Me konfirmimin e qyteteve që do të presin me tifozë Kampionatin Europian që nis në Qershor, UEFA ka kaluar tani në planin tjetër, atë organizativ për futjen e tifozëve në stadiume. Dihet që tashmë janë shitur qindra mijëra bileta që vitin e kaluar për Europianin dhe UEFA në fund të prillit do të shpjegojë rimbursimin e biletave por edhe procedurën për ata që duan ende të shkojnë në stadiume.
Mësohet fillimisht që tifozët që kanë bileta do të zhvillojnë një short për të seleksionuar ata që do të lejohen në shkallët e impianteve të futbollit dhe gjithçka do të jetë në dorën e fatit. Nuk mjafton me kaq sepse ka kritere të tjera për të shkuar deri në stadium që kanë të bëjnë me rregullat anti-covid. UEFA do të japë “ok” për tifozët që janë vaksinuar me një vaksinë të çertifikuar sigurisht, kush e ka kaluar më parë Covidin për një afat të caktar dhe e fundit me një tampon negativ të testit I cili duhet të jetë 24 deri në 48 orë përpara ndeshjes së futbollit.
Pra nuk do të jetë shumë e thjeshtë për vetë UEFA-n nga ana proceduriale dhe për tifozët për të shkuar deri në stadium në Kampionatin Europian por qeveria e futbollit të kontinentit të vjetër është e vendosur që një event të tillë ta luajë me tifozë të pranishëm dhe ashtu do të ndodhë.











