Një deklaratë e fortë politike vjen nga kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami, i cili ka reaguar ashpër ndaj ekspozimit publik të simboleve të regjimit komunist dhe portreteve të diktatorit Enver Hoxha.
Në një deklaratë të publikuar prej tij, PLL shprehet kundër asaj që e cilëson si “tendencë për glorifikimin e figurës së diktatorit”, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet shtetërore dhe autoritetet vendore.
Sipas Axhamit, përdorimi i simboleve të komunizmit nuk mund të trajtohet thjesht si nostalgji politike, pasi pas tyre qëndrojnë historitë e mijëra familjeve të prekura nga ekzekutimet, burgimet politike, internimet, konfiskimet e pronave dhe kufizimi i lirive dhe të drejtave themelore.
“Për mijëra familje të përndjekura politikisht, shumë prej të cilave ende nuk kanë gjetur eshtrat e të afërmve të vrarë apo të zhdukur nga diktatura, shfaqja publike e portreteve të diktatorit dhe e simboleve të regjimit komunist përbën një fyerje ndaj vuajtjeve të tyre, ndaj kujtesës historike dhe ndaj dinjitetit të viktimave të komunizmit”, thuhet në deklaratë.
PLL i kërkon institucioneve publike që të mos lejojnë, sipas saj, përdorimin e hapësirave publike për glorifikimin e një regjimi që partia e konsideron përgjegjës për mohimin e lirive dhe të drejtave themelore të shqiptarëve.
Në deklaratë, Axhami kërkon gjithashtu që Kuvendi i Shqipërisë të trajtojë kuadrin ligjor që lidhet me ekspozimin publik të simboleve të regjimit komunist, dokumentimin e krimeve të komunizmit dhe edukimin historik të brezave të rinj.
“Partia Lëvizja e Legalitetit, si një forcë politike me një qëndrim historik dhe të pandryshuar kundër diktaturës komuniste, në mbrojtje të lirisë, shtetit të së drejtës, pronës, pluralizmit politik dhe dinjitetit njerëzor, e dënon pa ekuivok çdo përdorim të simboleve të diktaturës dhe çdo përpjekje për rehabilitimin apo glorifikimin e figurës së Enver Hoxhës”, thekson deklarata.
Në fund të reagimit, kreu i PLL e mbyll mesazhin me sloganin: “Atdheu mbi të gjitha!” 🇦🇱
Postimi i plotë i Shpëtim Axhamit:
DËNOJMË ME FORCË PËRDORIMIN E SIMBOLEVE TË DIKTATURËS DHE TENDENCËN PËR GLORIFIKIMIN E FIGURËS SË DIKTATORIT!
DEKLARATË E PARTISË LËVIZJA E LEGALITETIT
Partia Lëvizja e Legalitetit dënon me forcë ekspozimin gjithnjë e më të shpeshtë, përfshirë edhe në ditë festash zyrtare, të simboleve të regjimit komunist, si dhe çdo tendencë për glorifikimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha.
Për Shqipërinë dhe shqiptarët, këto nuk janë thjesht fotografi, simbole apo shfaqje të një nostalgjie politike. Pas tyre qëndron një nga periudhat më të errëta të historisë sonë kombëtare me pushkatime dhe ekzekutime pa gjyq, burgime politike, internime e dëbime, tortura, konfiskime dhe shtetëzim pronash, si dhe me mohim total të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Për mijëra familje të përndjekura politikisht, shumë prej të cilave ende nuk kanë gjetur eshtrat e të afërmve të vrarë apo të zhdukur nga diktatura, shfaqja publike e portreteve të diktatorit dhe e simboleve të regjimit komunist përbën një fyerje ndaj vuajtjeve të tyre, ndaj kujtesës historike dhe ndaj dinjitetit të viktimave të komunizmit.
Partia Lëvizja e Legalitetit, si një forcë politike me një qëndrim historik dhe të pandryshuar kundër diktaturës komuniste, në mbrojtje të lirisë, shtetit të së drejtës, pronës, pluralizmit politik dhe dinjitetit njerëzor, e dënon pa ekuivok çdo përdorim të simboleve të diktaturës dhe çdo përpjekje për rehabilitimin apo glorifikimin e figurës së Enver Hoxhës.
PLL u bën thirrje institucioneve shtetërore, pushtetit vendor dhe çdo autoriteti publik të tregojnë përgjegjësi ligjore dhe institucionale, duke mos lejuar që hapësirat publike të shndërrohen në vende të glorifikimit të një regjimi që mohoi lirinë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve.
Kuvendi i Shqipërisë duhet ta trajtojë me seriozitet dhe urgjencë çështjen e kuadrit ligjor që lidhet me përdorimin dhe ekspozimin publik të simboleve të regjimit komunist, me dokumentimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit, si dhe me edukimin e drejtë historik të brezave të rinj.
Atdheu mbi të gjitha! 🇦🇱










