Nga Flutura AÇKA, deputete e PD, qarku Elbasan
Nuk do të kisha mundur ta përshkruaja më mirë Shqipërinë sot, se ç’e thotë me pak fjalë miku im i vyer, diplomati, studiuesi Shaban Murati:
[Shqipëria është i vetmi shtet në botë, ku Viti i Vjetër zëvendësohet nga Viti i Vjetër!]
Viti 2021 po kthehet për mua, sikurse për ju, në Vit i Vjetër. Një vit që më njohu me kaq shumë njerëz të rinj, me të cilët kam ndarë orë të bukura e të trishtueshme, demokratë e shqiptarë shpirtbukur!
2022 do të na lidhë edhe më fort dhe do t’ia amnistojmë brengat shoshoqit. Kjo, sepse ka vetëm një qasje në perspektivën e Shqipërisë: ajo demokratike.
Deformimi i vullnetit të shpirtërave demokratë dhe ai i shqiptarëve që urrejnë regjimet antidemokratike, thyerja që i ndodhi eshtrës së ndërgjegjjes sonë nga grabitja përbinshëse e 25 prillit 2021, deformimi i kohës sonë historike nga bandat dhe marrëveshja okulte me bandën e markës së lartë në pushtet, kërkon ndreqje!
Kam thënë qysh në krye, pas tronditjes së muajve të fundit, demokratët do të dalin më të fortë, më të bashkuar, sepse amnistia e tyre morale ndaj çdo hijeje lënduese, e kapërcen hijen e tyre. Ata e dinë detyrimin ndaj demokratëve të të njëjtit vokacion në substancë, dhe ndaj shqiptarëve që duan një Atdhe që meriton të duhet e ku e vlen të jetohet.
Me foton e Rasit, demokratit më të vogël e më të pafajshëm që kam njohur, ju uroj një Vit të Ri 2022 të mbarë e të shenjueshëm!
Zoti bekoftë sofrat dhe strehët tuaja! ❤️?
Fotoja e Rasi Domnit botohet me lejen e prindërve të tij.