Nga Elsa Sula
Dhuna ndaj gazetarëve është një çështje e nxehtë dhe shumë serioze që thellon plagën e shkeljes së lirisë së shtypit dhe integritetit të individit në shoqërinë tonë.
Rasti i fundit i dhunës ndaj gazetares nga një person me pozitë të lartë, si kryeministri, ka nxjerrë në pah një sërë çështjesh thelbësore, të cilat duhet të adresohen me seriozitet dhe drejtësi.
Në çdo shoqëri demokratike, liria e shtypit është një prej kushteve themelore për funksionimin e qytetarisë së lirë dhe pavarësisht së cilësdo pozite apo pushteti.
Gazetarët janë roje të lirisë së shprehjes dhe informimit publik, ndaj e kanë detyrimin moral dhe ligjor për të raportuar dhe zbuluar të vërtetën, pa frikë apo ndikime të jashtme.
Sakaq, rasti i dhunës ndaj gazetares nga kryeministri ngre shqetësime serioze për rendin dhe sigurinë në vendin tonë, ku vajzat e gratë shtypen e dhunohen, kur profesionistët nuk janë të lirë të kryejnë detyrën me profesionalizëm, ku duhet të heshtësh sipas urdhrave të pushtetit. Ky është komunizëm dhe ne të gjithë një sovran i shtypur e i dhunuar deri në palcë.
Kjo sjellje nuk është vetëm një sulm ndaj një individi, por është një sulm ndaj institucioneve demokratike dhe lirisë së shtypit.
Një shoqëri që pretendon të respektojë rregullat e demokracisë dhe shtetin e së drejtës, duhet të trajtojë me dinjitet gazetarët.
Ky rast dhune ka kontekst shumë më të gjerë që ka sjellë sot një prej ngjarjeve më shëmtuara dhe më të ulta, sepse është pjellë e një shteti që promovon aktet e dhunshme dhe një sovrani që nuk reagon.
Në përfundim, rasti i dhunës ndaj gazetares nuk është vetëm një rast individual, por shkelje e lirisë së shtypit, shkelje e sistemit të drejtësisë, shkelje e parimeve demokratike dhe shkelje ndaj çdo individi.
Është koha për të ndërtuar një shoqëri ku liria e shprehjes dhe integriteti personal respektohen plotësisht dhe ku çdo individ është i lirë të shprehë mendimet e tyre pa frikë nga ndonjë formë e dhunës apo kërcënimit, mbi të gjitha pa frikë e presion nga pushtetarët, që në sisteme demokratike janë shërbëtorë të popullit.











