Nga, Red Varaku
Shqiptarët do të dalin sot në një demonstratë masive kundër Edi Ramës. Përgjimet e BILD e kanë ndryshuar radikalisht natyrën e protestës sepse e pa gjithë bota se sot nuk ka më asnjë dallim dhe asnjë vijë ndarëse mes krimit dhe Partisë Socialiste dhe institucioneve të pushtetit që kontrollon Partia Socialiste.
Bandat janë shtabe elektorale të Partisë Socialiste, kokat e krimit konsiderohen si shefa të tyre nga administrata publike, bandat caktojnë dhe marrin përfaqësuesit e tyre në Kuvend me siglën e PS-së, ndërsa drejtues socialistë koordinojnë cdo veprim politik me kriminelët.
Tashmë kjo është bërë e qartë edhe për më idiotin dhe naivin!
Ndërkohë, kryeministri i vendit dhe kandidatët e tij për bashkinë që duan , vazhdojnë të pashqetësuar të xhirojnë filmin e ri të shpēlarjes së trurit. Ata mendojnë se njerëzit e kanë harruar që janë prej gjashtë vitesh në pushtet dhe mendojnë se njerëzit janë aq idiotë sa t’i duket BILD vërtet një sajesë e opozitës nga frika e reformës, me shprese se me gënjeshtra do të mund të mbulojnë dështimin spektakolar.
Ai mendon se qytetarët do ta mbështesin sërish atë prej frikës nga Saliu, ndaj shfaqet i ndrojtur dhe gati duke qarë nga emocionet në takim-funeralet me flamuj të kuq kombëtarë. Ka zgjedhur të bëjë sërish viktimën, por kësaj here duket se nuk po i ecën.
Shfaqet i përulur dhe duke qarë njeriu që nuk i ka ikur asnjë lot hidhërimi kur ka lënë jetimë me dhjetëra fëmijë për shkak të vetvrasjeve nëpër burgje të prindërve që nuk kishin me se t’i paguanin energjinë.
Shafaqet si viktimë para qindra prindërve, fëmijët e të cilëve dergjen burgjeve, për 2 gramë kanabis, ndërkohë ata që kanabizuan Shqipërinë jetojnë mes luksit ose janë kandidatë të rilindjes për ‘bashkinë që duan’.
Shfaqet si viktimë para mijëra prindërve të cilëve arroganca dhe papërgjegjshmëria e këtij njeriu, ia degdisi fëmijët sërish larg duke hapur një tjetër plagë në trupin e lodhur të popullit tonë.
Shfaqet si viktimë para qytetarëve që nuk ia falin mbushjen e parlamentit me kriminelë, trafikantë e përdhunues.
Shfaqet si viktimë para mijëra baballarëve, që për të punësuar vajzat dhe djemtë e tyre, nuk duhet të paraqiten tek zyrat e punës, por tek përdhunuesi dhe krimineli. Sepse fatin e vajzës apo djalit të tij e ka në dorë legeni imoral, horri që Rama ia ka caktuar si tutor mbi kokë çdo mëhalleje dhe qyteti.
Shfaqet triumfues në një tavolinë me Fatmir Xhafën , Erjon Veliajn etj, për të treguar se partia e tij është e bashkuar. Është fjala për të njëjtin person kundër të cilit Rama suli Top Channelin e Blushit për ta diskretituar plotësisht.
Shfaqet i pakompleksuar në emision me Sokol Ballën duke vendosur një rekord të zi për teatralitetin dhe artificialitetin e një interviste apo debati ku gjithçka ishte e parapregatitur.
Duke shmangur gazetarë cilësorë Rama tregon që ka probleme dhe është në krizë . Ai nuk ka fuqi të përballet realisht. Gjatë këtyre ditëve po shmang çdo gjë reale dhe është fokusuar tek një fushatë sterile me monokandidatë me shpresë se do të arrijë t’ia hedhë edhe këtë herë.
I lodhur dhe i dorëzuar para fatit, ai ka ndërmarrë një fushatë të shëmtuar, një teatër me njerëz të cilëve tanimë nuk u kupton dot as racën politike, as fytyrën dhe as gjininë.
Por, në gjithë shfaqjet e tij, Edi Rama shfaqet i mplakur dhe i mrrolur nga makthi se mos këto zgjedhje janë varri i tij politik. Ai po shkon drejt ballafaqimit final me popullin, pasi i ka dështuar me turp . Partneri i tij në krim, Vangjush Dako mund të arrestohet nga çasti në çast.
Të gjitha këto e bëjnë të plotë makthin e Edi Ramës dhe të panevojshme paratë që ai po shpenzon për të riblerë miq dhe garanci.
Ai po synon sot të jetë përveçse padroni i parlamentit, padroni i gjykatave, padroni i qeverisë, padroni i prokurorisë, edhe zot i njerëzve. Ai është nga të rrallë kryeministra në botë që qeveris vendin duke pasur kundër thuajse gjithë popullin e tij.
Ai po përpiqet që sot në vend të instalojë njerëzit e tij, besnikët e tij në krye të çdo qyteti. Ai do t’i ketë të 61 bashkitë e vendit.
Ai nuk mjaftohet vetëm me pushtetin ekzekutiv. Ai do t’i kapë të gjitha. Ai është duke kërkuar një mandat që 61 bashkitë nesër t’i përdorë si presion për garancinë e tij dhe rilindasve të tjerë.
Ai do t’i ketë 61 bashkitë për të bërë të heshtin ata që janë kundër tij dhe për t’i bërë ikin nga ky vend ata që shpresonin se shpresa mund të ringjallet.
Ai kërkon 61 bashkitë për tu dhënë siguri këlyshëve të tij se do të gëzojnë ato që kanë fituar në mënyrë të paligjshme deri sot. Ai po kërkon 61 bashki për të çelur një faqe të zezë të pushtetit në Shqipëri. Ai po kërkon të rrënojë opozitën shqiptare, t’i japë fund demokracisë dhe t’i hapë rrugë putinizmit .
Ai po kërkon garanci për ato që ka bërë duke vjedhur , poshtëruar dhe sërish vjedhur. Është një kërkesë e pamëshirshme që rrezaton deri ku është zhytur në krim dhe korrupsion ky njeri.
Ndaj njerëzit duhet të dalin sot masivisht për të ndaluar projektin kriminal dhe për t’i dhënë fund tranzicionit.
Pjesëmarrja është jetike për të ndarë fatet e vendit, për t’i dhënë fund tranzicionit që prej 30 vjetësh vetëm riciklon të njëjtët njerëz dhe fenomene. Populli po jeton nën thundrën e njerëzve që kanë blerë vota për të vjedhur, dhe duan të vjedhin për të na sunduar gjithë jetën.