Nga Ermal Xhelilaj
“Opozita parlamentare” e opozitës, gjatë ditëve të fundit po përpiqet të krijojë barriera artificiale kundër reformës zgjedhore, e cila pavarësisht se është konsideruar e pamjaftueshme, sërisht është një hap pozitiv në përmirësimin e standarteve zgjedhore si dhe kriter bazë mbi çeljen e negociatave me BE. Sigurisht, kjo rezistencë anti-reformë, sipas opozitarëve “të vërtetë” që ndodhen në parlament, “bëhet për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve si dhe për konsolidimit të demokracisë së brishtë shqiptare”.
Pra, teza që mbrojnë këta deputetë “opozitarë” reflekton një luftë të moralshme politike për lirinë, demokracinë në vend si dhe të drejtën e shqiptarëve për një sistem zgjedhor me lista të hapura e depolitizim të komisioneve zgjedhore. Gjithësesi, në këtë kontekst, është me të vërtetë ironike ta perceptosh drejtë këtë situatë të paprecedentë dhe këtë konfliktualitet politik të cilën po promovojnë këta njerëz, opozitarizmi i të cilëve në Kuvendin e Shqipërisë deri me sot ka qenë inekzistentë e deri qesharak shpesh herë.
Parë në këtë optikë, ku ndodheshin këta opozitarë të ethshëm dhe a e ngritën zërin e tyre kur Kryeministri Rama zhvilloi votimet moniste të qershorit 2019, të cilat ishin antidemokratike dhe në shkelje flagrante të kushtetutës duke cenuar rëndë standartet ndërkombëtare. A kërcënuan këta opozitarë për grevë urie, sikurse po bëjnë sot, kur Kryeministri Rama kalonte me votat e tyre në parlament ligje antidemokratike e antikushtetuese që i mundësonte Qeverisë të shtypte të drejtat e liritë e qytetarëve shqiptarë, të kapte ato pak institicione të pavarura që kishin ngelur pa u uzurpuar, e të instalonte një sistem autokratik.
Ku ndodheshin këta “opozitarë”, dhe a e ngritën zërin e tyre kundër Qeverisë kur shqiptarëve vazhdimisht u zaptohen pronat e u prishen shtëpitë masivisht, abuzohet rëndë me tenderat qeveritar e vidhen fondet shtetërore, mbyllen e shantazhohen mediat e lira, shkelen të drejtat e liritë themelore të njeriut nga strukturat shtetërore e censurohet liria e fjalës, apo edhe kur kjo Qeveri në mënyrë barbare e antligjore shembi Teatrin Kombëtar e keqtrajtoi artistë e intelektualë.
Përse pikërisht tani kjo “opozitë” po përpiqet të krijojë pështjellim e të ngrejë një furtunë në gotë, duke e konsoliduar më tepër aleancën ekzistuese me Kryeminstrin Rama kundër interesave themelore të shqiptarëve për zgjedhje demokratike, të lira e te ndershme si promovimin dhe afrimin e Shqipërisë drejt çeljes së negociatave me BE?!
Fatkeqësisht, këto përpjekje nuk duket se synojnë konsolidimin e demokracisë, por më e pakta duket se po bëhen për përfitime personale politike apo edhe më keq mund të jenë pjesë e planit ogurzi të Kryeminstrit për të bllokuar reformën zgjedhore, e cila është një pengesë për vjedhjen e manipulimin e zgjedhjeve të radhës, sikurse ka bërë në 2017 dhe 2019. Duke qenë se “strategjia e topit” dêshtoi, Kryeministri po shfrytëzon planin B, patericat e thyera të “opozitës” parlamentare.