Nga përfundimi i mbledhjes së opozitës për negociatat e kandidaturës së tyre për Bashkinë e Tiranës, Flamur Noka, ka mbajtur një deklaratë për media.
Ai u shpreh fillimisht se synimi i opozitës është gjetja e një figure dinjitoze, përfaqësuese për qytetarët, ndryshe nga socialistët.
“Opozita vazhdon konsultimet dhe bisedimet për t’i dhënë Tiranës, edhe bashkive të tjera, një figurë dinjitoze, përfaqësuese, që të ketë në fokus qytetarin, hallet dhe problemet e tij. Ndyrshe nga regjimi i narkos, i cili ka nxjerrë një figurë, tashmë të diskretituar, e famshmja siç i kam thënë dhe i them, miss Covid-i. Një figurë, e cila është me dosje më shumë se sa lali vjedhësi në SPAK.
Opozita po përpiqet të gjejë një figurë përfaqësuese për qytetarët.
Të jeni të sigurtë se kandidatë ka shumë, por po përpiqemi të unifikojmë qendrimet tona dhe parametrat që duhet të ketë një kandidat, i cili të ketë në qendër të tij qytetarin dhe shërbimin ndaj qytetit”, tha Noka.
Po kështu, Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka mbajtur gjithashtu deklaratë për media.
Blushi u shpreh ironizues ndaj kandidates socialiste, Ogerta Manastirliu, duke e cilësuar si një kandidate të “Covid”. Për këtë, opozita, sipas Blushit, do të zgjedhë si kandidaturë një vaksinë “kundër” socialistes.
“Sigurisht të jetë një kandidaturë gjithëpërfshirëse. Pra përballë kandidates së Covid-it, ne po zgjedhim vaksinën e duhur, që do sherojë një herë e përgjithmonë kryeqytetin.
Vaksina jonë, përballë Covid-it të Edi Ramës, sigurisht do të jetë një kandidaturë e cila do e kthejë Bashkinë e Tiranës në shërbim të qytetarëve, e do të japë një herë e përgjithmonë fund paligjshmërisë, abuzimit, korrupsionit në këtë institucion”, tha Blushi.