Për herë të tretë brenda 6 muajsh Demokracia e Re e kryeministrit Qiriakos Micotaqis konfirmoi të dielën supermacinë e vetë në politikën greke. Kandidatët e saj arritën të fitojnë që në raundin e parë të votimit 7 nga 13 rajonet në të cilat është e ndarë Greqia, ndërsa 6 të tjerat do të shkojnë në balotazhin që do të mbahet të dielën e ardhshme.
Më konkretisht kandidatët e Demokracisë së Re arritën të fitojnë në Maqedoninë Qendrore, Epir, Greqinë Perëndimore, Greqinë Qendrore, Atikën, Egjeun e Jugut dhe Kretën. Në gjashtë rajone të tjera si Maqedonia Lindore dhe Trakia, Maqedonia Perëndimore, Ishujt Jon, Peloponezi, Egjeu i Veriut dhe në Thesali fituesit do të shpallen me balotazh. Por ajo që vlen të theksohet edhe në këtë rast është se në të gjitha balotazhet do të konkurrojë edhe kandidati i partisë në pushtet, çka bën që objektivi për të fituar të 13 qarqet mbetet i arritshëm.
Një rezultat i mirë konsiderohet për partinë e Micotaqis edhe ai për kryetar bashkie, ndonëse 3 bashkitë kryesore të vendit siç janë Athina, Seliniku dhe Patra do të shkojnë në një raund të dytë votimesh të dielën e ardhshme.
Megjithatë edhe në këto tre njësi, kandidatët e Demokracisë së Re janë në avantazh të dukshëm. Përjashtim bën gara në Selanik ku dy kandidatët e renditur të parët janë në një diferencë të ngushtë votash. Në total në raundin e parë u zgjodhën kryetarët e rinj në 46 bashki, ndërsa në 86 të tjera ata do zgjidhen në raundin e dytë.
Rezultati është përshëndetur nga kryeministri Micotaqis i cili tha se qytetarët kanë konfirmuar besimin e tyre Demokracia e Re dhe zgjedhjet e saj, ndërsa kreu i ri i Sirizas, Stefanos Kasselakis njoftoi rinovimin e menjëhershëm të partisë.











