilësosh një femër “të shëmtuar” e vetes ti dhurosh privilegje të pamerituara. Çdo femër ka bukurinë e saj, bukuri të cilën një ditë dikush do të dijë të e vlerësojë për të gjithë kohën që ti e cënove atë.
Të jesh femër do të thotë të ecësh kryelartë e bota të xhelozojë për elegancën e saj. Do të thotë të keshë fuqi aq sa për të mundur zakonet e botës mashkullore , ku femra shihet si një “shtëpiake e shtypur”.
Ndërkohë mashkulli krenohet me idenë se nuk bën punë si të femrës dhe shoqëria nuk i sheh veprimet e tij si akte turpëruese. Turp në të vërtetë është kur ti mohon femrën tënde jashtë dyerve të shtëpisë dhe i cakton asaj vetëm një ritual shtëpiak.
Turp është të jesh mashkull diskriminues dhe jo një femër që pastron shtëpinë për ty në mënyrë që ajo të të dhurojë ngrohtësinë e munguar gjatë ditës. Turp është të jeshë mashkull si ty, të sillesh si ty e të dashurosh në forma mizore si ty.
Mos harro që femra është e para krijesë që meriton dashuri dhe ti mëso të japësh dashuri. “Mëso të dashurosh përtej bukurisë, përtej syve të bukur , përtej trupit te formësuar sepse një ditë bukuria do të humbasë dhe kur trupi ta humbasë të bukurën për të cilën ti e vlerësove atëherë ç’do të të mbetet të duash”?
Mëso që femrën ta shohësh si nënën tënde që të shqetëson çdo moment për të të pyetur “si je” dhe sa herë ta bësh këtë kujtohu që ajo femër të dha titullin “baba”! Mësohu të njohësh dashurinë e femrës për ty e më e bukura mëso të dashurosh sikurse ajo.
Femra është art e ti mos i harro kurrë vlerat e artit femërorë!











