Profesor i nderuar ,
Më duhet të quaj i nderuar, jo emrit tuaj, por titullit si profesor i shkencave historike, sepse të kam përcjellur me vëmendje dhe me shumë kujdes të gjitha ato gjëra që i përmende në emisionin “Rubikon” të KTV-së dhe jam shumë i indinjuar për disa deklarata tuaja, të cilat ishin shumë tendecioze dhe nuk e di kujt në realitet po i bën nder me gjëra të tilla të nivelit të ulët të një shkencëtari të histories, ngase në realitet ishte një etikë shumë e ulët që vërtet më bën të mendoj ndryshe për intelektin tuaj.
Profesor i nderuar, pasi që nuk na mbetet gjë tjetër dhe do të quajmë ashtu siç e meriton, sepse logjika juaj me një receptor të trurit të skaduar në kohë dhe në afat, me të vërtetë kishte ngelur nga aty ku ka filluar si shërbëtor i ish-Jugosllavisë së Josip Brozit, e cila politikë jugosllave ju previligjonte të gjithë juve që shkruanit qoftë edhe një leckë antishqiptare, duke u munduar të na tjetërsonit si komb, për të na jugosllavizuar, turqizuar apo edhe minimizuar gjer në një minoritet, sipas dëshirave të krerëve politikë serbosllavë.
Zotërote, a thua çfarë ju shtyri të villni aq shumë vrer kundër të lavdishmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës sonë të shejntë dhe të drejtë apo ndoshta i keni ngatërruar gjërat, shpifjet me realitetin dhe jeni marrë me shumë me shkrimet e gazetave ditore të kohës së Millosheviqit, gazeta këto që nga fillimi i luftës së lavdishme të UÇK-së mundoheshin t’i barazojnë çlirimtarët me kriminelët dhe viktimat me krimin, atëherë ju si intelektual dhe një doktor i shkencave të historisë nga ku e zbuluat që UÇK-ja nuk paska bërë luftë të pastër dhe si mund ta argumentoni këtë, kur dihet botërisht se edhe ata pak pjesëtarë të UÇK-së që ishin të akuzuar për krime gjoja kundër serbëve dhe civilëve tjerë në tokën e Dardanisë ishin të akuzuar dhe numëroheshin në gishta dhe të gjitha aktakuzat ishin të ngritura sipas thash themeve të krerëve serbë dhe shqipetarëve të sojit tuaj, ishin aq të pabaza dhe të barabarta me deklaratat tuaja.
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të kohës që pas dështimit të faktorit shqiptar të Kosovës në Marrëveshjen e Dejtonit, ku iu dha fund konflikteve në ish-Jugosllavin dhe Kosova së bashku me lëvizjen e saj pacifiste nuk u mor parasysh, atëherë u pa qartë se do të hyjë një forcë e re violente për ta çliruar njëherë e mirë popullin shqiptar të Kosovës nga zgjedha dhe okupimi klasik serb dhe nga këtu doli në pah e lavdishmja Ushtri Çlirimtare e Kosovës për t’i dhënë fund përgjithmonë poshtërimit, dhunës dhe njollosjes së një kombi, njëri prej më të lashtëve në Evropë dhe radhëve të UÇK-së iu bashkangjitën bijtë e bijat më të mira të kombit, të cilët nuk kursyen gjakun dhe jetën, as gjymtyrët e trupit për ta krijuar shtetin më të ri në botë, Republikën e Kosovës.
Pra, ju si profesor i historisë e dini mirë që përveç luftërave kaçake që zhvilloheshin gjatë historisë, populli shqiptar i Kosovës nuk kishte, as nuk ka pasë kurrë një ushtri të veten, që do t’u dalë zot këtyre trojeve dhe në vend që të jeni krenar me UÇK-në e lavdishme ju edhe 20 vjet pas luftës vazhdoni me shpifjet tuaja të njollosni jo vetëm UÇK-në, njërën nga ushtritë, e cila edhe nga faktori ndërkombëtar u bë sinonim i një lufte të pastër dhe të drejtë, gjer në çlirimin e Kosoves, ushtri kjo e cila zgjoi ndërgjegjen e botës së civilizuar dhe aleatët tanë u gjendën pranë kombit tonë për shpëtim kombëtar. Atëherë, zotëri profesor na thuani se çfarë lufte të papastër paska bërë UÇK-ja, që u lind dhe u rrit nga gjiri i këtij populli, u forcua, u ushqye dhe u përgatit po nga ky popull, ushtri kjo që edhe pse në proporcion me forcat militare dhe paramilitare serbe, nuk ishte as për së afërmi e barabartë, arriti që me forcën e saj titanike t’i tregojë gjithë botës se ne jemi këtu shqiptarë autoktonë dhe lufta jonë është e pastër dhe e drejtë .
Zotëri professor, ju dhe soji i juaj si njerëz të letrave të historisë nuk ishit në gjendje gjatë dhe pas luftës t’i shkruanit as dy rreshta në letër të bardhë për bardhësitë e një populli që luftoi për t’u çliruar. Zotëri professor, ju gjatë periudhës së pasluftës nuk ishit në gjendje ta shkruani asnjë rresht për luftën e fëlliqur të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, të cilët masakruan, vranë dhe dogjën. dhunuan dhe spastruan tokën e Dardanisë gjer në shfarosje duke i dëbuar më shumë se një milion banorë shqiptarë autoktonë të Kosovës nga trojet e tyre. Nuk qetë në gjendje të shkruani asnjë rresht për nënat, motrat dhe gratë tona të dhunuara, apo ndoshta nuk ju mjaftuan faktet dhe numrat, të cilët janë marramendës mes një popullate dymilionëshe.
Atëherë, na tregoni se ku i gjetët faktet se Ushtria jonë Çlirimtare e lavdishmja me 3 shkronja të arta paska bërë luftë të papastër. A thua, lufta çlirimtare e UÇK-së qenka bërë si invazion në territoret serbe diku në Rashkë, Smederevë, Baaqkë e Banat, Beograd e Nish, apo në territorin e Republikës së Kosovës, i njohur edhe ndërkombëtarisht si ish- Krahina Autonome e Republikes së ish-Jugosllavisë, që nuk ekziston më, që nga viti 1990 dhe që zhbërja e saj kishte filluar pikërisht në trojet tona, për të vazhduar edhe në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë, por për të përfunduar prapë në trojet e Dardanisë.
A thua, i nderuari professor, nga kush i morët informatat dhe instrukcionet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës paska kryer krime? Tek e fundit, ju jeni ai që jeni dhe nuk mund t’ju fajsojmë aq shumë, sepse fajin kryesor e kanë ish- komandantët tanë, të cilët, falë luftës clirimtare erdhën në pushtet dhe sot e kësaj dite nuk ishin në gjendje ta nxjerrin një ligj të definuar mirë dhe qartë, në formë kushtetuete për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe figurave kombëtare gjatë tërë histories, prandaj mosaplikimi i një ligji të tillë ju len hapësirë juve dhe sojit tuaj të njollosni, fyeni dhe gënjeni sipas orekseve të politikës serbosllave, se përndryshe, sikur të ekzistonte një ligj i tillë, ju në mënyrë urgjente dhe automatike duhet të përgjigeshit para ligjit, por edhe nëse keni fakte për persona e individë të involvuar në rradhët e UÇK-së, të cilët ndoshta kanë kryer ndonjë veprim të paligjshëm , që i tejkalon ligjet dhe zakonet e luftës, të Konventës së Gjenevës, atëherë, thuaje me emër e mbiemër dhe mos e apostrofo një ushtri që doli nga gjiri i popullit dhe dha gjithçka për këtë vend .
Vërtet më vjen shumë keq që treguat një nivel kaq të ulët, që nuk dallon aspak nga deklaratat e Dick Martit, Carla Del Puntes dhe prokurorëve dhe ish- politikanëve serbë. Vërtet ju duhet të korrigjoheni mirë dhe qartë dhe t’i kërkoni falje Ushtrisë së lavdishme të Kosovës-UÇK-së dhe kombit shqiptar, sepse UÇK-ja ishte dhe mbetet krenaria jonë kombëtare që nga lufta e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e gjer më sot.
Hamdi Ndrecaj- Panteri, më 13.07.2019











