Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar ndryshimet në strukturën e Partisë Socialiste pas mbledhjes së Asamblesë ditën e sotme.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Damian Gjiknuri “u flak” nga kryeministri Edi Rama, ashtu si Arben Ahmetaj. Ai pretendon se kjo ishte një këshillë për t’u arratisur.
Ish-lideri historik i PD tha se mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura pas publikimit të dosjes së aferës së inceneratorëve nga SPAK. Sipas ish-kreut të PD, kjo dosje po shpërbën mazhorancën.
“Mafia shtetërore më e rrezikshme në Europë u mblodh me dyer të mbyllura pasi vendi është në flakë. U mblodh me dyer të mbyllura pasi SPAK në një dosje 310 faqe ka tronditur si një tërmet 8 ballësh, mafien më të rrezikshme të Europës. Ka tronditur sepse ka sjellë në skenë për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar vjedhjen e shekullit dhe të gjithë organigramës e piramidës së shekullit.
Ajo dosja rëndom mund të quhet dosja Ahmetaj dhe në çdo fjalë në çdo kuptim dhe nënkuptim ajo është dosja Rama, dosja viktimë e fundit Damiani, që u flak sot si Arben Ahmetaj natyrisht me këshillën për tu arratisur. Dosja dhe flakët e saj kanë përcëlluar deputetë e ministra të tjerë”, u shpreh Berisha.
Bledi Klosi është emëruar sot si Sekretar i Përgjithshëm i PS duke i marrë postin Damian Gjiknurit. Ndërsa Bledi Çuçi ka zënë vendin vakant si kryetar i Grupit Parlamentar të PS, pas emërimit të Taulant Ballës si Ministër i Brendshëm









