Drejtuesja politike për Diasporën e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli fton shqiptarët e diasporës që të votojnë në zgjedhjet e 11 Majit, pasi sipas saj ata mund të sjellin rotacionin politik.
Topalli e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, e ka quajtur një cunam votash, procesin e votimit nga diaspora, teksa shtoi se do të realizohet kthesa historike.
“Dhe zoti Berisha do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë pas 11 Majit, sepse në fakt ai po shkruan një histori të re. Po tregon ashtu siç e quante një ish-ambasador amerikan që është një fuqi e natyrës që po mobilizon energjinë, po jep vrull takimeve të jashtëzakonshme që po bëhen në Shqipëri” – tha Jozefina Topalli.
Jozefina Topalli: Së pari për ne është themelore si për shqiptarët brenda kufijve dhe ato që jetojnë jashtë për të mbyllur kapitullin e së keqes dhe për të hapur një kapitull të ri që dua ta shoh në disa plane, por plani kryesor është që në 11 Maj ato mund të sjellin rotacionin për një arsye madhore që i kalon të gjitha forcat politike që është ndalja e dëbimit të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Kemi 1 milion shqiptarë që janë dëbuar gjatë 12 viteve jashtë kufijve të Shqipërisë. Mua më duket si një cunam votash që do të realizojmë atë që do të jetë kthesa historike e 11 Majit për arsyen e ekzistencës kombëtare.
Ndërkohë demokratja Topalli ka zbuluar edhe shtetet nga të cilat pret të marrë më shumë vota Partia Demokratike.
Blendi Fevziu: Ku mendoni ju se do të keni më shumë mbështetje? Dy vendet kryesore të regjistruara janë Italia dhe Greqia. Greqia duket se është mbrapa me kthimin e zarfeve, por Italia është në vendin e parë.
Jozefina Topalli: Italia është rreth 91 mijë votues, është një shifër fantastike dhe nuk ka qenë rastësi që ne jemi fokusuar shumë pa lënë pas Gjermaninë, Londrën, SHBA dhe Greqinë ku gjithashtu janë rreth 68 mijë vetë. Nga Italia kanë ardhur mbi 62 mijë zarfe dhe unë shfrytëzoj rastin për një falënderim të përzemërt për të gjithë shqiptarët, pasi ata kanë harxhuar kohë.