Akaki Horava, aktori që interpretoi Skënderbeun në filmin me të njëjtin emër, u nda nga jeta më 23 qershor të vitit 1972. Në komodinën pranë krevatit të tij, mbante librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Kjo ndodhi në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku aktori kaloi vitet e fundit të jetës.
Atij i pëlqente shumë ky libër dhe kur ishte në Shqipëri, kishte arritur ta përkthente nga origjinali i gjuhës shqipe, në rusisht, nëpërmjet miqve të tij shqiptarë. Kjo ndodhi gjatë xhirimeve të këtij filmi. Dhe kur iku Akaki Horava mori me vete një kopje të Kanunit. Atij i pëlqenin shumë ligjet shqiptare të asaj kohe, pra të kohës së Skënderbeut dhe përpiqej të hynte në brendësinë e psikologjisë së shqiptarëve.
Urdhri i Lirisë, i Shkallës së Parë, i lëshuar nga Presidiumi Kombëtar i Republikës Popullore të Shqipërisë, me president Haxhi Lleshin. Në tekstin e shkruar në shqip dhe të marrë në Gjeorgji, më 8 mars 1954, të përkthyer në rusisht, shprehet mirënjohje: “Për punën krijuese, dhe aktrimin e rrallë të rolit të heroit tonë legjendar Gjergj Kastrioti, në filmit artistik ‘Skënderbeu’ dhe me meritë të madhe përpara kombit e atdheut tonë, përjetësove me mjeshtëri të madhe artistike një nga imazhet me të lavdishme të historisë sonë kombëtare”.
Akaki Horava (l. 29 prill 1895 në fshatin Oçhomuri – v. 23 qershor 1972 në Tbilisi) ishte regjisor, aktor filmi dhe teatri me origjinë gjeorgjane.
Në vitet 1915-1919 studioi në Kiev dhe Tbilisi. Në vitin 1922, filloi studimet për aktrim në studion dramatike në Tiflis të Akaki Pagava-s. Bëri debutimin e tij të parë në skenën e teatrit. Në vitet 1939-1948 drejtoi Institutin e Teatrit gjeorgjian. Në vitet 1949-1955 u bë drejtor i teatrit. Në vitin 1954 xhiroi filmin “Skënderbeu”, (titulli rusisht: “Velikij voin Albanii Skanderbeg – Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu”). Në vitin 1946 iu dha titulli “Artist i popullit i BRSS”. Po ashtu u nderua pesë herë me Çmimin “Stalin”. Iu dha dy herë Urdhri i Leninit .
Në 1939 hyri në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjtik. Deputet i Sovjetit Suprem të BRSS në 4 legjislatura (1937-1958).
Vdiq në vitin 1972 dhe u varros në panteonin “Mtacminda” në Tbilisi. Emrin Horava mbajnë teatri në qytetin gjeorgjian Senaki dhe “Dom aktjora – Shtëpia e aktorit” në Tbilisi.