Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet t’i njoftojë të dhënat e para jozyrtare gjatë ditës së enjte.
Lidhja Social Demokrate shpalli fitoren në zgjedhjet e së mërkurës. Ndonëse Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ende nuk ka përfunduar me përpunimin e rezultateve nga të gjitha qendrat e votimit, LSDM-ja bëri të ditur pak para orës 2 të mëngjesit (me orën lokale)rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në një konferencë shtypi zoti Zaev tha se partia e tij korri sukses; “Koalicioni “MUNDEMI” është fitues i zgjedhjeve dhe vullneti i popullit u konfirmua për një të ardhme të sigurt, patriotizëm ekonomik, shtet të së drejtës. Rruga përpara u konfirmua. Rrezikut i thamë JO”, u shpreh Zaev. Ai i quajti zgjedhjet shembullore, të qeta, me dinjitet të lira, demokratike e të sigurta. “Qytetarët i njohën vlerat e vërteta; na dhanë besimin. Koncepti integrimit e mundi konceptin e izolimit”, tha Zoran Zaev.
Komisioni Shtetërorë i Zgjedhjeve njofton se nga përpunimi i rezultateve të 93.96% të votave, koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja prin me 36.13 për qind, VMRO-DPMNE me 34.65 për qind, BDI me 11.57 për qind, dhe koalicioni ASH- Alternativa me 8.79 për qind. Partia e Majta ka 3,96 për qind, PDSH 1.48 për qind dhe Integra 1.33 për qind.
Nga numri i votave të përpunuara deri tani dhe të shndërruara në mandate del se LSDM dhe koalicioni “Mundemi” kanë fituar 46 mandate, VMRO-DPMNE-ja 44 mandate, BDI-ja 16 mandate, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 mandate, PDSH një mandat dhe Levica një mandat. Këto janë të dhëna nga ueb faqja e KSHZ-së.