Raportimet e para mbi zjarrin në një apartament në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë u shoqëruan me versione të ndryshme dhe shpesh të pasakta mbi shkaqet e ngjarjes.
Por, sipas burimeve të drejtpërdrejta nga brenda banesës dhe dëshmive të banorëve të pallatit, ngjarja rezulton të ketë qenë një incident aksidental, larg aludimeve që kanë qarkulluar.
Mësohet se zjarri është shkaktuar nga një qiri i marrë në Kishën e Laçit, i ndezur në orët e para të mëngjesit. Qiriu, sipas të njëjtave burime, ishte vendosur në kushte të izoluara dhe përdorimi i tij lidhej me një praktikë të njohur në familje besimtare shqiptare.
Në momentin e incidentit, dy vajzat që jetonin në apartament kanë qenë në gjumë, duke mos pasur mundësi të reagojnë menjëherë ndaj përhapjes së flakëve.
Një fqinj ka ndërhyrë për të ndihmuar në fikjen e zjarrit, por për shkak të tymit është asfiksuar dhe ka marrë ndihmë mjekësore. Burime bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, vajzat janë shoqëruar në komisariat për procedurat standarde, ndërsa janë marrë në pyetje edhe banorë të tjerë të zonës.
Ajo që bie në sy është reagimi i komunitetit: fqinjët kanë folur njëzëri në favor të vajzave, duke i cilësuar si persona korrektë, të qetë dhe shembullorë në bashkëjetesë. Sipas tyre, ato jetojnë prej 6–7 vitesh në atë kompleks dhe nuk kanë qenë asnjëherë burim shqetësimi apo problematike.
Mbështetja ka shkuar deri në komisariat, ku një fqinj i tyre, me profesion avokat, është paraqitur për t’u interesuar dhe për të dhënë deklarime në favor të tyre, së bashku me banorë të tjerë.
Në dritën e këtyre dëshmive, ngjarja shihet si një aksident fatkeq dhe jo si rezultat i neglizhencës apo skenarëve të përfolur më herët.







