Manjola Nikollo, ish-kryetarja e Partisë Demokratike në Sarandë u emëruar nënkryetare e bashkisë së Sarandës. Në një intervistë për mediat, Nikollo ka treguar se largimi i saj nga PD erdhi pas një përplasjeje me deputeten Ina Zhupa.
Ajo tregon se pas kandidimit në primare për kandidate për deputete, nisën konfliktet me deputeten Ina Zhupa, e cila sipas Nikollos, përdori funksionin e saj për të ndikuar te anëtarësia, madje edhe për të manipuluar procesin e votimit. Sipas Nikollos, pas këtij momenti ajo është larguar nga çdo funksion partiak, madje është hequr edhe nga grupi i komunikimit të kryesisë së PD Sarandë.
Manjola Nikollo: Unë dhashë dorëheqjen nga ai pozicion për shkak të konfliktit të interesit dhe për të qenë e barabartë mes anëtareve të tjerë, ndërsa Zhupa ka përdorur pushtetin e deputetes për të ndikuar në ndryshimin e rezultateve real të atyre primareve. Në këto kushte, duke qenë se nuk isha më as kryetare e PD së Sarandë, jam larguar edhe nga grupi i Ëhatsapp-it të kryesisë së degës, nuk njoftohesha për asnjë takim, për asnjë mbledhje. E ndjerë e fyer, e fyer moralisht, e fyer ndaj demokratëve që më kanë besuar, të zhgënjyer nga demokracia e brendshme që vetëm demokraci nuk mund të themi brenda PD-së, detyrohem sot të reagojë në këtë mënyrë, duke pranuar një pozicion në Bashkinë e Sarandës.
Nikollo, e cila u rendit e treta në primare, hoqi dorë nga pjesëmarrje në listën e hapur të PD-së në qarkun e Vlorës. Asakohe përmes një postimi në rrjete sociale ajo theksoi se do të vijojë të ndihmojë në terren Partinë Demokratike, por karriera e saj politike duket se ka marrë një tjetër rrjedhë. Emërimi i saj vjen në vazhdën e kalimeve të disa përfaqësuesve nga radhët e demokratëve drejt atyre të Partisë Socialiste. Edhe ish-deputetja Zheni Gjergji po ashtu i është bashkuar socialistëve, pasi u emërua drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan.











