Zbardhet debati mes Messit dhe ish-trajnerit të Barçës: Po s’të pëlqeu, ja ku e ke derën

Zbardhen debatet mes Lionel Messit dhe ish trajnerit të Barcelonës Quique Setien.

Ky i fundit deklaroi për mediat spanjolle se ylli i skuadrës “blaugrana” ishte një karakter mjaft i vështirë për t’u menaxhuar dhe se bashkë kishin pasur disa përplasje gjatë sezonit të kaluar.

Mediat spanjolle kanë zbuluar se pas një ndeshjeje të sezonit të shkuar, trajneri po evidentonte gabimet e futbollistëve të tij, por toni që kishte zgjedhur për komunikim ishte kritikuar nga Lionel Messi.

Pikërisht për këtë arsye, ish trajneri i Barcelonës ishte kthyer nga argjentinasi dhe i kishte treguar, derën, duke i thënë se mund të largohej nëse nuk i pëlqente, ndërsa 6 herë fituesi i Topit të Artë ishte mjaftuar me një buzëqeshje që tregonte më shumë se 1000 fjalë.

Marrëdhëniet mes Setien dhe Messit nuk kanë qenë asnjëherë të mira dhe të dy janë përplasur shpesh në dhomat e zhveshjes, duke bërë që atmosfera në grup të rëndohet dhe një sezon të shkojë dëm.

Edhe në sezonin aktual, marrëdhëniet e Messit me klubin dhe teknikun Ronald Koeman nuk janë aspak të mira. Shkak për krisjen e tyre u bë transferimi i Luis Suarez drejt Atletico Madrid.