Numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri në Shtetet e Bashkuara u rrit ndjeshëm të martën, ku 2,751 pacientë humbën jetën. Ky është një nga bilancet më të të rënda ditore në botë nga pandemia.
Një ditë më parë, 1.433 vdekje u regjistruan në Shtetet e Bashkuara për shkak të COVID-19.
Vendi tejkaloi kufirin e 800,000 rasteve të konfirmuara pozitive me SARS-CoV-2, me gati 40,000 raste të reja që janë regjistruar nga ora 20:30 e të hënës deri dje.
Sipas raporteve zyrtare, Shtetet e Bashkuara janë vendi me numrin më të madh të vdekjeve nga Covid-19, 44.845 sipas të dhënave zyrtare ndërsa sipas Reuters janë tejkaluar 45,000. Gjithashtu SHBA ka edhe numrin më të madh të rasteve pozitive, mbi 820,000.
Sidoqoftë, Presidenti amerikan Donald Trump e ka akuzuar vazhdimisht Kinën për manipulimin e të dhënave dhe beson se numri i vdekjeve në të vërtetë është më i lartë në vendin ku filloi pandemia sesa në Shtetet e Bashkuara.
Duhet të theksohet se rreth 75,000 amerikanë janë rikuperuar.
Në fund të javës së kaluar, dy raporte ditore shumë serioze u regjistruan në Shtetet e Bashkuara por kjo pjesërisht ishte për shkak të faktit se qindra vdekje iu shtuan viktimave që ishin “ndoshta të lidhura” me COVID-19, por jo të përfshira në të dhënat zyrtare të asaj kohe.
Rekordi i mëparshëm makabër botëror u vendos po në Shtetet e Bashkuara, me më shumë se 2.500 vdekje në 15 Prill.
“Unë shoh një dritë në fund të tunelit”, përsëriti Trump në një konferencë shtypi dje teksa foli për përgjigjen e qeverisë federale ndaj krizës.