Në ditën e përkujtimit të viktimave të fashizmit dhe komunizmit, kujtesa vjen edhe përmes vargjeve.
Luftar Pepmarku i ka kushtuar një poezi të ndjerë të atit të tij, Osman Pepmarkut, një atdhetar dhe zogist, i cili u arrestua dhe u pushkatua nga regjimi komunist.
Në poezinë me titull “Me Dashamirësi”, Pepmarku sjell kujtimin e të atit dhe dhimbjen e një familjeje që përjetoi represionin politik, ndërsa përmes vargjeve përcjell edhe një mesazh të fortë për mënyrën se si duhet kujtuar e shkuara.
Ai nuk ndalet vetëm te dhimbja personale. Poezia kthehet në një reflektim mbi komunizmin, vuajtjet, luftën e klasave dhe përpjekjet për të relativizuar krimet e diktaturës.
“Nga thellësitë e zemrës të falenderoj BABA,
Që diktaturës iso nuk i mbajte asnjë ditë…”
Me këto vargje nis një rrëfim familjar që ndërthur mallin për të atin me kujtesën historike.
Pepmarku sjell në vëmendje edhe ata që, sipas tij, sot shmangin diskutimin për krimet e komunizmit, duke e zhvendosur bisedën te ngjarje të tjera historike.
Në fund, poezia merr tone të forta politike e historike, duke kujtuar pasojat e luftës së klasave dhe varfërinë që, sipas autorit, shoqëroi vendin nën regjimin komunist.
ME DASHAMIRËSI
Nga thellësitë e zemrës të falenderoj BABA
Që diktaturës iso nuk i mbajte asnjë ditë,
Vetëm ne e dimë se si iku e ku na la,
Mes atij mjerimi që aq gjatë u përsërit.
Me dashamirësi ulemi shpesh herë,
Rreth filxhanit të kafes e nisim biseda,
Ka njerëz që e sotmja u duket skëterrë,
E nuk duan të flasin se ç’ishte e djeshmja.
Sot tek rrimë me shok e kuvendojmë,
Tek pimë kafe me burra të shkolluar,
Sa keq më vjen që s’dinë të respektojnë,
Vuajtjet që hoqëm në sistemin e kaluar.
E sjellin në bisedë ngjarje parabiblike,
Për të mos përmendur krimet komuniste,
Pikë referimi kanë legjendat Homerike,
E thonë krime ka bërë Diktatura Fashiste.
Kush tha se jo, këto ne i kemi ditur,
Lexuar i kemi poemat e Homerit,
Çka bërë Fashizmi s’duhej përsëritur,
Prandaj sot mallkohet figura e Enverit.
Këta dhe vetë s’e duan ndaj e mallkojnë,
Se në demokraci sot janë bërë të pasur,
E t’u shajshë sistemin nxihen nuk durojnë,
Nuk harrojnë të djeshmen, që ai i ka dashur.
Jo më kot i quanin ndihmës të partisë,
Që të zhvillonin ashpër luftën e klasave,
Kur vendin në skamje e kishin katandis,
E thonin pastaj: “Ndjekim vijën e masave.”
Një poezi, një kujtim dhe një dëshmi familjare për një brez që u përball me burgun, pushkatimin dhe represionin e diktaturës.











