-Tregim-
Kur po dilte nga gate 22, pasi kishte tërhequr valixhen, Viviana pa Elion që po e priste disa metra më tutje. Ai buzëqeshte dhe ia bënte me dorë. Kishte veshur një palë pantallona nuk kuptohej se çfarë stofi dhe një bluzë të zhubravitur. Elia kishte shumë gusto në të veshur dhe me këto pantallona të vjetra dukej më shik se vetë Armani. Kur u gjendën përballë, ai e përqafoi dhe e puthi aq shumë Vivianën, sikur t’i kishin mbetur vetëm dy minuta jetë.
-Mos provo më të ikësh për kaq kohë. Më ke munguar shumë,-i mërmëriti. E po të mos ishte për sytë kureshtarë të disa udhëtarëve, ai do të vazhdonte ta puthte akoma me shumë pasion.
-Si vajti udhëtimi?-e pyeti, ndërsa i mori nga dora valixhen.
-Mirë. Kishte pak turbolencë, por çdo gjë ok,-tha ajo.
-Po sfilata?,- vazhdoi ai, duke futur valixhen në portobagazhin e makines…
-Të njëjtat gjëra, s’kishte ndonjë të re,- tha Viviana…
Viviana sapo kishte mbushur 16 vjet kur dikush i kishte dhënë një numër telefoni për t’u paraqitur në një agjenci mode për të bërë një provë fotografike. Kishte flokë të zez, të gjatë e plot shkëlqim, që herë-herë i mbulonin fytyrën. Kur i largonte me dorë i dilnin në pah sytë e saj të zinj, qerpikët e gjatë dhe buzët e freskëta e shumë të bukura, thuajse përherë të kuqe se kishte një ves që i kafshonte herë pas here. Nuk kishte nevojë të dobësohej asnjë gram, sepse linjat e saj ishin perfekte, ndonëse i duhej të bënte sakrifica për t’i ruajtur ato.
Makina gjarpëronte rrugës që të shpinte jashtë qytetit, aty ku jetonin prindërit e Vivianës dhe motra e saj, Ariana. Prindërit kishin ndërtuar një shtëpi të bukur në periferi të qytetit. Pasi kishin dalë në pension ata kishin vendosur të jetonin në atë vend të qetë, larg zhurmave të qytetit dhe ndotjes së ambientit që ishte evidente thuajse ngado rrugëve të tij. Sa herë që kishte pak kohë, Viviana shkonte me kënaqësi tek shtëpia e prindërve. E megjithatë ata gjithnjë ankoheshin se ajo vinte rrallë për t’i parë. Nga kuzhina vinte një aromë e mrekullueshme, mamaja kishte gatuar qëngj në furrë. Pasi u përshëndetën me prindërit, ajo shkoi në dhomën e saj për t’u ndërruar e për t’u freskuar pak pas udhëtimit të gjatë. Ndërsa vishte një fustan komod për të ndenjur në shtëpi, sytë i shuan tek pasqyra dhe vuri re që ishte shumë më e zbehtë se zakonisht. Lëkura e bardhë dhe silueta e saj gati e trembën. -Jam e lodhur,-mendoi dhe ktheu kokën nga ana tjetër. Kishte kohë që nuk dëshironte të shihej në pasqyrë. Puna që ajo bënte këto linja kërkonte. Kishte parë plot vajza të bukura t’i largonin nga passerella edhe për gjysmë kile peshë më shumë.U kthye në kuzhinë, ku gjithçka ishte gati për të ngrënë. U ulën e ndërsa të tjerët po shijonin mishin e qëngjit të pjekur, Viviana hante karrota e pak sallatë jeshile.
-Eh,moj bijë. Ku të rri ai shpirt?,-psherëtiu mamaja duke vërejtur me keqardhje ato që hante e bija.
Dreka vazhdoi e qetë. Flisnin për punën,për politikën, për lulet e babait, që këtë herë ishin më të bukura se kurrë. Mbas dreke Viviana e Elio bënë një shëtitje buzë lumit dhe në darkë vonë u kthyen në apartamentin e tyre në qytet.
Ajo javë ishte shumë e ngarkuar. Viviana kishte disa sfilata njëra pas tjetrës dhe ishte mjaft e tensionuar. Në shtëpi nuk ishte thuajse kurrë dhe Elio kishte filluar të ankohej për këtë e shpesh shfaqte edhe shenja nervozizmi. Ajo i kushtohej aq shumë punës së saj sa harronte që kishte edhe një jetë jashtë punës. Kishte kohë që Viviana ndjente uri, por çdo gjë që hante shkonte dhe e nxirrte më pas në banjo. I ishte fiksuar sikur kishte marrë disa kile më tepër, kontrollonte çdo gjë që hante, aq sa Elio kishte filluar të shqetësohej seriozisht për këtë fiksim të saj.Madje kishte shkuar të bisedonte edhe me prindërit, por përpara tyre ajo e mohonte kategorikisht një gjë të tillë.
Ditët ndiqnin njëra-tjetrën. Viviana vazhdonte të bëhej gjithnjë e më shumë kockë e lëkurë. Në këtë pikë Elio filloi të mungonte në shtëpi, duke sajuar udhëtime të ndryshme pune. Mes tyre gjërat po bëheshin gjithnjë e më të ftohta. Ato ditë në Milano ishte java e modës dhe Vivianës i duhej me çdo kusht të shkëlqente. Ajo ishte modelja e parë në të cilën agjencia kishte vënë të gjitha shpresat. Edhe këtë radhë Elio i kishte dërguar një sms të ftohtë, ku justifikohej se nuk mund të vinte të ndiqte sfilatën për arsye pune, duke i uruar që ajo të shkëlqente si gjithmonë. Viviana u ndie keq nga ky sms dhe iu duk sikur e pushtoi një parandjenjë jo e mirë. Asistentët po shpejtonin të kryenin edhe detajet më të vogla të përgatitjeve të fundit dhe çdo gjë ishte thuajse gati. Viviana kishte kohë që e priste dhe përgatitej për këtë sfilatë. Një sukses i mundshëm do të shënonte kulmin e karrierës së saj profesionale.
Në sallë, në radhët e para kishin zënë vend njerëz të rëndësishëm të artit e spektakleve, si dhe të fushave të tjera, të cilët Viviana kishte patur rastin t’i takonte disa herë e të merrte komplimentet e përgëzimet e tyre. Nuk donte t’i zhgënjente as këtë radhë, madje do përpiqej të jepte maksimumin e saj e të shkëlqente si një yll i ri në fushën e modës së lartë.
Asistentja i bëri shenjë që ishte radha e saj. Ajo mori frymë thellë dhe me një hap të sigurtë hyri në passerellë. Veshja e saj ishte më e bukura e koleksionit dhe ajo shkëlqente në çdo qelizë të trupit të saj. Salla shpërtheu në duartrokitje. Ajo ndërtoi atë buzëqeshjen e saj brilante që ishte shenjë e triumfit të saj midis shoqesh. Por këtë radhë kjo buzëqeshje ishte disi më e ftohtë e artificiale, me gjithë përpjekjen e saj për t’u dukur sa më e natyrshme. Përshkoi gjithë gjatësinë e passerellës, duke ndjerë peshën e vështrimeve të ngulitura mbi të dhe të duartrokitjeve që këtë herë gati-gati i dukeshin si më të zhurmshme e pak të bezdisshme.Bëri xhiron, u rrotullua rreth vetes dhe mori rrugën e kthimit. Ajo po i dukej më e gjatë se në dalje, sytë filluan t’i visheshin dhe nuk po kuptonte asgjë. Hodhi sytë tek dalja, por ajo tashmë iu duk sikur largohej, duke u zvogëluar, deri sa humbi në mjegull. Trupi i saj e humbi drejtpeshimin dhe Viviana ra pa ndjenja në passerellë. Duatrtokitjet u ndërprenë dhe një zhurmë mërmëritëse zotëroi në sallë. Pas perdes asistentet i thërrisnin të ngrihej e të ecte, por ajo nuk dëgjonte asgjë. Gjendja dukej serioze.
-Thërrisni një mjek, një ambulancë,-bërtiti dikush nga salla. Njerëzit u ngritën në këmbë dhe salla u bë rrëmujë.
Kur u përmend, Viviana e pa veten në spital. Hapi sytë me vështirësi, qerpikët i rëndonin si plumb dhe një dhimbje e mprehtë në këmbën e majtë sikur e zgjoi me zor nga kllapia ku kishte qenë. Ajo nuk po kuptonte ende asgjë. Pastaj njëra nga asistentet që ishte pranë shtratit të saj, i spiegoi që gjatë sfilatës kishte patur një humbje të ndjenjave, kishte rënë dhe kishte thyer këmbën e majtë. Një infermiere iu afrua dhe e pyeti se kë mund të lajmëronin nga të afërmit e saj për sa kishte ndodhur. I tha që do t’i duhej të qëndronte shumë kohë në spital, pasi gjendja e saj e dobët fizike nuk lejonte të bëhej ndërhyrja e nevojshme kirurgjikale në këmbë.
-Ky i pari në listë është emri i të fejuarit tim, të tjerët janë familjarët,-tha Viviana, duke i treguar rubrikën e telefonit.
Ato i ranë numurit të tij, por nga ana tjetër askush nuk përgjigjej. Sapo e mbylli, telefoni ra dhe Viviana pa që po e thërriste e ëma.
-Si vajti, bijë?,-e pyeti ajo.
-Mami, kam ndrydhur pak këmbën gjatë sfilatës dhe jam në spital,-tha Viviana, duke shtrënguar dhëmbët nga dhimbja që ndiente në këmbë.
-Po vijmë menjëherë,-tha e ëma e alarmuar dhe e mbylli telefonin.
Pas një ore prindërit dhe motra e Vivianës gjendeshin pranë shtratit të saj në spital. Ata po e rrethonin me përkujdesje e dashuri. Pyesnin se si ndodhi, a i dhimbte shumë këmba etj., por Viviana ndihej e lodhur e jepte përgjigje të shkurtra e thuajse të prera. Asaj i kishte rënë një çehre e verdhë në fytyrë. Mamaja i hodhi një shall mbi supet e saj dhe e përkëdheli, duke i thënë që çdo gjë do të kalonte shpejt e do të shkonte sa më mirë.
-Po Elio, nuk ka ardhur?,-pyeti babai.
-I telefonuam, por nuk u përgjigj,-foli ftohtë Viviana.-Mbase do të jetë i zënë në punë e nuk përgjigjet dot. Mamaja i hodhi një vështrim qortues të shoqit. Ai e kuptoi dhe i kërkoi infermieres nëse mund të bisedonte me ndonjërin nga mjekët e pavionit. Ajo i tha që ta ndiqte dhe i priu për ta shpënë tek dhoma e mjekut.
Në këto çaste në ekranin e telefonit të Vivianës u duk një sms. Ishte nga Elio. Viviana e mori telefonin dhe filloi ta lexonte. Gati nuk po u besonte syve. “Nuk u përgjigja se isha i zënë me punë. Ndodhem jashtë për disa kohë e nuk dua të jem i shqetësuar. Tashmë secili nga ne ka marrë rrugën e tij. Uroj të jesh mirë e të kesh sukses”, shkruante ai. Viviana u ndie keq jo vetëm nga fjalët e mesazhit, por edhe nga fakti që në të njejtën kohë me të mesazhin e lexoi edhe mamaja. Ajo vetëm uli sytë e nuk tha asnjë fjalë. I përkëdheli sërish në heshtje shpatullat së bijës dhe u kthye nga ana tjetër. Pa që nga koridori po e thërriste me dorë i shoqi, që ishte para dhomës së mjekut. Ajo vajti pranë tij dhe pikërisht në atë kohë mjeku i ftoi të hynin. Në duar kishte disa lastra e grafi e po i shikonte nën dritën e reflektorit. Sapo i kishin arritur edhe analizat nga laboratori. Ai i ftoi të uleshin dhe pas pak nisi të flasë:
-Kuadri klinik i Vivianës është pak më serioz nga ajo që duket,-tha ai. -Këmba e majtë ka pësuar një frakturë, por reabilitimi i saj me një procedurë pak të gjatë arrihet të bëhet i plotë. Ajo që më preokupon më shumë e për të cilën ne duhet të luftojmë bashkërisht e, mbi të gjitha duhet të luftojë Viviana, është diçka tjetër. Vajza juaj vuan nga një shqetësim alimentar. Një anoreksi e zgjatur e ka kaluar në bulimi.
Ata panë njëri-tjetrin të shqetësuar. Ky lajm u ra si një bombë e vërtetë. E dinin që vajza ishte e fiksuar pas linjave të trupit, por këtë e kishin konsideruar normale për punën e saj si top-modele. Kishin vënë re që kohët e fundit ishte si më e dobët dhe më e zbehtë në fytyrë e që shpesh menjëherë pas të ngrënit shkonte direkt në banjo, por kishin menduar se gjithçka ishte nën kontroll.
-Ç’duhet të bëjmë?-pyetën me një gojë prindërit.
-Mbas disa ditësh, me pëlqimin tuaj, do ta çojmë në një qendër rehabilitimi për këtë lloj sëmundjeje. Por më përpara duhet të flasim edhe me Vivianën, që të jemi të gjithë kompaktë e një skuadër për të arritur ta përballojmë situatën e ta marrim atë tërësisht në dorë. Prindërit, pas bisedës me mjekun, u kthyen tek dhoma e së bijës. E gjetën tek fliste në telefon dhe ishte e tensionuar e me lotë ndër sy. Menduan se po fliste me Elion e u afruan mengdalë. Tek e panë ashtu të shqetësuar e pyetën:-Çfarë ka ndodhur,moj bijë?
-Po ja, babi,-u ngashërye ajo.-Ata të agjencisë, në vend që të interesohen për shëndetin tim, më bëjnë mua përgjegjëse për dështimin e sfilatës dhe më thonë të mos kthehem më aty. Ku vajtën tërë përpjekjet e mia e frutet që ata kanë korrur deri tani nga performancat e mia? Le pastaj Elio, pikërisht në një moment të tillë më kthen krahët e më le vetëm…Ajo u mbyt në lotë e nuk mund të fliste dot.
Prindërit u panë sy ndër sy. E vështronin me dhimbje e nuk gjenin dot fjalë. Pastaj u ulën të dy pranë shtratit të saj. I ati filloi t’i fshinte lotët dhe ta përkëdhelte ai atëherë kur ishte e vogël dhe vinte duke qarë pasi kishte rënë duke luajtur me shoqe. Nisi t’i fliste me dashuri e si duke luajtur:- Ku e ka buzëqeshjen vogëlushja ime? Sa herë ke ditur të ngrihesh kur ke rënë dhe ke qenë gjithnjë krenaria jonë? Edhe kjo e sotmja është vetëm një rënie e vogël, që të bën të njohësh më mirë njerëzit dhe natyrën e pamëshirshme të manjatëve që vrasin shpirtin njerëzor për fitimet e tyre. Nuk je vetëm. Ti na ke ne, jemi të gjithë bashkë si asnjëherë. E bashkë me ne janë njerëzit humanë të këtij spitali me të cilët do të kapërcejmë këtë situatë e ti do marrësh sërish fluturimin. Moda ishte vetëm një nga talentet e tua. Violina që e ke lënë mënjanë dhe që i bije aq bukur të pret sërish tek dhoma që e mbushje gjithnjë me tinguj magjikë…
Viviana ktheu kokën mengadalë. Loti i fundit i rrëshqiti nga sytë dhe u ndal tek cepi i buzës, ku kishte nisur të ravijëzohej një buzëqeshje. Vështrimi iu bë më i kthjellët, zgjati krahët dhe në atë përqafim u bashkuan të katër, ajo, prindërit dhe Ariana. Mjeku, që kishte hyrë në dhomë, u ndal tek porta, buzëqeshi dhe nuk e ndërpreu atë skenë aq të ngrohtë e emocionuese. -Kjo është terapia më e shëndetshme,-mendoi ai dhe u kthye për tek dhoma e tij.
* * *
Pranvera kishte ardhur sërish dhe lulet në kopësht kishin çelur me një harlisje si të dehura nën rrezet e ngrohta të diellit. Babai i ujiste, shkulte ndonjë bar të keq dhe u gëzohej si një fëmijë. Mamaja sapo kishte nxjerrë një lakror nga furra, hapi derën dhe shkoi tek dhoma e Vivianës, nga e cila vinin tingujt e dashur të një koncerti për violinë të Çajkovskit. Viviana kishte dy muaj që kishte dalë nga struktura e rehabilitimit kundër bulimisë dhe i ishte përkushtuar pasionit të saj të hershëm për violinën. Përgatitej për një koncert me një nga orkestrat më të rëndësishme të qytetit. E ëma i gëzohej gjendjes së saj shpirtërore dhe ndonjë kileje më shumë që i kishte dhënë hire trupit të saj.
-Ooo, ç’më kënaqi kjo aromë lakrori. Më paska marrë uria,-tha Viviana dhe uli harkun e violinës mbi partiturë. Vuri edhe violinën dhe përqafoi të ëmën. Aroma e ngrohtë e lakrorit dhe e familjes i ftonte të gjithë në tavolinë.











